Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

 

KUVENDI I
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1
Objekti

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për realizimin e mbikëqyrjes elektronike, në funksion të kontrollit të zbatimit të urdhërimeve që përmban një vendim gjyqësor, që cakton një nga alternativat e dënimit me burgim, dënim plotësues, një nga llojet e masave shtrënguese, apo një urdhër mbrojtjeje ose urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.

 

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është rritja e sigurisë publike dhe garantimi i ekzekutimit efektiv të vendimeve gjyqësore.

 

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj, përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në dispozita të veçanta të tij, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Mbikëqyrje elektronike ose ME” është mekanizmi që garanton zbatimin efektiv të vendimit gjyqësor, nëpërmjet përcaktimit në kohë reale të vendndodhjes së një personi, me anë të përdorimit të mjeteve elektronike të vendosura në trupin e tij.
b) “Organi që realizon ME-në” është personi juridik, publik ose privat, që realizon ME-në, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
c) “Pajisje” është mjeti elektronik i vendosur në trupin e subjektit dhe që mundëson përcaktimin në kohë reale të vendndodhjes së tij.
ç) “Person i afërt” është personi që ka lidhje të afërta familjare deri në shkallë të tretë me subjektin dhe/ose jeton në të njëjtën banesë me të.
d) “Sallë operative” është zyra e krijuar nga organi që realizon ME-në për mbledhjen,
përpunimin dhe raportimin e të dhënave që vijnë nga pajisja dhe që mundëson kontrollin e zbatimit efektiv të vendimit gjyqësor nga subjekti.
dh) “Subjekt” është personi i vendosur nën ME, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
e) “Viktimë” është personi, ndaj të cilit është ushtruar dhunë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

 

Neni 4
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për mbikëqyrjen elektronike të personave, ndaj të cilëve, me vendim gjyqësor, është:
a) vendosur një nga masat shtrënguese, të parashikuara nga shkronjat “a”, “c” dhe “d” të nenit 232 të Kodit të Procedurës Penale;
b) vendosur një nga alternativat e dënimit me burgim, të parashikuara nga nenet 58, 59, 59/a dhe 64 të Kodit Penal;
c) vendosur dënimi plotësues i përcaktuar në paragrafin e shtatë të nenit 30 të Kodit Penal;
ç) lëshuar, me vendim gjyqësor, një urdhër mbrojtjeje ose një urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, sipas neneve 17 dhe 19 të ligjit nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

 

Neni 5
Parimet e ME-së

Veprimtaria e organeve të ME-së bazohet në parimin e:
a) ligjshmërisë;
b) mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike;
c) garantimit të lirisë personale të të dëmtuarit nga vepra penale apo të viktimës;
ç) respektimit të të drejtave dhe lirive themelore, dinjitetit njerëzor dhe sigurisë personale të subjektit të ligjit;
d) mosdiskriminimit;
dh) proporcionalitetit të ME-së me rrethanat e rastit dhe personalitetin e subjektit;
e) objektivitetit dhe efektivitetit.

 

KREU II
PËRDORIMI I ME-SË

 

Neni 6
Nisma për përdorimin e ME-se

Gjykata vendos përdorimin e ME-së, kryesisht ose me kërkesën e prokurorit, subjektit, mbrojtësit të tij, të dëmtuarit nga vepra penale, viktimës apo prindërve ose kujdestarit të të miturit.

 

Neni 7
Pëlqimi i subjektit

1. Gjykata, përpara caktimit të masave shtrënguese, shpalljes së vendimit përfundimtar të gjykatës, apo lëshimit të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, pyet subjektin nëse jep pëlqimin për përdorimin e ME-së dhe i shpjegon atij të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga përdorimi i saj.
2. Përdorimi i ME-së vendoset vetëm me pëlqimin e subjektit dhe pasi gjykata sigurohet se ai i kupton të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga përdorimi i ME-së, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 5 të këtij neni.
3. Pëlqimi i subjektit për përdorimin e ME-së jepet me shkrim ose nëpërmjet deklarimit në seancë gjyqësore. Në rastin e subjekteve të mitura, pëlqimi duhet të jepet në të njëjtën formë edhe nga prindërit ose kujdestari i tij ligjor.
4. Nëse subjekti nuk jep pëlqimin, sipas pikës 3 të këtij neni, gjykata nuk mund të urdhërojë përdorimin e ME-së, por ky fakt mbahet në konsideratë prej saj, së bashku me rrethanat e tjera të çështjes, në përcaktimin e masës shtrënguese apo dënimit.
5. Përjashtimisht, gjykata mund të vendosë përdorimin e ME-së, edhe pa pëlqimin e subjektit, në rastin e parashikuar në shkronjën “ç” të nenit 4 të këtij ligji, nëse vlerëson se është e domosdoshme për të garantuar të drejtat kushtetuese të të tretëve dhe ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se subjekti paraqet rrezikshmëri për cenimin e këtyre të drejtave. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, vetëm nëpërmjet ankimit të vendimit gjyqësor që lëshon urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, sipas parashikimeve të nenit 21 të ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

 

Neni 8
Caktimi i personit të afërt

Kur është e mundur, subjekti përcakton edhe një person të tij të afërt, i cili ndihmon në zbatimin e vendimit për përdorimin e ME-së. Nëse jep pëlqimin të caktohet si i tillë, personi i afërt ka detyrimin të vendosë në dispozicion të gjykatës, prokurorit dhe organit që realizon ME-në adresën e tij të saktë dhe numra telefoni kontakti, të cilët duhet të jenë të disponueshëm në çdo kohë.

 

Neni 9
Vendimi për përdorimin e ME-së

1. Përdorimi i ME-së urdhërohet nga gjykata në vendimin gjyqësor të dhënë ndaj subjekteve, në rastet e parashikuara në nenin 4 të këtij ligji.
2. Gjykata, gjatë gjykimit përpara dhënies së vendimit, në rastet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” të nenit 4 të këtij ligji, i kërkon Shërbimit të Provës një raport vlerësimi për të pandehurin dhe nevojën e përdorimit të ME-së.
3. Përdorimi i ME-së mund të jetë me ose pa afat. Nëse gjykata nuk ka përcaktuar afat, kohëzgjatja e përdorimit të ME-së është e barabartë me kohëzgjatjen e masës shtrënguese, alternativës së dënimit me burgim, urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

 

Neni 10
Përmbajtja e vendimit

Vendimi gjyqësor që urdhëron përdorimin e ME-së, përveç sa parashikohet në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, duhet të përmbajë, sipas rastit, edhe:
a) dhënien e pëlqimit nga subjekti, kur këtë e kërkon ligji, dhe/ose prindërit apo kujdestari i të miturit, për përdorimin e ME-së;
b) zonat e lejuara dhe zonat e ndaluara të lëvizjes së subjektit;
c) detyrimin e subjektit për të qëndruar brenda zonës së lejuar ose për të mos hyrë në zona të ndaluara;
ç) kohën e përdorimit të ME-së, nëse gjykata urdhëron përdorimin e saj, sipas një afati të caktuar.

 

KREU III
REALIZIMI I ME-SË

 

Neni 11
Organi që realizon ME-në

Organi që realizon ME-në është përgjegjës për vendosjen, heqjen dhe funksionimin e rregullt të pajisjes. Vendi, koha dhe rregullat për vendosjen dhe heqjen e pajisjes përcaktohen në urdhrin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, të nxjerrë nga prokurori ose gjykata, të cilët ia njoftojnë menjëherë subjektit dhe organit që realizon ME-në.  Organi që realizon ME-në, nëpërmjet sallës operative të ngritur prej tij, mbledh, përpunon dhe raporton të dhënat që vijnë nga pajisja.Kriteret që duhet të plotësojë organi që realizon ME-në, rregullat për përzgjedhjen e tij, si dhe të drejtat e detyrimet e tij caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 12
Shërbimi i Provës

1. Shërbimi i Provës është organ përgjegjës për të kontrolluar mënyrën e realizimit të ME-së.
2. Shërbimi i Provës, në mënyrë periodike, informon Ministrinë e Drejtësisë për kontrollet e ushtruara për mënyrën e realizimit të ME-së.
3. Shërbimi i Provës vendos, çdo javë, në dispozicion të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatave të apelit, të dhëna të përditësuara për numrin e pajisjeve në dispozicion për përdorim dhe mundësinë teknike të realizimit të ME-së.
4. Metodologjia dhe rregullat e ushtrimit të kontrolleve të Shërbimit të Provës për mënyrën e realizimit të ME-së, periodicitetit dhe përmbajtja e informacionit të përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe rregullat për paraqitjen e të dhënave të përditësuara pranë gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatave të apelit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 13
Pajisja për realizimin e ME-së

1. ME-ja realizohet nëpërmjet vendosjes së një pajisjeje të posaçme në trupin e subjektit, e cila duhet:
a) të ketë përmasa të vogla, në mënyrë që të mbulohet lehtësisht nga veshjet dhe të mos shikohet nga të tretët;
b) të mos lëshojë tinguj ose dritë;
c) të përbëhet nga materiale të parrezikshme për jetën dhe shëndetin e subjektit dhe të të tretëve;
ç) të vendoset në një pjesë të trupit që e bën të pamundur shikimin e saj nga të tretët;
d) të lejojë subjektin të kryejë pa vështirësi të gjitha veprimtaritë e tij të zakonshme.
2. Pajisja duhet të plotësojë karakteristikat teknike të mëposhtme:
a) të jetë në gjendje të transmetojë sinjal nga çdo pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë;
b) të ketë rezistencë të lartë ndaj elementeve natyrore, e cila mundëson funksionimin normal edhe gjatë ekspozimit ndaj tyre;
c) të jetë e vështirë për t’u hequr;
ç) të transmetojë sinjal të posaçëm nëse dëmtohet ose hiqet.

 

Neni 14
Salla operative

Salla operative duhet të ketë aftësinë teknike të marrë në kohë reale informacionin për vendndodhjen e subjekteve që ndodhen bren da territorit ku ushtron kompetencën organi që realizon ME-në.  Organi që realizon ME-në siguron funksionimin pa ndërprerje të sallës operative dhe lidhjen e saj në kohë reale me pajisjen që përcakton vendndodhjen e subjektit

 

Neni 15

Informacioni i transmetuar sallës operative

1. Informacioni i siguruar nga pajisja shfaqet në harta, të cilat mundësojnë perceptimin e vendndodhjes së subjektit në mënyrë të vazhdueshme dhe në përputhje me sistemin rrugor dhe administrativ të Republikës së Shqipërisë.
2. Shfaqja e informacionit në harta dhe perceptimi pamor i tij është i ndaluar nëse subjekti qëndron brenda zonës së lejuar ose jashtë zonës së ndaluar të lëvizjes.
3. Informacioni për vendndodhjen e subjektit shfaqet në hartë vetëm në rast se:
a) subjekti del nga zona e lejuar ose hyn në zonën e ndaluar të lëvizjes, sipas përcaktimit të vendimit gjyqësor që urdhëron përdorimin e ME-së;
b) salla operative, nëpërmjet organit që realizon ME-në, merr një kërkesë nga Shërbimi i Provës ose Policia e Shtetit, të cilët kërkojnë të përcaktojnë vendndodhjen e subjektit për shkak se:
i) subjekti dyshohet se ka shkelur kushtet e vendosura në vendimin gjyqësor;
ii) duhet të evitohet një rrezik i mundshëm që i kanoset subjektit ose të tretëve;
iii) subjekti duhet të kontaktohet menjëherë për t’u pyetur apo për ndonjë qëllim tjetër të ligjshëm;
c) organi që realizon ME-në, nëpërmjet sallës operative, ka arsye të motivuar të besojë se:
i) subjekti mund të ketë dëmtuar ose hequr pajisjen;
ii) pajisja ka pësuar një dëmtim aksidental dhe nuk transmeton informacion si duhet.
4. Informacioni që shfaqet në hartë u vihet në dispozicion, në kohë reale, me terminal të dedikuar, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

 

Neni 16
Konfidencialiteti i informacioni

Organi që realizon ME-në, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, respekton rregullat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.  Informacioni i siguruar për vendndodhjen e subjektit është i ndaluar t’u jepet personave të tretë apo agjencive ose organeve të paautorizuara nga ky ligj.

 

KREU IV

ZBATIMI I VENDIMIT PËR PËRDORIMIN E ME-SË

 

Neni 17
Detyrimet e subjektit

Subjekti detyrohet:
a) të zbatojë kushtet e përcaktuara në vendimin gjyqësor;
b) të vendosë në dispozicion të gjykatës, prokurorit dhe organit që realizon ME-në adresën e saktë të banimit dhe të punës, si dhe numra telefonikë kontakti, të cilët duhet të jenë të disponueshëm në çdo kohë;
c) të kthehet brenda zonës së lejuar të lëvizjes ose të largohet nga zona e ndaluar, brenda 30 minutave nga çasti kur është kontaktuar nga salla operative;
ç) të mos dëmtojë ose heqë në asnjë rast pajisjen;
d) të njoftojë menjëherë organin që realizon ME-në për çdo dëmtim aksidental të pajisjes ose funksionimin në kushte jonormale të saj.

 

Neni 18
Veprime në rast të shkeljes së vendimit gjyqësor

1. Kur informacioni në hartë evidenton daljen nga zona e lejuar ose hyrjen në zonën e ndaluar të lëvizjes, si edhe dëmtimin ose heqjen e pajisjes, salla operative kontakton menjëherë subjektin. Nëse ky i fundit nuk mund të kontaktohet, atëherë salla operative kontakton personin e afërt të përcaktuar në vendimin e gjykatës për përdorimin e ME-së.
2. Nëse subjekti kthehet në zonën e lejuar ose largohet nga zona e ndaluar brenda 30 minutave nga çasti që ai ose personi i afërt i tij kontaktohen nga salla operative, atëherë nuk ndërmerret asnjë veprim i mëtejshëm. Në këtë rast salla operative e evidenton këtë fakt në një regjistër të posaçëm.
3. Nëse subjekti dhe personi i afërt nuk mund të kontaktohen, salla operative njofton menjëherë Policinë e Shtetit, së cilës i përcjell informacionin për vendndodhjen e subjektit. Salla operative, brenda 24 orëve, njofton Shërbimin e Provës për shkeljen dhe veprimet e kryera prej saj në zbatim të këtij ligji.
4. Informacionet e marra në rastet e parashikuara nga ky nen ruhen për një periudhë gjashtëmujore, duke filluar nga çasti i evidentimit të shkeljes. Prokurori ose gjykata mund të urdhërojë që informacionet të ruhen për një kohë më të gjatë se gjashtë muaj.
5. Nuk evidentohet si shkelje e kushteve të përdorimit të ME-së rasti kur Shërbimi i Provës i ka komunikuar me shkrim sallës operative autorizimin e lëshuar ndaj subjektit për të dalë nga zona e lejuar ose për të hyrë në zonën e ndaluar. Autorizimi duhet të përmbajë përcaktimin e saktë të zonës ku lejohet të lëvizë subjekti dhe afatin e lejimit të lëvizjes.
6. Rregulla të hollësishme për kriteret e dhënies së autorizimeve përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 19
Shkelja e kushteve të ME-së

1. Policia e Shtetit dhe Shërbimi i Provës vënë në dijeni prokurorin menjëherë sapo marrin njoftimin për shkeljen e kushteve të ME-së.
2. Prokurori, kur vlerëson se janë shkelur qëllimisht, ose në mënyrë të përsëritur, kushtet për përdorimin e ME-së, harton një raport, të cilin ia paraqet gjykatës brenda 48 orëve nga marr ja dijeni për shkeljen e kryer.
3. Raporti i hartuar në rastet e parashikuara nga pika 2 e këtij neni i paraqitet së njëjtës gjykatë që ka vendosur përdorimin e ME-së dhe përmban rekomandimin e Shërbimit të Provës për vazhdimin ose jo të ME-së ndaj subjektit që ka kryer shkeljen.
4. Gjykata dëgjon në seancë prokurorin, përfaqësuesin e Shërbimit të Provës e subjektin dhe, pasi vlerëson të gjitha rrethanat, vendos:
a) vazhdimin e ME-së me të njëjtat kushte;
b) sipas procedurës së parashikuar nga neni 260 i Kodit të Procedurës Penale ose nenit 31 pika 10 të ligjit nr. 8331, datë 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar;
c) sipas procedurës së parashikuar nga neni 22 pika 2 të ligjit nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

 

KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 20
Fillimi i zbatimit të ligjit

1. Ligji, menjëherë pas hyrjes në fuqi, fillon të zbatohet ndaj subjekteve të parashikuara nga neni 4 i këtij ligji, gjykimi i të cilave është në kompetencë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe Gjykatës së Apelit, Tiranë, të cilat urdhërojnë përdorimin e ME-së, pas informimit nga Shërbimi i Provës për mundësinë teknike të realizimit të saj.
2. Zbatimi i ligjit ndaj personave të parashikuar nga neni 4 i këtij ligji, që nuk janë në kompetencë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe Gjykatës së Apelit, Tiranë, fillon sipas afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në varësi të fondeve financiare të vëna në dispozicion për realizimin e mbikëqyrjes elektronike.

 

Neni 21
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë dhe në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 11 pika 3 dhe të nenit 20 pika 2 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë që, në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 12 pika 4 dhe të nenit 18 pika 6 të këtij ligji.

 

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më 1.4.2012.
Shpallur me dekretin nr.7219, datë 10.1.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

 

 

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim