Komisioni Parlamentar i Ligjeve mori në shqyrtim javën e kaluar projektligjin “Për Vetëqeverisjen Vendore”, një nismë ligjore e Këshillit të Ministrave.

Në konsultimin e draftit origjinal, hartuar dhe me asistencën e programeve të huaja, aktorët vendas të shoqërisë civile që u thirrën në konsultime  (Tetor 2015) përkrahën fort risinë e projektligjit për kufizimin e mandateve të kryebashkiakeve në vetëm dy të tilla. Kjo ishte pa dyshim nje nga elementet më të rëndësishëm në listën e efekteve pozitive që sillte projektligji.

Kemi vene re me shqetesim se drafti i sjellë për miratim në Kuvend ka braktisur qasjen progresiste në fjalë, duke iu lejuar tre mandate të njëpasnjëshme krye-bashkiakëve, madje me të drejtën rizgjedhjeje për një të katërt.

Dhoma Zgjedhore vlerëson se ky ndryshim negative që ka pësuar projektligji është në kundërshtim me frymën e konsultimeve të zhvilluara dhe parimet demokratike tës ynuara nga shoqëria shqiptare në vitin 2015. Projektligji duket se ka braktisuar dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë në këtë drejtim. Ai bie në kundërshtim edhe me vetë modelin e ligjit Italian të marrë për bazë në këtë rast, i cili kufizon në dy mandate ushtrimin e pushtetit nga kryebashkiakët në Italinë fqinje.

E theksojme me forcë se përvoja shqiptare në qeverisjen vendore dikton sot më shumë se kurrë kufizimin e madateve në DY të tilla. Vetëm në fillim të këtij viti, kryebashkiakë të qyteteve të rëndësishme, me nga dy mandate në detyrë, por që kërkonin edhe një të tretë, u proceduan penalisht për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Dhjetëra ishin dhe krye-komunarët e proceduar.

Vetë Reforma historike Administrative, përveçse një nevoje e kohshme, ishte dhe një mjet për të pastruar pushtetin vendor nga instalimi afatgjatë i pushtetarëve, që me korrupsionin në prona, lejet e ndërtimit, favoret e punësimit apo listat e përkrahjes sociale, kishin prodhuar një mekanizëm riciklues, afatgjatë, të pushtetit të tyre. Janë këta pushtetarë që e çuan demokracinë vendore në prag të shthurjes, duke diktuar nevojën për një reformë rrënjësore siç ishte RAT.

Projektligjiiri “Për VetëqeverisjenVendore” përfaqëson një moment që duhet shfrytëzuar në gjithë hapësirën e tij për të adresuar me mjete legjislative dhe jo vetëm represive (procedim penal) korrupsionin në nivel vendor. Shumica qeverisëse në veçanti dhe parlamentarizmi shqiptar në përgjithësi, ftohen të reflektojnë edhe njëherë mbi këto fakte, para se ta votojnë këtë projektligj. Kopjimi i modeleve “të përshtatshme” nuk duhet të jetë në këtë rast alternativa e parë dhe e vetme.  Përkundrazi, reflektimi ndaj gabimeve historike të tranzicionit duhet të diktojë përmbajtjen e ligjit të ri. Ky është dhe mekanizmi më i sigurtë që shtyn para progresin demokratik duke shmangur jetëgjatësinë dhe riciklimin e së keqes.

Dhoma Zgjedhore vlerëson se ndryshimi nga hartuesit e projektligjit në fjalë, të parimit të kufizimit të madateve, prodhon regres dhe rrezik për demokracinë. Ne relacionin shpjegues, projektligji motivohet si nevoje e diktuar edhe nga korrupsioni në qeverisjen e deritanishme vendore në Shqipëri. Padyshim, nëse pushteti korrupton, qëndrimi i gjatë në pushtet korrupton akoma dhe më shumë. Ne nuk duhet ta ushqejmë këtë premise klasike korrupsioni me ligj organik. Përveçse në kundërshtim me këtë parim, projektligji siç është paraqitur ka rënë në një paradoks; ai nuk kopjon as përvojën e vendeve demokratike, e as nuk reflekton përvojën direkte të akumualuar në Shqipëri.

Dhoma zgjedhore i ben apel ligjvënësve shqiptarë që të ri-adoptojnë në këtë projektligj kufizimin e mandateve si të vetmen rezultante logjike që buron si nga përvoja e vendeve demokratike por siç diktohet fuqimisht edhe nga përvoja dhe konteksti i hidhur shqiptar. Asnjë qasje tjetër nuk do çonte në drejtimin e duhur.

Dhoma Zgjedhore rekomandon me forcë që pika 2 e nenit 59 të kthehet në versionin origjinal dhe të jetë: “Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 2 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë”

Me respekt dhe konsideratë

Anëtarët e Dhomës Zgjedhore

SHKARKO KETU DEKLARATEN E FIRMOSUR


 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim