Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të      ligjit nr.8561, datë  22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të       ligjit nr.10 355, datë  2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e  ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Vora by-pass”, Tiranë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 7 037 (shtatë mijë e tridhjetë e shtatë) m2, tokë arë, me vlerë 3 982 942 (tre milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e dyzet e dy) lekë, dhe objekt (magazinë), me vlerë         2 061 861 (dy milionë e gjashtëdhjetë e një mijë  e tetëqind e gjashtëdhjetë e një) lekë, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej         6 044 803 (gjashtë milionë e dyzet e katër mijë e tetëqind e tre) lekësh.

4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 312 000 (treqind e dymbëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 044 803 (gjashtë milionë e dyzet e katër mijë e tetëqind e tre) lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2011, zëri “Investime”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.

6. Shpronësimi të fillojë më 6.12.2011 dhe të përfundojë më 30.12.2011.

7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi,  të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë të rifreskuar brenda afateve ligjore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

8. Lidhur me objektin, pronari i tij do të likuidohet pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit, si dhe pasi të ketë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë, lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, pranë DPRR-së.

9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve sipas pikave 6 dhe 7, të këtij vendimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë.

10. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat treguese të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë,  për zbatimin e këtij  vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren  zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

06/12/2011

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim