Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 65, të ligjit nr.9920,             datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.55, datë 3.2.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Në shkronjën “a”, të pikës 1, shtohen nënndarjet “v”, “vi” dhe “vii”, si dhe paragrafi, si më poshtë vijon:

“v) e deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël;
vi) listëpagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi;

 

vii) pasqyrës të të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe të të larguarve nga puna;

Forma dhe përmbajtja e listëpagesës dhe pasqyrës për deklarimin e ndryshimeve të numrit të punonjësve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.

1. Pas pikës 5 shtohen pikat 5.1; 5.2; 5.3; 5.4; 5,5; dhe 5.6,  me këtë përmbajtje:

“5.1. Subjektet , e përmendura në  pikat  2, 3, 4 dhe 5, të këtij vendimi, janë të detyruara të paraqesin listëpagesën dhe pasqyrën për deklarimin e ndryshimeve të numrit të punonjësve, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 janar 2012, sipas afateve ligjore.

5.2. Subjektet e tjera, të papërmendura në pikat 2, 3, 4 dhe 5, të këtij vendimi, janë të detyruara të paraqesin deklaratat dhe dokumentet tatimore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 janar 2012, sipas afateve ligjore.

5.3. Subjektet, që janë të detyruara të deklarojnë dhe të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duhet të dorëzojnë në organet tatimore, brenda afateve ligjore edhe në formë shkresore, listëpagesat dhe të dhënat për ndryshimin e numrit të punonjësve për        6 (gjashtë) muajt e parë, të vitit 2012. Për këto 6 (gjashtë) muaj, për efekt të zbatimit të afateve të deklarimit, do të vlerësohet dokumenti i dorëzuar apo i deklaruar më i pari në organin tatimor.

5.4.  Për identifikimin e punonjësve, që deklarohen në listëpagesë, të përdoret numri personal sipas ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin e shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar.

Ministria e Financave, Ministria i Shëndetësisë, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me udhëzime të përbashkëta të përcaktojnë rregullat e komunikimit on-line për përdorimin e bazës  të të dhënave për numrin e identitetit të shtetasve.

5.5. Në zbatim të këtij vendimi, Ministria e Financave, Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, Ministria e Brendshme, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar i Certifikimit Elektronik, në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe në mënyrë të pavarur sipas përkatësisë, të përcaktojnë nomenklaturën e procedurat për shkëmbimin e të dhënave, certifikimin dhe transmetimin elektronik të tyre, rregullat e përpunimit të të dhënave, si dhe të ruajtjes në regjistra elektronikë të historikut të kontributeve të paguara dhe të fondit të pagave, për çdo subjekt dhe person kontributpagues, sipas muajve.

5.6.  Me fillimin e zbatimit të këtij vendimi, organet tatimore dërgojnë në organet e sigurimeve shoqërore dhe të sigurimeve të kujdesit shëndetësor, në mënyrë periodike, të dhënat e listëpagesës, në total dhe për çdo individ, vetëm në format elektronik dhe vetëm pasi shuma e detyrimeve që ajo përmban të jetë paguar plotësisht nga subjekti përkatës.”.

2. Pas pikës 7 shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:

“8. Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për zbatimin e këtij vendimi, të nxjerrin udhëzime të përbashkëta dhe të veçanta me rregullat për zbatimin e detyrave përkatëse.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

14/12/2011

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim