TIRANE- Në Shqipëri, eksperti spanjoll Joaquin Urias, i cili për katër vite drejtoi misionin europian të asistencës në sistemin e Drejtësisë, Euralius 3, thotë se “gjendja e përgjithshme e Drejtësisë në është shumë e keqe”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Urias flet për problemet e shumta që ka sistemi i Drejtësisë duke theksuar se më kryesori mbetet korrupsioni, por gjithashtu dhe ndërhyrjet politike apo lidhjet gjykatës-politikë. Ai shpjegon dhe ndërhyrjet e nevojshme që do të përmirësonin situatën, duke saktësuar se për to është i nevojshëm një vullnet i qartë politik. Zoti Urias kritikon edhe qëndrimet shpesh jo të forta sipas tij të Komisionit europian, i cili duhet të shtyjë Shqipërinë drejt reformave të plota, deklaron ish drejtuesi i misionit.

Pas katër vitesh në Shqipëri ku ju keni drejtuar misionin Euralius, misionin e asistencës së Bashkimit europian për sistemin e drejtësisë shqiptare, si do ta përshkruanit situatën në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë shqiptare
“Situata e përgjithshme e Drejtësisë mendoj se është shumë e keqe. Nuk dua të jem pesimist, por mendoj se në katër vitet e fundit, situata nuk është përmirësuar. Drejtësia duhet të jetë institucioni kyc i shtetit të së drejtës, është institucioni që garanton se njerëzit po e respektojnë ligjin. Në Shqipëri situata është e tillë që Drejtësia nuk është e aftë që të garantojë qytetarët që të ndjehen të mbrojtur nga shteti i së drejtës. Për shkak të mungesës së efikasitetit, për shkak të mangësive në Drejtësi, qytetarët shqiptarë nuk ndjejnë se po jetojnë në një vend të bazuar në shtetin e së drejtës”.

Sipas jush cilat janë problemet kryesore. Në Shqipëri flitet shumë për korrupsion, për lidhje politike, për ndikim politik…
“Problemi më kryesor, ndoshta numër 1 është korrupsioni. Korrupsioni, nuk është vetëm ai që njerëzit mendojnë, marrja e parave. Korrupsion do të thotë gjithashtu se shumë vendime gjyqësore merren për shkak të influencave politike. Korrupsion është sa herë merret një vendim i cili nuk është i bazuar në ligj, por në interesa të tjera. Korrupsioni përfshin gjithashtu dhe ndërhyrjet politike.
Ka gjithashtu probleme që lidhen me mungesat në burime. Buxheti që qeveria jep për drejtësinë në Shqipëri është më i ulti në të gjithë Ballkanin e po ashtu dhe organizimi i gjykatave nuk është ai që duhet të jetë. Pra duke i përmbledhur shkurtimisht, problemet janë korrupsioni, ndërhyrjet politike, buxheti i mangët dhe organizimi efikas”.

Ju flisni për korrupsionin, dhe për të flitet shumë. Nga përshtypja që ju keni krijuar në gjithë këto vite, sa i përhapur, sa i thellë dhe sa i rëndë është ky fenomen?
“Për korrupsionin është e vështirë të japësh shifra konkrete, sepse korrupsioni nuk është hetuar asnjëherë. Një ish ministër i Drejtësisë më ka thënë se “Ne nuk kemi korrupsion sepse asnjë gjykatës nuk ka shkuar deri më tani në burg”. Përgjigja që i dhashë ishte kjo: “Jo, kjo do të thotë se ju keni korrupsion”. Pra unë nuk mund të japë shifra për korrupsionin, por ne kemi një perceptim. Mund t’ju jap disa shembuj. Cdo herë që kam folur me gjykatës dhe i kam pyetur se cfarë mendojnë mbi korrupsionin, secili prej tyre në Shqipëri, dhe kam folur me shumë gjykatës, secili më ka thënë se ai nuk është i korruptuar, por gjithë kolegët e tij janë të korruptuar. Nëse cdokush mendon se të tjerët janë të korruptuar , kjo do të thotë se korrupsioni ekziston. Së dyti, sa herë ju do flisni me qytetarë që i drejtohen gjykatës, për cfarëdo cështje, familjare, trashëgimie apo pronash, secili prej tyre do të thotë se gjëja e parë që u është kërkuar, ka qenë të paguajnë për gjykatësin, për prokurorin.

Pra ndoshta ne nuk mund të japim shifra, por korrupsioni është një problem i madh dhe nëse do të donit mendimin tim, korrupsioni nuk vetëm kur gjykatësi për të dhënë vendimin mbështetet te paratë, por korrupsioni është edhe në gjirin e vet institucioneve të sistemit gjyqësor. Ky nuk është vetëm opinionin im personal, kjo është përmendur edhe në parlament. Gjyqtarët kur duan të promovohen synojnë të vijnë në Tiranë, sepse gykata e Tiranës është një gjykatë karriere ku të gjithë gjyqtarët ëndërrojnë të vijnë një ditë, po kështu dhe prokurorët. Dhe sistemi i transferimit është i bazuar në korrupsion. S’mund të themi për cdo rast. Por ne kemi dëgjuar, edhe në parlament, apo dhe në biseda private, se gjyqtarët duhet të paguajnë për t’u promovuar. Pra është një sistem tërësisht i korruptuar. Edhe brenda organizimit të gjykatave, në shumë raste janë kryetarët ata që caktojnë drejtimin e proceseve, pa asnjë lloj kontrolli apo sistemi transparent. Ata vendosin për njerëzit që merren në punë, si për shembull sekretaret që punësohen pa asnjë lloj konkursi”.

Ju përmendët si një formë të korrupsionit edhe ndikimin politik, ndërhyrjet politike. Sa i përhapur është ky fenomen?
“Është shumë i lidhur me aspektet e tjera. Sipas mendimit tim, sepse nuk kemi të dhëna, politikanët në Shqipëri e dinë se sa e rëndësishme është të kontrollosh gjykatësit. Në rast se të sulmojnë, apo dhe kur do të sulmosh dikë, është më mirë të kesh një farë kontrolli mbi gjykatësit. Si ja arrijnë kësaj? Ka disa mënyra. Ndonjëherë, ndonjë gjyqtarë promovohet jo duke paguar, por duke patur mbështetje politike. Kur bëhet fjalë për t’u emëruar në gjykatat e nivelit të lartë, nëse ke lidhjet e duhura mund të promovohesh.
Mund t’ju jap një shembull, i cili është vëzhguar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare. Të gjthë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në procese të vështira, apo cështje rreth të cilave njerëzit ishin vërtetë të zemëruar, për shembull Gërdeci, apo 21 Janari, apo cështje të tjera të rëndësishme, pas përfundimit të tyre, normalisht të gjithë gjyqtarët u promovuan. Ndoshta është një rastësi, apo dicka që nuk ndodh shpesh. Unë nuk mund të akuzoj konkretisht. Por përshtypja është ajo e një shkëmbimi favoresh. U bëra i mirë me ty, në të ardhmen do jesh ti i mirë me mua. Përsa kohë sistemi bën të mundur ndërhyrje të mëdha të parlamentit, të ministrave, të presidentit të Republikës, të politikës, në Drejtësi, është e natyrshme të imagjinosh, se shumë gjyqtarë, përpiqen të jenë komod për politikanët, sepse do të marrin një favor mbrapsht. Pra sistemi lejon shumë ndërhyrje dhe gjyqtarët po i përdorin këto hapësira”.

Megjithatë në gjthë këto vite është folur për reforma në Drejtësi. Edhe në raportet e BE-së përmendet se vendi ka bërë përpara në këto reforma. Megjithatë ju flisni për një situatë që nuk është përmirësuar. Këto kanë qenë reforma që nuk kanë patur efiskasitetin e duhur apo nuk janë zbatuar sic duhet e kanë mbetur reforma në letër?
“Cështja e reformave.. ka shumë probleme. Problemi më i zakonshëm që ne e ndeshim cdo ditë është se shumë nga reformat në Drejtësi janë bërë jo sepse Shqipëria do, por sepse BE-ja ka kërkuar që të bëhen. Përsa kohë është një kërkesë e BE-së, autoritetet shqiptare nuk përpiqen që ta ndryshojnë realisht situatën, por përpiqen t’i japin një karamele Bashkimit europian. Gjatë kohës që kam qenë këtu, kam marrë pjesë në shumë reforma apo ligje, të cilat nuk them se kanë qenë të këqija, sepse kanë sjellë një përmirësim, por ato nuk trajtojnë problemet e mëdha.

Sepse kur Bashkimi europian thotë për shembull se ju duhet të reformoni Gjykatën e lartë, ju mund të bëni një ligj për këtë Gjykatë i cili nuk trajton problemet reale të Gjykatës së Lartë por thoni megjithatë “Ja e bëra”. Dhe ju prisni kandidaturën sepse e bëtë ligjin pavarësisht se nuk është i mirë sic do të duhej. E njejta gjë mund të jetë për reformën e Kodit të procedurës civile, e do të jetë e njejta edhe për reformën e Gjykatës kushtetuese që pritet të nisë dhe duket se kërkohet një reformë sipërfaqësore, apo për reformën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në cdo institucion adresohen reforma që më shumë kanë emrin, për të thënë se po reformojmë këto institucione, por përmbajtja është e dobët dhe nuk bëhet ajo që duhet bërë.

Por kjo nuk vjen se nuk e dinë se cfarë duhet bërë. Për të qenë i sinqertë, në Shqipëri ka ekspertë mjaft të mirë, ka ekspertë ndërkombëtarë ndër më të mirët që japin asistencë. Ata e dinë se cfarë duhet bërë. Por politikanët nuk e bëjnë. Preferojnë gjysëm reforma, sepse shpesh, nëse bën reforma të mëdha humbet disa privilegje, dhe nuk duan ti humbin këto privilegje”.

Shumica e re e cila është tashmë në pushtet, ka njoftuar ditët e fundit, nisjen e një reforme të thellë e të gjithanshme në Drejtësi. Sipas jush cilat duhet të jenë ndërhyrjet më urgjente që duhen realizuar?
“Kjo është e lehtë. Eshtë e lehtë sepse kur qeveria e re dhe shumica e re erdhi në pushtet, u hartua një draft me mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe Komisionit të Venecias, mbi atë se cilat janë reformat e vërteta që duhen bërë. Nëse duan t’i bëjnë ata i dinë.
Së pari, nevojitet në mënyrë absolute një reformim i kushtetutës. Dhe kur them një reformim i kushtetutës, kam parasysh një reformë të bërë me mbështetjen e opozitës dhe një konsensus të gjerë në vend. Në kushtetutë duhet parë cështja e Gjykatës së Lartë, e cila është gjykata më e rëndësishme e vendit dhe anëtarët e saj zgjidhen nga parlamenti me një shumicë të thjeshtë. Kështu që shumica e radhës mund të vendosë gjithmonë gjyqtarët që do të shkojnë atje. Kjo është e paparanueshme në cdo vend europian. Pra gjykata e Lartë duhet të jetë larg nga parlamenti.

Duhet të ndryshohet Këshilli i Lartë të Drejtësisë, i cili është institucioni i cili garanton pavarësinë e gjykatësve, por aktualisht nuk është i tillë. Në KLD duhet të shmanget që presidenti i Republikës, i cili është një politikan, të marrë pjesë. Duhet të shmanget dhe pjesmarrja e ministrit të Drejtësisë sepse dhe ai gjithashtu është një politikan. Duhet të përforcohet pavarësisa e anëtarëve të KLD-ës, por edhe përgjegjësitë. Në Kushtetutë duhet të parashikohet që anëtarët e KLD-ës që nuk respektojnë ligjin duhet të shkarkohen.

Reforma të tjera. Ajo për prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm në Shqipëri zgjidhet sërish nga parlamenti, gjë e cila paraqet disa probleme, plus që ai ka një pushtet shumë të madh mbi prokurorët e tjerë. Kështu që nëse do ndryshohet Kushtetuta, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, nëse do doni që të jetë sërish nga parlamenti, të jetë me mbështetjen e të gjitha forcave politike, jo që shumica të caktojë prokurorin e saj. Nga ana tjetër Prokurori i përgjithshëm nuk mund të jetë një lloj “diktatori” që merr të gjitha vendimet. Cdo prokuror duhet të jetë i pavarur në marrjen e vendimeve për rastet, si dhe gjykatësit. Nuk mund të ketë një hierarki ku prokurori i Përgjithshëm jep urdhëra.

Nevojiten gjithashtu, ndryshime ndoshta edhe për Gjykatën Kushtetuese, e cila ka disa procedura që janë shumë konfuze. Eshtë gjykata më e rëndësishme e vendit dhe duhet që të jenë të qarta kompetencat, procedurat.

Së fundi reforma më e madhe në vend që duhet bërë është ajo e organizimit të gjykatave. Gjykata po administrohen si të jenë një familje. Kryetari i Gjykatës cakton kush është sekretarja, nuk ka një sistem trasparent. Nuk ka një sistem elektronik për të gjithë vendin i cili do t’i lejonte qytetarët që të njihnin se cilat janë vendimet gjyqësore. BE ka shpenzuar 1 milion euro për sistemin informatik në gjykata. Asnjë qeveri në 6-7 vitet e fundit nuk ka dashur që ky sistem të vendoset në të gjithë gjykatat. Kjo duhet bërë sepse i lejon qytetarët të dinë se kur është procesi, vendimi, ndihmon inspektimet dhe ndalon korrupsionin. Pra, ne e dimë se cfarë reformash duhen bërë, problemi është nëse keni vullnetin politik për t’i bërë apo jo?“

Së fundmi ministri i Drejtësisë ka paraqitur një draft për ndryshimet në ligjin për KLD-ën. Ju si mendoni, a është i mjaftueshëm, a i zgjidh problemet për të cilat ju folët?
Ky është një shembull i mirë, sepse është i freskët, i asaj se cfarë ndodh në Shqipëri. Ne të gjithë biem dakort se nevojitet një reformë e madhe në KLD, sespe duhet të jetë trupa që mbron dhe kontrollon gjyqtarët. Dhe kjo nuk po ndodh. Numri i procedime disiplinore është shumë i ulët. Pastaj vlerësimi. Puna e gjyqtarëve vlerësohet në Shqipëri. Ajo kryhet nga inspektorë që janë vërtetë të pavarur dhe mjaft të mirë. Por në fund vlerësimi i tyre ndryshon me votë nga anëtarët e KLD-ës, dhe pas kësaj rezulton se të gjithë gjyqtarët në Shqipëri janë shumë të mirë.

Vendimet në KLD merren pa asnjë motiv. Ata vendosin se filan gjyqtar duhet të shkojë në këtë gjykatë dhe nuk janë të detyruar të japin shpjegim mbi motivet. Ata vendosën se ish prokurorja e Përgjithshme Ina Rama nuk mund të shkojë në gjykatën ku kishte kërkuar, dhe nuk e shpjeguan përse.

Reforma e paraqitur nga qeveria nuk trajton këto probleme. Reforma përpiqet vetëm për të imponuar procedura strikte disiplinore për anëtarët në mënyrë që në të ardhmen të krijojë mundësi për zëvendësimin e tyre. Aktualisht shumica dërrmuese e anëtarëve të KLD-ës, për shkak të sistemit, janë shumë të afërt me ish shumicën e mëparshme. Janë sepse janë zgjedhur nga parlamenti dhe përfaqësojnë ish qeverinë. Shumica aktuale dëshiron të emërojë njerëzit e saj. Përshtypja ime është se kjo reformë është përqëndruar më së shumti për të krijuar mundësi për të ndryshuar njerëzit se sa të ndryshojë substancën. Dhe substanca është se presidenti i Republikës duhet të ketë një rol protokollar e të mos jetë pjesë e debateve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe Ministri i Drejtësisë gjithashtu. Në Shqipëri sanksionet ndaj gjyqtarëve dhe inspektimet bëhen nga qeveria. Kjo nuk ka kuptim. Qeveria nuk mund të procedojë gjykatësit që mund të mos jenë të përshatshëm. Kompetencat e ministrit të Drejtësisë duhet të reduktohen.

Pra ka shumë gjëra që duhet të bëhen dhe nuk janë të përfshira në këtë reformë. Ajo përbën një hap të mirë. Por nëse duan të bëjnë një reformë të plotë, kjo nuk është, është vetëm e pjesshme. Me këtë projekt nuk po bëjnë të mundur që KLD-ja të jetë një trupë e pavarur që kryen funksionet e veta”.

Zoti Urias në gjithë këtë bisedë, u shumë u shfaq një panoramë e zymtë e sistemit të Drejtësisë. Por a ndjen një përgjegjësi edhe misioni Euralius, i cili ishte këtu për katër vjet e do të vazhdojë me një mision tjetër, për të dhënë asistencë?
“Misioni Euralius ka qenë këtu për një kohë edhe më të gjatë. Ne tani përfunduam Euralius 3. Misioni ka dy objektiva: t’i japë institucioneve mbështetje me ekspertizë ndërkombëtare dhe të informojë Bashkimin europian se si po ecin gjërat. Sipas meje, të gjithë ekspertët e Euraliusit kanë bërë një punë mjaft të mirë. Por misioni nuk mund të përmbushet nëse mungojnë dy gjëra: duhet vullneti politik i autoriteteve shqiptare nga njëra anë dhe dikush që të dëgjojë në Bashkimin europian. Dhe mendoj se nuk kemi patur asnjërën prej tyre.

Me qeverinë Euraliusi ka patur situata të ndryshme. Për të qenë i sinqertë me disa ministra kemi patur marrëdhënie vërtetë të shumë të mira. Ata morën parasysh shumë nga propozimet tona. Por është ajo që thamë më parë. Nëse ne propozuam për shembull që të gjithë nëpunësit e gjykatave të jenë pjesë e shërbimit civili, qeveria tha Po. Por më pas ndryshoi pak qëndrim dhe tha “Po të gjithë do të jnë pjesë e shërbimit civil, por nuk do të hyjnë me konkurs. Ne do marrim njerëzit tanë”. Pra bëhen reforma, por në thelb nuk ndryshohet shumë. Mungesa e vullnetit ka qenë gjithnjë e pranishme.

Ana tjetër ka të bëjë me Bashkimin europian. Komisioni europian përpiqet të paraqesë si pikëpamje teknike cka janë në të vërtetë pikëpamje politike. Ne jemi ekspertë dhe punojmë për cështje teknike. Ne i themi Komisionit se këtu nuk ka progres, apo aty ka përparim të vogël. Por Komisioni europian punon mbi një rrafsh politik. Vit pas viti bëhen Progres raporte ku ata përpiqen të nënvizojnë përparimet. Unë uroj që Shqipëria të marrë statusin, por nuk mund të thuhet se është bërë progres aty ku nuk është bërë, sespe kështu Shqipëria nuk ndjehet e motivuar. Ju solla më parë shembullin e sistemit informatik nëpër gjykata, për të cilin në cdo raport thuhet se është bërë progres dhe se në muajt e ardhshëm do të përfundojë. Ka vite të tëra, dhe s’është përfunduar.

Realiteti është se Komisioni europian e di që përparimi në fushën e Drejtësisë në Shqipëri nuk është aq i madh. Por komisioni nuk po tregohet i ashpër aq sa duhet me qeveritë e ndryshme shqiptare për t’i nxitur që të bëjnë reformat që duhen. Pra misioni ynë mund të jetë efikas, por nëse qeveria nuk ka një vullnet politik, dhe Komisioni europian nuk është i fortë për të thënë realisht të vërtetën dhe për t’i shtyrë që të bëjnë reforma, atëherë këto reforma nuk do të përfundojnë asnjëherë”.

(a.n/VOA)

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim