LIGJ
Nr.9861, datë 24.1.2008

PËR KONTROLLIN DHE MBIKËQYRJEN E KUFIRIT SHTETËROR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1
Përmbajtja e ligjit

Me këtë ligj rregullohen kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit shtetëror, misioni i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, bashkëpunimi policor ndërkufitar, bashkëpunimi brenda strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimi me agjenci të tjera, të cilat kanë detyrime ligjore për sigurinë në kufi.

 

Neni 2
Fusha e zbatimit

Subjekt i këtij ligji janë personat, të cilët kalojnë kufirin shtetëror, si dhe ata që lëvizin përgjatë/ose në kufirin shtetëror.
Ky ligj respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të vendosura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pa cenuar të drejtat e personave, që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, duke respektuar parimin e moskthimit.

 

Neni 3
Kufiri shtetëror

Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Kuvendi, si dhe të traktateve, dypalëshe ose shumëpalëshe, të lidhura me vendet e tjera.

 

Neni 4
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Vija e kufirit” është një bashkësi pikash, të përcaktuara sipas sistemit koordinativ shtetëror, përgjatë të cilave zgjatet kufiri shtetëror.
2. “Kufiri shtetëror” (më poshtë kufiri) është vija, e cila ndan territorin tokësor, ujërat e brendshme e territoriale dhe nëntokën e Republikës së Shqipërisë me shtetet fqinje, si edhe kufiri në territorin e pikave të kalimit kufitar, në aeroporte, aerodrome, porte detare, lumore, liqenore, nëpërmjet të cilave kryhet transporti ndërkombëtar.
3. “Menaxhimi i kufirit” është veprimtaria që kryhet në kufi, në përputhje me këtë ligj, si reagim ndaj një qëllimi për të kaluar apo aktit të kalimit të kufirit, që nënkupton kontrollet kufitare dhe mbikëqyrjen e kufirit.
4. “Pikë e kalimit kufitar” është vendi i autorizuar nga autoritetet kompetente, ku kategori të caktuara personash mund të kalojnë kufirin gjatë orarit zyrtar të punës.
5. “Kontrollet kufitare” janë kontrollet e kryera në çdo vend të kufirit, për t’u siguruar se personat, përfshirë mjetet e tyre të transportit dhe objektet që kanë me vete, plotësojnë kushtet për të hyrë apo dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë.
6. “Mbikëqyrja e kufirit” është mbikëqyrja e kufirit ndërmjet pikave të kalimit kufitar, mbikëqyrja e pikave të kalimit kufitar jashtë orarit zyrtar të punës, si dhe mbikëqyrja e lëvizjeve përgjatë ose në kufi, që bëhet për të shmangur mundësinë, që dikush të anashkalojë kontrollin kufitar gjatë kalimit të kufirit.
7. “Kontroll kufitar në thellësi” është kontrolli, i cili kryhet nga Policia Kufitare dhe të Migracionit, për shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që kanë kaluar kufirin, në një mjedis apo vend tjetër, në thellësi të territorit, jashtë vendeve të kontrollit të detyrueshëm kufitar.
8. “Kalim i kufirit shtetëror” është çdo lëvizje e njerëzve, e gjësë së gjallë, e sendeve vetjake dhe e mjeteve nëpërmjet kufirit.
9. “Punonjësi i Policisë Kufitare dhe të Migracionit” është punonjësi i Policisë së Shtetit, në strukturat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, i ngarkuar me detyra për menaxhimin e kufirit, në përputhje me këtë ligj dhe me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në zbatim të tij.
10. “Sistemi i Informacionit të Kontrollit të Kufirit, SIKK” (pjesë e sistemit TIMS) është sistemi, ku administrohen të gjitha të dhënat në pikën e kalimit kufitar.
11. “Zona e kontrollit kufitar në pikën e kalimit kufitar” (më poshtë zonë kontrolli) përcaktohet veçmas për çdo pikë kalimi kufitar, sipas një vendimi të marrë nga autoriteti vendor përkatës i Policisë Kufitare dhe të Migracionit dhe vlerësohet:
a) Në pikën e kalimit kufitar ajror:
i) territori nga kabina e kontrollit, salla e transitit, përfshirë edhe vendqëndrimin e avionëve (VQA), për daljen nga kufiri;
ii) territori nga VQA-ja deri te dalja jashtë kabinës së kontrollit, për hyrjen në kufi.
b) Në pikën e kalimit kufitar detar:
i) territori nga kabina e kontrollit të shtetasve dhe mjeteve, kalata e përpunimit të trageteve dhe anijeve, përfshirë edhe radën e jashtme, ku qëndrojnë anijet.
c) Në pikën e kalimit kufitar liqenor:
i) territori nga kabina e përpunimit të pasagjerëve dhe të automjeteve, kalata e përpunimit të trageteve dhe anijeve, përfshirë edhe hapësirën ujore në radën e brendshme e të jashtme, ku qëndrojnë anijet.
ç) Në pikën e kalimit kufitar lumor:
i) territori nga kabina e kontrollit të shtetasve dhe mjeteve, përfshirë dhe kalatën e përpunimit të trageteve dhe anijeve, deri në vijën e kufirit.
d) Në pikën e kalimit kufitar tokësor:
i) territori nga vendi ku është vendosur rrethimi prej autoriteteve të Policisë Kufitare dhe të Migr acionit deri në vijën e kufirit.
dh) Në pikën e kalimit kufitar hekurudhor:
i) territori në pikën e kontrollit dhe/ose të përpunimit të trenit deri në vijën e kufirit, si dhe treni në lëvizje, nga stacioni në hyrje dhe në dalje, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.
12. “Operator” është:
a) personi fizik ose juridik, pronar ose përdorues i aeroportit apo i aerodromit (operatori i aeroportit);
b) administrata portuale e portit detar dhe e porteve të ujërave të brendshme, që drejton zonën portuale (operatori i portit);
c) personi fizik ose juridik, i cili furnizon në transportin hekurudhor, domethënë në agregatet hekurudhore stabël (operatori hekurudhor).
Operatori vepron për sigurimin dhe mirëmbajtjen e objekteve dhe të mjediseve, si dhe për përballimin e shpenzimeve, që lindin gjatë ndërtimit dhe mirëmbajtjes së mjediseve të lartpërmendura, të domosdoshme për kryerjen me efikasitet të kontrollit kufitar.
13. “Anije turistike” është anija që ndjek një itinerar, në përputhje me një program të caktuar, i cili përfshin veprimtari të ndryshme turistike, në ujërat e brendshme dhe territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe që, normalisht, nuk merr pasagjerë e nuk lejon pasagjerët e vet të zbresin gjatë udhëtimit.
14. “Lundrim argëtues” është përdorimi i varkave për qëllime sportive apo turistike.
15. “Peshkim bregdetar” është peshkimi i kryer me anë të mjeteve lundruese, të cilat kthehen çdo ditë në një port, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
16. “Linjë e rregullt me traget” është çdo linjë trageti, mes dy apo më shumë portesh, në territorin e Republikës së Shqipërisë apo me porte të shteteve të tjera, pa ndalesa jashtë këtyre porteve, që transporton pasagjerë dhe automjete, sipas një orari të caktuar.

 

KREU II
AUTORITETI DHE KOMPETENCAT PËR KONTROLLIN E MBIKËQYRJEN E KUFIRIT

 

Neni 5
Autoriteti që kontrollon e mbikëqyr kufirin

1. Kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit janë kompetencë e Ministrisë së Brendshme.
2. Detyrat e kontrollit dhe të mbikëqyrjes së kufirit i kryen Policia Kufitare dhe e Migracionit, e cila vepron sipas detyrave që i përcakton ky ligj dhe përgjegjësive, që rrjedhin nga akte të tjera ligjore dhe nënligjore.
3. Policisë Kufitare dhe të Migracionit i vihen në dispozicion personel, burime financiare, pajisje dhe teknologji, të nevojshme për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, në mënyrë që të sigurohet në vazhdimësi një nivel profesional i specializuar dhe efikas për kryerjen e shërbimeve.
4. Policia Kufitare dhe e Migracionit bashkëpunon ngushtë dhe në mënyrë të vazhdueshme me shërbimet e tjera të Policisë së Shtetit dhe me subjektet e tjera, që kryejnë veprimtari në pikat e kalimit kufitar.

 

Neni 6
Misioni i Policisë Kufitare dhe të Migracionit në kufi

Policia Kufitare dhe e Migracionit, në zbatim të parimeve kushtetuese të këtij ligji dhe të akteve ligjore dhe nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, ka për mision:
1. Kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të personave, si dhe për parandalimin e migracionit të paligjshëm.
2. Marrjen e masave për ndalimin e personave, që kryejnë veprimtari të kundërligjshme nëpërmjet kufirit, si dhe të personave të kërkuar; bllokimin e mjeteve dhe të mallrave, që hyjnë ose dalin në mënyrë të kundërligjshme dhe, kur ka dyshime apo vihet në dijeni për shkelje të dispozitave të Kodit Doganor, njofton menjëherë zyrën doganore.
3. Zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare, marrëveshjet dy apo shumëpalëshe. Gjithashtu realizon takime me organet homologe të shteteve fqinje dhe të vendeve të tjera, për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta dhe për shkëmbimin e të dhënave, në interes të zbatimit të tyre.
4. Grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave, në interes të shërbimit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, si dhe të kalimit të tij. Kur dyshon ose ka informacion paraprak, kryen kontroll vetjak, fizik dhe të imët të personave, mallrave, bagazheve e mjeteve.
5. Në pikat e kalimit kufitar u kërkon shtetasve shqiptarë dhe të huaj zbatimin e rregullave të kontrollit dhe respektimin e procedurave të intervistimit, që kanë të bëjnë me kalimin e kufirit, sipas kritereve të përcaktuara nga ky ligj dhe nga akte nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij.
6. Kryen detyra dhe zbaton masa për hyrjen, qëndrimin, trajtimin dhe kontrollin e të huajve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 7
Kompetencat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit në thellësi

Në zbatim të këtij ligji dhe në kuadër të luftës kundër trafiqeve, për parandalimin e kalimeve të paligjshme të kufirit dhe për kontrollin e të huajve, Policia Kufitare dhe e Migracionit i shtrin kompetencat edhe në brendësi të territorit, duke bërë:
a) kontrolle dhe duke zbatuar masa për zbulimin e hyrjes dhe të qëndrimit të paligjshëm të shtetasve të huaj e të personave, që organizojnë trafik në drejtim të kufirit;
b) në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, ushtron kontrollin e personave, të sendeve dhe mjeteve të udhëtimit, në rrugë tokësore, larg pikave të kalimit kufitar, për ndalimin e hyrjes dhe të qëndrimit të tyre të paligjshëm në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 8
Krijimi i kushteve për menaxhimin e kufirit

1. Në zbatim të këtij ligji, Policia Kufitare dhe e Migracionit autorizohet të vendosë dhe të përdorë mjete teknike dhe qen shërbimi për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, si dhe të vendosë pengesa për të bërë të pamundur kalimin e paligjshëm të tij.
2. Pronarët ose administratorët e tokave pranë vijës së kufirit detyrohen të lejojnë kalimin pa pengesë të Policisë Kufitare dhe të Migracionit, për të bërë, rregullisht, vëzhgimin e kufirit, kryerjen e punimeve dhe për mirëmbajtjen e shenjave kufitare përgjatë kufirit.
3. Policia Kufitare dhe e Migracionit lejohet të lëvizë në këto toka, kur kjo është e nevojshme, për të kryer mbikëqyrjen e kufirit, pavarësisht nga dispozitat e urdhëresave të tjera.

 

KREU III
PARAQITJA DHE MIRËMBAJTJA E VIJËS SË KUFIRIT

 

Neni 9
Përcaktimi, shënjimi dhe rregullimi i vijës së kufirit

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, për zbatimin e politikës kufitare, së bashku edhe me organet përkatëse të shteteve fqinje, kryen punë, që kanë të bëjnë me saktësimin e vijës së kufirit, si dhe bën përgatitjet e duhura për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për kufirin.
Policia Kufitare dhe e Migracionit, në bashkëpunim me Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, kryen matje, shënjime, rinovime dhe mirëmbajtje të shenjave kufitare, të përcaktuara në kufi, si dhe përgatit dokumentet për kufirin.

 

Neni 10
Sinjalet, tabelat dhe shenjat dalluese gjatë vijës së kufirit

1. Në drejtimet, që të shpien në pikat e kalimit kufitar, vendosen tabela paralajmëruese, të cilat tregojnë përkatësinë e Republikës së Shqipërisë dhe, sipas kërkesave, edhe për shtetet fqinje.
2. Nëse vija e kufirit nuk është e dukshme, në rrugë tokësore dhe në linjat e tjera të komunikacionit vendosen tabela të veçanta me mbishkrime e sinjalizime, të cilat njoftojnë afrimin drejt vijës së kufirit.
3. Policia Kufitare dhe e Migracionit, në bashkëpunim me Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, vendos tabela të veçanta me mbishkrime dhe sinjalizime.
4. Mbi tabelat e veçanta me mbishkrime dhe sinjalizime nuk lejohet të vendosen tabela ose sinjalizime të tjera, të cilat do të zvogëlonin dukshmërinë e tabelës ose të sinjalizimit, me të cilin publiku informohet për vijën e kufirit.

 

Neni 11
Pamja e vijës së kufirit dhe ndalimi i veprimtarive

1. Në qoftë se nuk është parashikuar ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare, Policia Kufitare dhe e Migracionit, në bashkëpunim me Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, kujdeset për sigurimin e pamjes së vijës së kufirit, e cila, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të jetë e pastruar nga pemët e larta, shkurret etj., të cilat zvogëlojnë pamjen e shenjave kufitare ose zgjatimin e vijës së kufirit.
2. Me vendim të Këshillit të Ministrave, për shkaqe sigurie, mund të ndalohet lundrimi, peshkimi, kalimi ose qëndrimi i avionëve dhe i pajisjeve të tjera fluturuese e lëvizëse pranë vijës së kufirit. Në vendim përcaktohen edhe arsyet dhe kohëzgjatja e këtij ndalimi.
3. Për shkak të dukshmërisë së vijës së kufirit, Ministri i Brendshëm i propozon KRRTRSH-së marrjen e masave konkrete për ndalimin e ndërtimit të objekteve ose organeve përkatëse mbjelljen apo kultivimin e llojeve të veçanta kulturash bujqësore, drurësh ose pemësh përgjatë vijës së kufirit.
4. Në procedurën e miratimit të planit rregullues të prefekturës, nëpërmjet të cilit rregullohet hapësira, e cila shtrihet deri në 50 metra larg vijës së kufirit, në përputhje me ligjin përkatës, kërkohet miratim nga Ministri i Brendshëm.

 

Neni 12
Cenimet dhe incidentet në kufi

1. Cenime të kufirit janë incidentet kufitare dhe cenimet e tjera të kufirit shtetëror.
2. Incidentet kufitare janë veprimtari të organeve të shteteve të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat, me marrëveshje ndërkombëtare ose nga legjislacioni i brendshëm, nuk lejohen ose ndalohen, si dhe çdo shkelje tjetër e pacenueshmërisë së kufirit, që bëjnë punonjësit shtetërorë ose vendorë të shteteve fqinje.
3. Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, verifikon dhe zgjidh incidentet kufitare.
4. Ministria e Brendshme verifikon e zgjidh cenimet e tjera të kufirit, duke vënë në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

KREU IV
KALIMI I KUFIRIT DHE PIKAT E KALIMIT KUFITAR

 

Neni 13
Kalimi i kufirit

1. Kalimi i kufirit bëhet vetëm në pikat e kalimit kufitar, brenda orarit të caktuar, me dokumente të vlefshme udhëtimi apo me dokumente që autorizojnë kalimin e kufirit; me një vizë të vlefshme, nëse kërkohet, përveç kur disponohet një lejeqëndrimi e vlefshme; kur justifikohet qëllimi dhe rrethanat e qëndrimit të planifikuar dhe kur disponon mjete të mjaftueshme financiare; kur për personin nuk ka të dhëna në sistemin e të dhënave; kur nuk përbën kërcënim ndaj rendit dhe sigurisë publike dhe shëndetit publik apo ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare me shtetet e tjera.
2. Dokumente të rregullta udhëtimi janë dokumentet, të cilat njihen të tilla nga legjislacioni ynë, si dhe ato që përcaktohen në marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
3. Në përjashtim nga rregulli i përmendur në pikën 1 të këtij neni, në rast të ndonjë force madhore ose nëse është përcaktuar me marrëveshje ndërkombëtare, kufiri mund të kalohet kurdoherë dhe në çfarëdo vendi, duke lajmëruar menjëherë Policinë Kufitare dhe të Migracionit.

 

Neni 14
Dokumenti kufitar

1. Përveç kur nuk parashikohet ndryshe në marrëveshjet ndërkombëtare, për nevoja të veçanta, të cilat nuk bien në kundërshtim me interesat publikë, Policia Kufitare dhe e Migracionit shqyrton kërkesën e një personi apo të një grupi personash dhe miraton dokumentin për kalimin e kufirit, jashtë kushteve të vendosura në pikën 1 të nenit 13 të këtij ligji.
2. Dokumenti kufitar jepet për një afat kohor deri në një vit.
3. Lëshimi i dokumentit kufitar bëhet nga autoriteti përgjegjës për dhënien e pasaportave të shtetasve.
4. Policia Kufitare dhe e Migracionit ia heq personit të drejtën e përdorimit të dokumentit kufitar, të dhënë sipas këtij neni, nëse vëren se dokumenti është keqpërdorur, nuk përdoret apo kanë pushuar së ekzistuari arsyet, për të cilat është lëshuar.

 

Neni 15
Pikat e kalimit kufitar

1. Pikat e kalimit kufitar janë vendet e kalimit të kufirit nëpërmjet rrugës automobilistike, hekurudhore, ajrit, detit, lumenjve dhe liqeneve, të përhershme ose të përkohshme, ku kryhen kontrolle të plota.
2. Pikat e kalimit kufitar janë të hapura për qarkullimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar.
3. Pikat e kalimit kufitar hapen dhe përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në vendim parashikohen vendi, ku do të hapet pika e kalimit kufitar, lloji (kategoria) dhe orari i funksionimit.
4. Pikat e kalimit kufitar ndahen sipas rëndësisë dhe veprimtarisë në:
a) pika për komunikacion ndërkombëtar të shtetasve, të mjeteve dhe mallrave;
b) pika për komunikacion ndërkombëtar të shtetasve;
c) pika për komunikacion ndërkufitar;
ç) pika bujqësore dhe blegtorale.

 

Neni 16
Pikat e përkohshme të kalimit kufitar

1. Kur është e nevojshme, me vendim të Këshillit të Ministrave, hapen pika të kalimit kufitar, të përkohshme, pasi është marrë paraprakisht miratimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i ministrive të interesuara, si dhe i organit përkatës të shtetit fqinj për veprimtari të tilla, si:
a) veprimtari kulturore, fetare, shkencore, profesionale dhe turistike;
b) kërkesë për rirregullimin e qarkullimit të vogël kufitar;
c) veprimtari, që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjeve ndërkufitare;
ç) veprimtari bujqësore, blegtorale apo veprimtari të tjera ekonomike.
2. Pika e përkohshme e kalimit kufitar mund të qëndrojë e hapur deri në tre muaj në një vit kalendarik.
3. Në urdhrin për përcaktimin e pikës së përkohshme të kalimit kufitar parashikohen:
a) vendi, koha dhe mënyra e kalimit të kufirit;
b) shpenzimet e mirëmbajtjes dhe të punës së pikës së përkohshme të kalimit kufitar, të cilat përballohen nga paraqitësi i kërkesës për hapjen e kësaj pike.

 

Neni 17
Detyrimet e operatorit në pikën e kalimit kufitar

Operatorët e pikës së kalimit kufitar kanë këto detyra:
1. Përgatisin kushtet për funksionimin e pikës së kalimit kufitar, në mënyrë që të mundësojnë kontrollin, sa më të efektshëm dhe të sigurt, në përputhje me standardet dhe kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Kryejnë pa ndërprerje, me mjete të përshtatshme, kontrollin kufitar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
3. Sigurojnë në pikën e kalimit kufitar, ku kryhet qarkullim ndërkombëtar, mjedise të ndara për udhëtarët që dalin, nga ato të udhëtarëve që hyjnë në Republikën e Shqipërisë; krijojnë kushte për të ushtruar ndaras kontrollin kufitar të shtetasve këmbësorë nga shtetasit që udhëtojnë me automjete, si dhe një mjedis për qëndrimin e të huajve, që nuk përmbushin kushtet për hyrjen në vend, sipas dispozitave të rregulluara me ligj të veçantë.
4. Përballojnë shpenzimet e vendosjes e të mirëmbajtjes së objekteve dhe të mjediseve të lartpërmendura, si dhe shpenzimet e tjera, në zbatim të dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 18
Shënimi i pikave të kalimit kufitar dhe i zonës së kontrollit

1. Pikat e kalimit kufitar dhe zonat përkatëse të tyre të kontrollit shënohen me shenja të veçanta dhe me sinjalizime të tjera.
2. Me propozimin e Policisë Kufitare dhe të Migracionit dhe të agjencive të tjera që veprojnë në kufi, operatorët miratojnë dhe mirëmbajnë shenjat e sinjalizimet e propozuara, si dhe sinjalizimet e tjera, të vëna në zbatim të këtij ligji.
3. Policia Kufitare dhe e Migracionit përcakton zonën e kontrollit kufitar përreth pikës së kalimit kufitar, si dhe rregullat e qëndrimit në të.

 

Neni 19
Ndërtimi dhe v endosja e objekteve në zonën e kontrollit

1. Ministri i Brendshëm miraton ndërtimin, vendosjen ose ndryshimin e destinacionit të një objekti në zonën e kontrollit të pikave të kalimit kufitar, si dhe mënyrën e realizimit të tij, me kusht që projekti të mos pengojë kryerjen e kontrollit kufitar dhe zbatimin e masave të sigurisë.
2. Ministri i Brendshëm mund t’u kërkojë autoriteteve përkatëse heqjen e lejes së dhënë, nëse gjatë ndërtimit pengohet funksionimi normal i pikës së kalimit kufitar.

 

Neni 20
Lëvizja dhe qëndrimi në zonën e kontrollit

Në zonën e kontrollit të pikës së kalimit kufitar lejohen lëvizja dhe qëndrimi i personave, i mjeteve e i mallrave që kalojnë kufirin, për arsye kontrolli kufitar, si dhe i personave apo i mjeteve që kanë autorizim nga organet përkatëse.

 

Neni 21
Detyrat e personelit që vepron në zonën e kontrollit

1. Operatori, personat e tjerë fizikë dhe juridikë, që zhvillojnë veprimtari ekonomike në zonën e kontrollit të pikës së kalimit kufitar, i paraqesin Policisë Kufitare dhe të Migracionit, përpara fillimit të veprimtarisë, listën me të dhënat personale të të punësuarve.
2. Pas miratimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, subjektet, për të cilat flitet në pikën 1 të këtij neni, me shpenzimet e veta, pajisin me karta identifikimi këta të punësuar (badges), të cilët janë të detyruar t’i mbajnë ato në vende të dukshme. Forma dhe përmbajtja e kartave përcaktohen nga autoriteti përkatës i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, në bashkëpunim me operatorin.

 

KREU V
MBIKËQYRJA, KONTROLLI KUFITAR DHE PROCEDURAT

 

SEKSIONI I
MBIKËQYRJA DHE KONTROLLI

 

Neni 22
Mbikëqyrja e kufirit

1. Mbikëqyrja e kufirit ka të bëjë me tërësinë e masave të marra për parandalimin e kalimeve të paligjshme të kufirit, parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të tjera të kundërligjshme, që zhvillohen nëpërmjet kufirit.
2. Policia Kufitare dhe e Migracionit mbikëqyr kufirin, duke përdorur njësi fikse dhe të lëvizshme, për të penguar dhe kapur personat që u shmangen kontrolleve në pikën e kalimit kufitar.
3. Policia Kufitare dhe e Migracionit mbikëqyr kufirin, ndërmjet pikave të kalimit kufitar, me njësi dhe metoda, në përshtatje me rreziqet e kërcënimet aktuale apo të pritshme.
4. Policia Kufitare dhe e Migracionit patrullon dhe qëndron në vende, përgjatë vijës së kufirit, që mendohen si të mundshme për kalim të paligjshëm. Për këtë ajo përdor edhe mjete teknike dhe elektronike.

 

Neni 23
Kontrolli kufitar

1. Kontrolli kufitar kryhet normalisht në pikat e kalimit kufitar dhe gjatë të gjithë vijës së kufirit, si dhe në vendin, ku personi kapet duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.
2. Në raste të veçanta, të caktuara me akte nënligjore, në zbatim të këtij ligji, kryhet kontrolli kufitar jashtë zonës së kontrollit të pikave të kalimit kufitar në trena, avionë, anije apo në vende të tjera.
3. Kontrolli kufitar jashtë zonës së kontrollit të pikave të kalimit kufitar, për arsye të veçanta teknike ose shëndetësore, kryhet me kërkesë të udhëtarëve dhe përballohet nga vetë ata.
4. Në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare kryhet kontrolli kufitar i plotë edhe në territorin e shtetit tjetër.
5. Me marrëveshje ndërkombëtare përcaktohen dhe rregullohen zonat e përbashkëta të kontrollit të kalimit kufitar.
6. Policia Kufitare dhe e Migracionit mund të kryejë kontrolle në thellësi për ndalimin e migrimeve të paligjshme.
7. Të gjithë personat që kalojnë kufirin, i nënshtrohen kontrollit kufitar, duke paraqitur dokumentin e udhëtimit për kalimin e kufirit.
8. Përjashtim nga kontrolli kufitar bëhet në raste të veçanta, të përcaktuara me ligj ose me marrëveshje ndërkombëtare.
9. Të gjithë personat u nënshtrohen udhëzimeve dhe urdhrave të Policisë Kufitare dhe të Migracionit gjatë qëndrimit në zonën e kontrollit të pikës së kalimit kufitar.

 

SEKSIONI II
LLOJET E KONTROLLIT KUFITAR

 

Neni 24
Kontrolli minimal i personit

1. Çdo person i nënshtrohet një kontrolli minimal për përcaktimin e identitetit, në bazë të dokumentit të udhëtimit. Ky kontroll minimal ka të bëjë me një verifikim të shpejtë e të drejtpërdrejtë, duke iu drejtuar bazës të së dhënave në SIKK dhe në evidenca, për disponimin e dokumenteve të vjedhura, të falsifikuara, të humbura ose të pavlefshme.
2. Në rast se ka dyshime për identitetin e personit apo për transportimin e objekteve të paligjshme ose nëse dyshohet se personi është i lidhur me kalime të paligjshme të kufirit, përbën rrezik për rendin dhe sigurinë publike, atëherë punonjësi i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, përveç kontrollit minimal, bën kontroll të plotë.

 

Neni 25
Kontrolli i plotë i personit

Kontrolli i plotë përfshin verifikimin e kushteve për kalimin e kufirit, të përcaktuara në pikën 1 të nenit 13 të këtij ligji dhe Policia Kufitare dhe e Migracionit bën:
1. Verifikimin, që personi ka një dokument të vlefshëm për kalimin e kufirit, i cili nuk ka skaduar, ka vizë ose leje qëndrimi, në rast se kërkohet nga legjislacioni në fuqi.
2. Shqyrtimin e plotë të dokumentit të udhëtimit për shenja falsifikimi, ndryshimi apo vlefshmërie.
3. Ekzaminimin e vulave të hyrje/daljes në dokumentin e udhëtimit, për të verifikuar, nëpërmjet krahasimit të datave të hyrjes dhe daljes, se personi nuk e ka shkelur kohëzgjatjen e qëndrimit të autorizuar në territorin e shtetit.
4. Verifikimin për nisjen dhe destinacionin e personit dhe qëllimin e qëndrimit, duke kontrolluar, nëse është e nevojshme, edhe dokumente shtesë.
5. Verifikimin, nëse personi disponon mjete financiare të mjaftueshme për kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit, si dhe për kthimin në vendin e origjinës ose tranzitimin në një vend të tretë, ku ka të drejtë hyrjeje, ose që është në pozitë të tillë, që mundëson arritjen e këtyre mjeteve financiare në mënyrë të ligjshme.
6. Verifikimin se shtetasi, mjeti i tij i transportit dhe sendet që ai transporton nuk përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera, duke u këshilluar me evidencat dhe sistemin e të dhënave.

 

Neni 26
Kontrolli i sendeve dhe i mjeteve të udhëtimit

1. Kontrolli i sendeve përfshin kontrollin e sendeve personale të personit që kalon kufirin.
2. Punonjësi i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, në rast dyshimi për posedimin e sendeve apo të materialeve të ndaluara ose për shkak të vërtetimit të identitetit, i kërkon personit të paraqesë sendet që ka me vete.
3. Kontrolli i mjeteve të udhëtimit përfshin shikimin e brendshëm dhe të jashtëm dhe hetimin e mjetit të udhëtimit, si dhe verifikimin në evidencat përkatëse.
Kur ka dyshime të bazuara se personi në fjalë ka fshehur në mjetin e udhëtimit persona, lëndë, materiale të ndaluara ose sende, të cilat pengojnë verifikimin e identitetit të tij ose të identitetit të udhëtarëve të tjerë, punonjësi i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, në bazë të kompetencave që i njeh ky ligj, bën kontroll më të hollësishëm të mjetit dhe të personave.
4. Punonjësi i Policisë Kufitare dhe të Migracionit dorëzon pranë organeve doganore ose organeve të tjera kompetente, që veprojnë në kufi, mjetet e udhëtimit ose sendet e gjetura gjatë procedurës së kontrollit dhe kërkimit, të cilat nuk përbëjnë objekt për të, sipas procedurave të caktuara.

 

Neni 27
Kontrollet në qarkullimin rrugor

1. Punonjësit e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, gjatë kalimit të kufirit në zonën e kontrollit kryejnë kontroll ndaj personave, pa i nxjerrë nga automjeti.
2. Në rrethana të veçanta, personave mund t’u kërkohet të zbresin nga automjeti.
3. Në çdo rast, i jepet përparësi kontrollit të personave të sëmurë, invalidëve apo grave shtatzëna.
4. Në rast trafiku të rënduar, i jepet përparësi kontrollit të pasagjerëve në autobusët e linjave të rregullta.

 

Neni 28
Kontrollet në qarkullimin hekurudhor

1. Kontrollet në qarkullimin hekurudhor kryhen për pasagjerët dhe për stafin e trenave që kalojnë kufirin, përfshirë trenat e mallrave dhe ato bosh, në platformën e stacionit hekurudhor, përpara nisjes dhe pas mbërritjes së trenit, si dhe nga platforma deri në vijën e kufirit.
Makinistit të trenit, në qarkullimin ndërkombëtar, nuk i lejohet ta ndalë trenin në një zonë të shinave, ndërmjet kufirit dhe pikës së kalimit kufitar, përveç rasteve kur kjo bëhet e nevojshme, për shkak të rregullimit të qarkullimit hekurudhor ose në rast të ndonjë force madhore.
Në rast të qëndrimit në këtë zonë, makinisti njofton menjëherë rajonin më të afërt të Policisë Kufitare dhe të Migracionit, si dhe merr masa emergjente për të penguar largimin e udhëtarëve nga treni.
2. Kontrolli për udhëtarët në trena mund të shtrihet nga stacioni i fundit hekurudhor në dalje deri në stacionin e parë në hyrje, në shtetin fqinj, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

 

Neni 29
Kontrollet e mjeteve të lundrimit

1. Kontrollet e anijeve kryhen në portin e nisjes dhe të mbërritjes, në bord të anijes apo në zonën e caktuar për këtë qëllim, të ndodhur pranë anijes. Me marrëveshje, kontrollet mund të kryhen edhe gjatë kalimit të kufirit në territorin e një vendi tjetër, të nisjes apo të mbërritjes.
2. Anija shqiptare ose e huaj i nënshtrohet kontrollit të kalimit të kufirit dhe kapiteni, ose në mungesë të tij, individi ose shoqëria që përfaqëson pronarin e anijes në të gjitha çështjet, përgatit një listë, në dy kopje, me emrat e ekuipazhit dhe të pasagjerëve, të cilën, në çastin e mbërritjes në port, është i detyruar ta dorëzojë në rajonin e Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Nëse, për arsye të forcës madhore, lista nuk mund të dërgohet në rajon, një kopje i dërgohet postës së kufirit ose autoritetit të anijes, të cilat do ia paraqesin pa vonesë Policisë Kufitare dhe të Migracionit.
3. Kapiteni i anijes shqiptare ose të huaj, në zonën e kontrollit të kalimit të kufirit, njofton Policinë Kufitare dhe të Migracionit për praninë në bord të individëve pa dokumentet e caktuara për kal im kufiri, ose të personit pa biletë e që ka hipur në bord pa leje.
4. Ekuipazhi dhe udhëtarët e anijes shqiptare ose të huaj lejohen të zbresin në tokë vetëm pas përfundimit të procedurave të kontrollit të kalimit të kufirit.
5. Kapitenit të anijes i ndalohet të marrë ose të zbresë në ujërat e brendshme dhe territoriale të Republikës së Shqipërisë persona, të cilët nuk i janë nënshtruar kontrollit në pikën e kalimit kufitar, me përjashtim të rasteve kur kërkohet ndihmë, për shkak të forcave madhore.
6. Kapiteni i anijes njofton menjëherë Policinë Kufitare dhe të Migracionit, nëpërmjet kapitenerisë së portit, kur, për shkaqe të ndryshme, anija ankorohet jashtë zonës së kontrollit të kalimit të kufirit. Kapiteni i mjetit lundrues nuk lejohet të bregëzojë, të marrë ose të zbresë persona, me ose pa dokumentet përkatëse, jashtë zonës së kontrollit kufitar ose atyre të lejuara nga Policia Kufitare dhe e Migracionit për bregëzim.
7. Marinarët e huaj, që ndodhen në bordin e anijeve që mbajnë flamur të huaj, mund të zbresin në port ose të bëjnë vizita në qytet apo në zonat në afërsi të tij, me kërkesën e kapitenit të anijes dhe me leje individuale, të lëshuar në pikën e kalimit kufitar, sipas vlefshmërisë territoriale, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja e lejes.
8. Në rast se ka dyshime se janë kryer vepra penale, që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, apo që kanë të bëjnë me imigracionin e paligjshëm, Policia Kufitare dhe e Migracionit kontrollon anijen brenda ujërave të brendshme dhe territoriale të Republikës së Shqipërisë, që shtrihen përgjatë kufirit.
9. Mjetet lundruese të huaja ushtrojnë veprimtari turistike, sportive, studimore, kërkimore-shkencore dhe veprimtari të tjera të ngjashme në ujërat e brendshme dhe territoriale të Republikës së Shqipërisë, pasi i janë nënshtruar më parë kontrollit të kalimit të kufirit.
10. Leja për ushtrimin e veprimtarisë, e përmendur në pikën 9 të këtij neni, jepet nga titullari i institucionit shtetëror qendror përkatës, ndërsa lejimi i lundrimit bëhet me dijeninë dhe nën kontrollin e Policisë Kufitare dhe të Migracionit.
11. Anijet e peshkimit profesional dhe ato për lundrim argëtues paraqesin pranë Policisë Kufitare dhe të Migracionit kërkesën me shkrim për lundrim, ku përcaktohen ekuipazhi, rajoni i lundrimit dhe koha e qëndrimit. Për këtë kategori, Policia Kufitare dhe e Migracionit kryen kontrolle, në kuadër të analizës së riskut të imigrimit të paligjshëm, kur ka të dhëna ose dyshime të bazuara.
12. Policia Kufitare dhe e Migracionit, jo më vonë se 24 orë para fillimit të gjuetisë apo peshkimit, njoftohet me shkrim për kryerjen e peshkimit, individual ose në grup, në një thellësi deri në 300 metra pranë vijës së kufirit.
13. Në rastet e veprimtarive sportive ndërkombëtare lejohet kalimi transit i mjeteve lundruese, pasi është vënë më parë në dijeni Policia Kufitare dhe e Migracionit për kohën, numrin e mjeteve dhe itinerarin e lëvizjes.

 

Neni 30
Kontrollet e personave në bord në tragete

Kontrollet e personave në bord në tragete kryhen:
për pasagjerët këmbësorë dhe ata në autobusë, individualisht;
për pasagjerët, pa i zbritur nga automjeti;
për drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë dhe për shoqëruesit, në automjet.
Policia Kufitare dhe e Migracionit merr masa që të ketë disa porta kalimi, në mënyrë që të kryhen shpejt kontrolle.
Për të zbuluar imigrantët e paligjshëm, kontrollet bëhen në mjetet e transportit dhe në ngarkesat e mallrat e ngarkuara në mjetet e transportit.
Anëtarët e ekuipazhit të tragetit kontrollohen, në të njëjtën mënyrë, si anëtarët e ekuipazhit të anijeve tregtare.

 

Neni 31
Kontrollet në qarkullimin ajror civil

1. Kontrollet në qarkullimin ajror civil kryhen:
a) në zonën e përcaktuar posaçërisht për këtë punë.
b) në avion, përjashtimisht, në kuadër të analizës së riskut për sigurinë e brendshme dhe emigrimin e paligjshëm.
2. Operatori i aeroportit merr masat e duhura për të parandaluar hyrjen dhe daljen e personave të paautorizuar në/nga zonat e rezervuara ose në/nga zona transit.
3. Në zonën transit nuk kryhen kontrolle, me përjashtim të rastit kur ka të dhëna, në kuadër të analizës së riskut, për cenim të sigurisë së brendshme dhe imigrimin e paligjshëm.
4. Në zonën transit kryhet kontroll ndaj personave, të cilëve u nevojitet një vizë transiti për në aeroport, për të lejuar kalimin në transit.
5. Kur një avion, që fluturon nga një shtet tjetër, ulet në një zonë, që nuk është pikë kalimi kufitar, për shkak të forcës madhore, të një rreziku të mundshëm, me udhëzim të autoriteteve apo pa marrë leje, mund të vazhdojë fluturimin, vetëm pasi të jetë kontrolluar, sipas procedurave normale dhe pasi t’i jetë dhënë autorizim nga Policia Kufitare dhe e Migracionit, si dhe nga dogana.
6. Policia Kufitare dhe e Migracionit kryen kontroll kufitar, sipas procedurave normale, të përmendura në këtë nen, edhe ndaj avionëve privatë, helikopterëve dhe avionëve pa motor. Operatori i aerodromit, ku nuk ka pikë kalimi kufita r, njofton menjëherë Policinë Kufitare dhe të Migracionit, nëse një avion i kësaj kategorie ulet në aerodrom.
7. Në rastet e fluturimeve private, të brendshme, përpara nisjes, kapiteni i komunikon Policisë Kufitare dhe të Migracionit një deklaratë të përgjithshme, ku paraqiten informacioni për identitetet e pasagjerëve dhe plani i fluturimit.

 

Neni 32
Lehtësimet në kontrollin kufitar

Procedurat e kontrolleve kufitare mund të lehtësohen për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të papritura. Të tilla vlerësohen ngjarjet e paparashikueshme, që bëhen shkak për një qarkullim të ngjeshur, sa koha e pritjes në një pikë kalimi kufitar bëhet e tepërt dhe gjatë të cilave shfrytëzohen të gjitha burimet (personeli, pajisjet, ndërtesat dhe organizimi).
Kontrolli kufitar për lëvizjet në pikat hyrëse ka përparësi mbi kontrollin kufitar për lëvizjet në pikat dalëse.
Vendimi për të lehtësuar kontrollet merret nga autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe të Migracionit.
Procedurat lehtësuese gjatë kontrollit kufitar bëhen të përkohshme, me procedura të përshpejtuara, me intervale, në përshtatje me rrethanat që i justifikojnë dhe fillojnë gradualisht. Për këtë, ndërtohen korridore të veçanta përpunimi dhe informacioni, nëpërmjet vendosjes së tabelave e të sinjalizimeve.
Gjatë një situate të tillë bëhet vetëm vulosja e dokumentit të udhëtimit, pa u regjistruar.

 

Neni 33
Kontrollet në kategori të caktuara personash

Bëjnë përjashtim nga kontrolli kufitar kryetarët e shteteve, kryetarët e parlamenteve, kryetarët e qeverive, si dhe homologët e tyre e anëtarët e delegacioneve të tyre, mbërritja dhe largimi i të cilëve është lajmëruar zyrtarisht, nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Bëjnë përjashtim nga kontrolli kufitar mbajtësit e licencës së pilotit ose të certifikatës së ekuipazhit, nëse:
hipin dhe ngjiten në aeroportin e ndalesës ose në aeroportin e mbërritjes, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë;
hyjnë në territorin e aeroportit të ndalesës ose të aeroportit të mbërritjes;
shkojnë, me çfarëdolloj mjeti transporti, në aeroportin në territorin e vendit tonë, në mënyrë që të hipin në një avion, që niset nga ky aeroport.
Anëtarët e ekuipazhit të avionit fluturues i nënshtrohen, me përparësi, kontrollit kufitar, në vende të përcaktuara ose para pasagjerëve.
Anëtarët e ekuipazhit të avionit fluturues, të njohur nga personeli i pikës së kalimit kufitar, mund t’i nënshtrohen kontrolleve të rastësishme.

 

Neni 34
Kontrolli i përfaqësuesve të trupit diplomatik

Mbajtësit e pasaportave zyrtare, diplomatike ose të shërbimit, të lëshuara nga qeveritë e tyre ose nga organizatat e njohura ndërkombëtare, që udhëtojnë për përmbushjen e detyrave të ngarkuara, kanë përparësi dhe gëzojnë favorizime e lehtësi gjatë kontrollit kufitar.
Personit, që mban dokumentet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, nuk i kërkohet të provojë se ka mjete të mjaftueshme financiare për jetesë.
Policia Kufitare dhe e Migracionit i kërkon personit, që pretendon se gëzon privilegje, imunitete dhe përjashtime, të paraqesë prova për statusin e tij, si p.sh pasaportën diplomatike ose të shërbimit, apo dokumente të tjera, që provojnë këtë status.
Lejohen të kalojnë në pikat e kalimit kufitar anëtarët e akredituar të misioneve diplomatike dhe të përfaqësive konsullore, si dhe familjarët e tyre, të pajisur me kartë speciale, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Në rast dyshimesh të mundshme ose paralajmërimesh nga sistemi kombëtar i informacionit, Policia Kufitare dhe e Migracionit njofton instancat eprore dhe merr miratim, përpara se të refuzojë hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 35
Punëtorët ndërkufitarë

Punëtorët ndërkufitarë, gjatë kalimeve të shpeshta në të njëjtën pikë kalimi kufitar, në përmbushje të detyrës, u nënshtrohen kontrolleve të plota, gjatë të cilave paraqesin vetëm dokumentin që i autorizon të kalojnë kufirin.
Përjashtimisht, kur ka paralajmërime nga sistemi kombëtar i informacionit, ata ndalohen të hyjnë në pikën e kalimit kufitar.

 

Neni 36
Të miturit

Të miturit i nënshtrohen, si të rriturit, kontrollit të plotë të dokumenteve. Kontrolli nga punonjësi i Policisë Kufitare dhe i Migracionit bëhet në një zonë të caktuar, posaçërisht për kontrollin e të miturve, të shoqëruar apo të pashoqëruar.
Në rast se nga kontrolli i dokumenteve të të miturit, të shoqëruar nga një person madhor, punonjësi i Policisë Kufitare dhe i Migracionit krijon bindjen se i mituri po i largohet kujdesit prindëror apo të kujdestarit të vet ligjor, atëherë bën hetime të menjëhershme për vlefshmërinë e informacionit të paraqitur.
Kontrollit të plotë të dokumentacionit u nënshtrohen edhe të miturit, që udhëtojnë të pashoqëruar, në mënyrë që të mos largohen pa dëshirën e prindërve apo të kujdestarit.

 

Neni 37
Vendosja e vulave në dokumentet e udhëtimit

Dokumentet e udhëtimit të shtetasve vulosen sistematikisht në hyrje dhe në dalje, në kufi. Në veçanti, vula e hyrjes dhe e daljes vendoset në:
dokumentet me vizë të vlefshme, që u mundësojnë shtetasve kalimin e kufirit;
dokumentet, që u mundësojnë shtetasve kalimin e kufirit, pasi marrin vizë në kufi;
dokumentet, që u mundësojnë shtetasve, të cilëve nuk u duhet vizë për të kaluar kufirin.
Vula do të vihet në cep të vizës, pa cenuar leximin e informacionit apo elementet e sigurisë së vizës, në faqen përballë saj ose në faqen pasardhëse. Ndalohet vendosja e vulës në faqen e fundit (ku janë udhëzimet për përdoruesin e pasaportës), në kopertinën e pasaportës (faqja e brendshme) dhe në pjesën e lexueshme nga makineria (lexuesi i pasaportave).

 

Neni 38
Përjashtim nga vendosja e vulave

Nuk vihen vulat e hyrjes dhe të daljes:
në dokumentet e udhëtimit të kryetarëve të shteteve dhe të personaliteteve, mbërritja e të cilëve lajmërohet zyrtarisht më parë, nëpërmjet kanaleve diplomatike;
në licencat e pilotëve ose certifikatat e ekuipazhit të avionit;
në dokumentet e udhëtimit të detarëve, të pranishëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, vetëm kur anijet e tyre ankorohen dhe në zonën e portit ku ankorohen;
ç) në dokumentin kufitar ose lejen e posaçme, të dhënë shtetasve nga Policia Kufitare dhe e Migracionit për qarkullim vendor;
d) në kartën e identitetit të shtetasve të shteteve që, me vendim të Këshillit të Ministrave, u lejohet hyrja në Republikën e Shqipërisë.
Shtetasit shqiptar, që kalon disa herë brenda ditës në pikën e kalimit kufitar (aty ku është instaluar sistemi TIMS), i vihet vulë vetëm një herë, në dalje-hyrje.

 

Neni 39
Qarkullimi vendor ndërkufitar

Qarkullimi vendor ndërkufitar rregullohet me marrëveshje dypalëshe ndërmjet shteteve fqinje, si një kalim i rregullt i kufirit tokësor, nga banorët e ligjshëm të zonës në afërsi të kufirit. Këtyre personave u krijohen lehtësi gjatë kalimeve të shpeshta. Kështu, atyre:
u lejohet kalimi kur paraqesin dokumentin kufitar ose lejen e posaçme, të dhënë nga Policia Kufitare dhe e Migracionit;
nëse është e nevojshme, mund t’u kërkohet dokumentacioni, që vërteton qëndrimin në zonën në afërsi të kufirit, ose që shpjegon arsyet për kalimin e shpeshtë të kufirit;
u lejohet të kalojnë kufirin jashtë vendndodhjes së pikës së kalimit kufitar, madje edhe jashtë orareve të caktuara.
Këta persona kalojnë kufirin në pikën e kalimit kufitar, në një korsi të veçantë, të krijuar posaçërisht për ta.

 

Neni 40
Hyrja e anëtarit të shërbimeve të huaja të sigurisë

Anëtarit të shërbimeve të huaja të sigurisë i miratohet hyrja në Republikën e Shqipërisë kur:
a) është i veshur me uniformë;
b) është i pajisur me armë, me tytë të shkurtër;
c) automjeti ka targat ose shenjat njohëse të vendit të tij.
Aparati qendror i Policisë Kufitare dhe të Migracionit miraton lejen për hyrjen e anëtarit të shërbimeve të huaja të sigurisë dhe për kalim transit, me kusht që këto lëvizje të mos jenë në kundërshtim me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë. Në aktin e miratimit përcaktohen kushtet e veçanta për hyrje.
Lejohet të hyjë në Republikën e Shqipërisë, edhe pa miratim të veçantë, anëtari i shërbimeve të huaja të sigurisë, i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, që është anëtar i delegacioneve zyrtare ose i delegacioneve të punës, i veshur me uniformë dhe i pajisur me armatim personal, nëse është pjesë përbërëse e uniformës, pas njoftimit, paraprakisht me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme.

 

KREU VI
BASHKËPUNIMI

 


Neni 41
Bashkëpunimi kombëtar me agjencitë që veprojnë në kufi

Policia Kufitare dhe e Migracionit bashkëpunon me institucionet shtetërore, organet e qeverisjes qendrore dhe vendore në territorin ku ajo është vendosur, subjektet e tjera fizike e juridike, si dhe me agjenci të huaja, që veprojnë në vendin tonë e që kanë detyrime ligjore për kufirin.
Format e bashkëpunimit me secilën prej tyre, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, parashikohen me akte normative.

 

Neni 42
Bashkëpunimi ndërkufitar dhe format e tij

1. Bashkëpunimi ndërkufitar përfshin veprimtarinë e shërbimeve të huaja policore në territorin e Republikës së Shqipërisë, ose të shërbimeve policore shqiptare në territorin e huaj, bashkëpunimin e shërbimeve të sigurisë dhe shkëmbimin e oficerëve të kontaktit.
2. Policia Kufitare dhe e Migracionit bashkëpunon me policitë homologe të shteteve fqinje, duke realizuar:
analizën e përbashkët të riskut;
shkëmbimin e informacionit (në nivel vendor dhe qendror);
ngritjen e qendrave të përbashkëta të shkëmbimit të informacionit dhe të analizës së riskut;
ç) shkëmbimin e oficerëve të kontaktit;
d) kontrolle dhe patrullime të përbashkëta (krijimi i patrullave të përbashkëta);
dh) trajnime të përbashkëta të personelit;
e) takime periodike (në nivel qendror e vendor);
ë) ngritjen e pikave të përbashkëta të kontrollit të kufirit;
f) përdorimin e përbashkët të pajisjeve dhe të mjeteve të ndërlidhjes.

 

Neni 43
Analiza e përbashkët e rrezikut

Policia Kufitare dhe e Migracionit, në zbatim të këtij ligji, bën analizën e situatës dhe të shkal lës së kriminalitetit, që ndodh në kufi dhe në brendësi të territorit, që ka të bëjë me kufirin.
Në këtë kuadër, Policia Kufitare dhe e Migracionit bashkëpunon me autoritetet homologe fqinje, duke shkëmbyer informacion për situatën dhe shkallën e kriminalitetit, si dhe bën analiza të përbashkëta.

Neni 44
Patrulla të përbashkëta përgjatë kufirit

Policia Kufitare dhe e Migracionit, në bashkëpunim me organet homologe të shtetit fqinj, organizon patrulla të përbashkëta përgjatë kufirit të përbashkët, sipas marrëveshjeve për shmangien e rreziqeve, për sigurinë publike dhe për të luftuar veprimtaritë e paligjshme ndërkufitare.
Gjatë patrullimit të përbashkët, punonjësit e Policisë Kufitare dhe të Migracionit zbatojnë legjislacionin kombëtar, në territorin e palës ku veprojnë.
Gjatë patrullimeve ose operacioneve të përbashkëta, punonjësit e policisë së secilit shtet mbajnë uniformat e veta dhe pajisjet përkatëse, sipas marrëveshjes me vendin fqinj.
Përdorimi i armëve të shërbimit lejohet vetëm në rastin e vetëmbrojtjes.

 

Neni 45
Oficerët e kontaktit

Me marrëveshje dypalëshe, Qeveria Shqiptare mund të vendosë dhe të lejojë atashimin e oficerëve të kontaktit, për rritjen dhe përshpejtimin e bashkëpunimit, në formën:
e shkëmbimit të informacionit;
e ekzekutimit të kërkesave për asistencë të ndërsjellë policore në çështjet penale;
e detyrave të kryera nga autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e kufirit.
Veprimtaria e oficerëve të kontaktit konsiston në dhënie këshillash dhe asistence, pa të drejtën e ndërmarrjes së veprimeve policore, të pavarura, në dhënie informacionesh dhe kryerje detyrash, në përputhje me udhëzimet, që u janë dhënë nga autoritetet qendrore të policisë dhe nga shteti ku janë atashuar.

 

Neni 46
Masat teknike në bashkëpunimin ndërkufitar

Me marrëveshje dypalëshe dhe duke marrë parasysh rrethanat vendore e mundësitë teknike, policitë ndërkufitare instalojnë linja telefoni, radioje dhe teleksi në zona të veçanta kufitare, si dhe lidhje të drejtpërdrejta, për të lehtësuar bashkëpunimin policor, në mënyrë të veçantë, për transmetimin në kohë të informacionit, duke bërë:
shkëmbimin e pajisjeve ose dislokimin e oficerëve të kontaktit, të pajisur me radio të përshtatshme;
zgjerimin e brezave të frekuencave, që përdoren në zonat kufitare;
vendosjen e lidhjeve të përbashkëta për shërbimet e policisë, që veprojnë në këto zona;
ç) bashkërendimin e programeve për prokurimin e pajisjeve të ndërlidhjes, për instalimin e sistemeve standarde dhe të ngjashme të ndërlidhjes.

 

KREU VII
GRUMBULLIMI I TË DHËNAVE PERSONALE DHE EVIDENCAT

 

Neni 47
Grumbullimi, përpunimi dhe përdorimi i të dhënave

Policia Kufitare dhe e Migracionit grumbullon, në mënyrë të drejtpërdrejtë, të dhënat personale nga personat, ndaj të cilëve bëhet kontrolli kufitar, që ruhen dhe përpunohen në evidenca, me ndihmën e mjeteve teknike, në përputhje me këtë ligj. Ato përdorin të dhëna personale dhe të dhëna të tjera nga evidencat, të cilat i administron vetë, në bazë të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.

 

Neni 48
Pajisjet dhe veprimet që bëhen për grumbullimin e të dhënave

Policia Kufitare dhe e Migracionit bën menaxhimin e kufirit për hetimin, verifikimin e identitetit dhe kapjen e autorëve të veprave penale. Për këtë, Policia Kufitare dhe e Migracionit bën fotografi, vëzhgime video-fotografike, si dhe përdor pajisje të tjera ndihmëse, automatike.
Kur pajisjet e përmendura në pikën 1 të këtij neni vendosen në zonën e kontrollit të pikave të kalimit kufitar, ato duhet të jenë të dukshme dhe për vendosjen e tyre duhen lajmëruar personat që gjenden në atë zonë.
Të dhënat e regjistruara gjatë veprimeve të përmendura në pikat 1 e 2 të këtij neni asgjësohen brenda 1 viti, nëse janë bërë të panevojshme për kapjen e autorëve të veprave penale.

 

Neni 49
Evidencat

Policia Kufitare dhe e Migracionit, për të realizuar me efektivitet menaxhimin e kufirit, mban evidenca:
për personat, sendet dhe mjetet, të cilat i nënshtrohen kontrollit kufitar;
për personat, ndaj të cilëve është kryer procedura e verifikimit të identitetit;
për personat, të cilëve u është lëshuar dokumenti kufitar;
ç) për dhënien e miratimit të qëndrimit, për anëtarët e ekuipazhit të anijeve të huaja në vendin ku gjendet pika e kalimit kufitar, për qarkullim ndërkombëtar;
d) për miratimin e hyrjeve të anëtarëve të shërbimeve të sigurisë me uniformë, armatim dhe automjet zyrtar në territorin e Republikës së Shqipërisë;
dh) për personat, të cilëve u është lëshuar kartë identiteti (badges) për lëvizje në zonën e kontrollit të pikës së kalimit kufitar;
e) për personat, që kanë cenuar kufirin shtetëror;
ë) për personat fizikë, që kanë lajmëruar se do të shkojnë për gjah ose peshkim në zonën përgjatë vijës së kufirit.

 

Neni 50
Të dhënat personale

Në zbatim të këtij ligji dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar, Policia Kufitare dhe e Migracionit trajton të dhënat personale, të mbledhura në mënyrë manuale ose elektronike, n ë evidencat e përmendura në nenin 49 të këtij ligji.
Në evidencat e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji, grumbullohen të dhëna personale, si gjeneralitetet, numri i amzës, vendbanimi, shtetësia, dokumenti i udhëtimit, shenjat e gishtave dhe të pëllëmbës, dokumenti kufitar etj., sipas përcaktimeve të bëra në aktet nënligjore për të dhënat personale.

Në aktin nënligjor për evidencat e të dhënave personale përcaktohen mënyrat e grumbullimit dhe të përdorimit, si dhe afatet e ruajtjes së të dhënave të secilës evidencë.

 

KREU VIII
MASAT NDËSHKIMORE

Neni 51
Sanksionet

Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet nga Policia Kufitare dhe e Migracionit, në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, si më poshtë:
1. Me gjobë, në masën nga 50 000 -100 000 lekë, personat që:
kalojnë ose tentojnë të kalojnë kufirin shtetëror jashtë pikës së kalimit kufitar, jashtë kohës së punës në këtë pikë ose në kundërshtim me destinacionin e kësaj pike;
i shmangen kontrollit kufitar ose largohen nga zona e pikës së kalimit kufitar, para se të kryhet kontrolli kufitar ose, në ndonjë mënyrë tjetër, përpiqen t’i shmangen këtij kontrolli.
Me gjobë nga 10 000 – 50 000 lekë personat fizikë ose juridikë:
a) që pengojnë ose nuk lejojnë kalim të lirë ose, në ndonjë mënyrë tjetër, pengojnë kryerjen e punëve për vëzhgimin e kufirit shtetëror;
b) që kalojnë kufirin për shkak të forcës madhore, por nuk njoftojnë menjëherë Policinë Kufitare dhe të Migracionit;
c) që, pa miratimin e Ministrit të Brendshëm, për harmonizimin e planit kryesor ideor me kushtet e veçanta, që duhet të përmbushë objekti, fillojnë ndërtimin e objektit apo ndryshojnë atë ekzistues ose ndonjë pajisje, të vendosur në zonën e pikës së kalimit kufitar;
ç) nëse operatori ose personi përgjegjës, që nuk i dorëzon Policisë Kufitare dhe të Migracionit të dhënat personale të të punësuarve, para se të fillojë punë në zonën e pikës së kalimit kufitar;
d) nëse komandanti i anijes së mallrave ose të udhëtarëve që, gjatë qarkullimit ndërkombëtar në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, lundron nëpërmjet rrugës më të shkurtër, të lundrueshme dhe nuk ankoron në portin ku gjendet pika e kalimit kufitar;
dh) nëse komandanti i anijes së udhëtarëve, i cili, brenda 24 orëve para fillimit të kontrollit kufitar, nuk i dorëzon Policisë Kufitare dhe të Migracionit listën e anëtarëve të ekuipazhit dhe të udhëtarëve në anije;
e) nëse komandanti i mjetit lundrues, i cili, duke ardhur nga jashtë apo duke u larguar për jashtë, nuk i dorëzon Policisë Kufitare dhe të Migracionit listën e anëtarëve të ekuipazhit dhe të udhëtarëve në mjet, ose nuk paraqet dokumentet e tyre të udhëtimit;
ë) nëse komandanti, udhëheqësi ose pronari i mjetit të lundrimit nuk përmbush detyrimet pas hyrjes në port;
f) nëse shtetasi i huaj, të cilit i është dhënë leje për të dalë nga porti, shkel kriteret e përcaktuara në leje;
g) nëse makinisti i trenit, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur është e nevojshme për rregullimin e qarkullimit hekurudhor ose për shkak të ndonjë force madhore, ndalon trenin ndërmjet kufirit shtetëror dhe pikës së kalimit kufitar;
gj) vendosin tabela me mbishkrime të tjera, të cilat zvogëlojnë pamjen e tabelës dhe të sinjalizimeve të tjera, që paralajmërojnë vijën e kufirit;
h) kryejnë lundrim, gjah, peshkim, fluturojnë me avion të vogël dhe me pajisje të tjera fluturuese; lëvizin, qëndrojnë ose banojnë në afërsi të vijës së kufirit, nëse kjo është e ndaluar me vendim të Këshillit të Ministrave;
i) shkojnë për gjueti ose peshkim, individualisht ose në grup, në një thellësi deri në 300 metra nga vija e kufirit, pa lajmëruar me shkrim Policinë Kufitare dhe të Migracionit para 24 orëve.
Me gjobë nga 500 – 10 000 lekë personi fizik ose juridik:
a) që ka lëvizur ose ka qëndruar në mënyrë të përsëritur në zonën e pikës së kalimit kufitar, pa synuar kalimin e kufirit shtetëror, pa iu nënshtruar kontrollit kufitar ose pa arsye të tjera të justifikueshme, duke mos iu bindur Policisë Kufitare dhe të Migracionit;
b) që nuk mban kartën e identitetit, me të dhënat e shënuara në të, në ndonjë vend të dukshëm, gjatë lëvizjes apo qëndrimit në zonën e pikës së kalimit kufitar;
c) nëse operatori nuk përpunon kartën e identitetit të të punësuarve, para se të fillojnë punën në zonën e pikës së kalimit kufitar;
ç) nëse komandanti i jahtit ose i varkës, për turizëm ose sport, që lundron në rrugë detare, në ujërat e brendshme dhe territoriale (detare, lumore e liqenore) të Republikës së Shqipërisë, nuk ndjek rrugën më të shkurtër për te porti më i afërt, i hapur për qarkullim ndërkombëtar, nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga ky ligj, për t’iu nënshtruar kontrollit kufitar në zonën e pikës së kalimit kufitar dhe nuk vepron sipas urdhrave e paralajmërimeve të punonjësve të Policisë Kufitare dhe të Migracionit;
d) nëse komandanti i mje tit lundrues, që në rast të ndonjë force madhore, në qarkullimin ndërkombëtar, ankoron mjetin e tij lundrues jashtë pikës së kalimit kufitar detar, pa miratimin përkatës;
dh) nëse komandanti ose udhëheqësi i udhëtimit, në rast të shpëtimit të jetës së njerëzve, imbarkon ose zbarkon persona jashtë pikës së kalimit kufitar dhe nuk informon menjëherë rajonin më të afërt të Policisë Kufitare dhe të Migracionit;
e) nëse makinisti i trenit nuk ka marrë masat e nevojshme për moslejimin e daljes së udhëtarëve gjatë ndalimit, ose nuk ka lajmëruar policinë për ndalimin;
ë) nëse gjatë kontrollit kufitar nuk paraqet dokumentin e udhëtimit, të destinuar për kalim të kufirit dhe kundërshton punonjësin e Policisë Kufitare dhe të Migracionit në kryerjen e detyrës;
f) që nuk sqaron të gjitha rrethanat lidhur me kalimin e kufirit ose nuk vepron sipas lajmërimeve e urdhrave të nëpunësve përkatës, të cilët kryejnë kontrollin kufitar;
g) nëse mbjell lloje drurësh dhe shkurresh përgjatë vijës së kufirit, kur kjo është e ndaluar me vendim të ministrit përkatës.

Neni 52
Ekzekutimi i masave ndëshkimore

Ankimi dhe ekzekutimi i masave ndëshkimore bëhen në përputhje me ligjin nr. 7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.
Në zbatim të këtij kreu nxirren akte nënligjore, për të përcaktuar raste të tjera, që nuk janë parashikuar në nenet më sipër.
Shtetasit e huaj mund ta paguajnë gjobën edhe në valutë, sipas kursit ditor të këmbimit.

 

KREU IX
DISPOZITA KALIMTARE

 

 

Neni 53
Shfuqizime

Ligjet nr.8771, datë 19.4.2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, nr.8772, datë 19.4.2001 “Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

 

Neni 54
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim