Nga GERTI SHELLA – E përfshirë prej më shumë se një muaji nga thriller-i politik “Doshi”, media la jashtë mbulimi një lajm i cili në kushte të tjera do kishte krijuar një thriller më vete. Në përgjigje të një kërkese bazuar në ligjin e ri “Për të drejtën e informimit” (119/2014),  Prokuroria e Përgjithshme bëri publik informacionin statistikor të përgjimeve të realizuara prej saj në tre vitet e fundit.

Sipas dokumentit të përpiluar nga Prokuroria , masat e mbikqyrjes operacionale janë autorizuar për 689 çështje dhe në lidhje me 3140 individë në vitin 2014, 3112 individë në vitin 2013 dhe 2315 në vitin 2012. Në total, gjatë tre viteve të fundit, nëpër kufjet e përgjimit të organit të akuzës kanë kaluar jetët e 8567 shqiptarëve.

Nuk ka asnjë të dhënë se sa prej këtyre përgjimeve janë përdorur si provë e organit të akuzës në gjykatë dhe kjo mund të jetë kërkesa e rradhës për informim që mund të depozitohet në Prokurorinë e Përgjithshme, tashmë që u provua se instrumenti ligjor për kërkimi informacioni funksionon. Ligji 119/2014 ka filluar të japë frutet e para dhe jo me informacion dosido, por me zbardhen e shifrës së përgjimeve ndaj qytetarëve shqiptarë nga Prokuroria, organi që ruajtjen e sekretit hetimor e ka në thelbin e funksionimit të vet. Një goditje e shkëlqyer, direkt në zëmrën e “kulturës së sekretit”.

Sipas kërkesave të ligjit të ri 119/2014, brenda Prillit të këtij viti, Prokuroria dhe çdo institucion tjetër publik duhet të adoptojnë programet e tyre të transparencës, ku të parashikojnë edhe informacionet që duhen bërë publik pa kërkesë, pra në mënyrë proaktive. E nëse kjo nuk ndodh, atëherë Prokurori i Përgjithshmëm dhe cilido shef institucioni mund të dënohet me gjobë  nga 50 000 deri në 100 000 lekë, konform sanksioneve që parashikon ligji për këto raste.

Në gjithë historinë një shekullore të shtetit shqiptar, qytetarët nuk kanë patur kurrë një armë kaq të fuqishme në dispozicion të tyre. Granacite kushtetuese kane nje shans real te implementohen me ne fund pas 17 vjetesh. Kurrë më parë Transparenca dhe aktivizimi i saj përmes instrumentit ligjor efikas nuk ka përbërë një “kërcënim” kaq imediat për hijet dhe errësirrën në të cilat strukturat shtetërore kanë qejf të fshihen apo të lëvizin.

Ligji i ri shqiptar për të drejtën e informimit erdhi pas një përpjekjeje pothuajse 9 vjecarë të shoqërisë civile dhe një mbështetjeje konstante dhënë nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur (Soros). Një finale e shkëlqyer pas shumë dështimesh, një fitore epike, pothuajse si e Gjergj Elez Alizë (me 9 plagë në trup) ndaj katallanit të zi që imponohet me friken që prodhon vetëm e panjohura. Metaforat mund të jenë shumë, por fitorja dhe merita kulmojnë sigurisht në një emër.  Shoqëria e Hapur në Shqipëri ka tashmë një armë të fuqishme për t’u përballur me errësirën e pushtetit.

Ligji i ri “për të drejtën e informimit” sigurisht ka shumë rrugë për t’u implementuar në të gjithë përmasën e vet. Kjo është tashmë beteja tjetër që duhet fituar. Megjithatë, avantazhet e tij si akt juridik në vetvete, krahasuar me ligjin e vjetër janë si nata me ditën. Rrjedhimisht dhe potenciali për të prodhuar transparencë është i shumëfishuar krahasuar me ligjin e vjetër 8503, të abroguar tashmë nga Kuvendi me hyrjen në fuqi të ligjit të ri 119/2014.

Në një studim të ndërmarrë së fundmi në fushën e të Drejtës së Informimit në Shqipëri, INFOCIP ka përdorur 50 indikatorë për të matur ndryshimin e krijuar dhe rezultati i dalë është impresionues. Nga 500 pikë në total (vlerësim deri në 10 për çdo indikator), aktualisht Shqipëria grumbullon rreth 300 pikë, krahasuar me vetëm 90 që i siguronte legjislacioni i vjetër (vlerësuar dhe ky me të njëjtin set indikatorësh). Ky është një hap gjigant përpara në fushën e të Drejtës së Informimit. Studimi, pritet të botohet së shpejti në serinë e botimeve për të Drejtën e Informimit në Botë, komisionuar nga Banka Botërore.

Me implementimin e ligjit të ri, falë edhe masave që po merren nga Komisioneri për të Drejtën e  Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Besinik Dervishi), Shqipëria pritet t’i shtohet shumë shpejt vendeve që tentojnë të lënë pas kulturën e sekretit në administratën shtetërore. Avantazhet e ligjit të ri janë befasuese dhe për më optimistët. Sipas një vlerësimi të bërë nga freedominfo.org, një organizatë me ndikim global në fushën e të drejtës për informim, ligji i ri shqiptar mbart ndryshime që konsiderohen shumë pozitive. Koha për të marrë një përgjigje, nga 40 ditë është reduktuar vetëm në 10 ditë punë; mjaft informacione (lista parashikohet qartësisht në ligj) tashmë bëhen publike pa kërkese në faqen zyrtare të institucioneve. Për herë të parë caktohet një trupë mbikqyrëse me fuqi të konsiderueshme për të detyruar dhënien e informacionit subjekteve të interesuar. Personat përgjegjëspër dhënien e informacionit janë të përcaktuar po në ligj dhe një kapitull i detajuar sanksionesh aplikohet në rast të mos-përmbyshjes së detyrimeve ligjore.

Nëse i kthehemi edhe njëherë skandaleve me video-përgjime që kanë arritur kulmin e tyre në javën që lamë pas, kushdo është i legjitimuar sot të kërkojë informacion nga Kuvendi, lidhur me çështje që mund t’i interesojnë. Këto kërkesa jo vetëm që duhen marrë parasysh, por, kryetari i Kuvendit (ose cilido titullar tjetër) janë të detyruar të publikojnë në një regjistër të posaçëm edhe përgjigjen që është dhënë, konform kërkesave të ligjit 119/2014. Kjo mund të ishte një përpjekje alternative e ndërmarrë nga media dhe nga cilido qytetar që sot po mundohet të kuptojë atë që kulisat e mbajnë të fshehur. Kjo është një e drejtë  kushtetuese dhe ligjore që garantohet sot më së miri, edhe për dokumantacion në format dixhital, audio-video etj. Është koha për të vënë në provë cilindo…

 

shkrim i botuar nga Revista JAVA

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim