KREU II

 

PARAQITJA E ANKIMIT DHE GJYKIMI NË APEL

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 78)

 

Neni 452

Vendimet që mund të ankimohen

Mund të ankimohen në gjykatën e apelit të gjitha vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë, me përjashtim të rasteve kur ankimi përjashtohet me ligj.

 

 

Neni 453

Nënshkrimi i ankimit

Ankimi që i drejtohet gjykatës së apelit duhet të nënshkruhet nga vetë pala, avokati ose përfaqësuesi i pajisur me prokurë.

 

 

Neni 454

Përmbajtja e ankimit

Në ankim duhet të tregohen:

a) palët ndërgjyqësa;

b) vendimi kundër të cilit bëhet ankimi;

c) shkaqet për të cilat bëhet ankimi;

ç) çfarë kërkohet me ankimin.

 

Neni 455

Dokumentet që i bashkëngjiten ankimit

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 79)

Bashkë me ankimin duhet të paraqiten:

a) kopje të ankimit dhe të dokumenteve të tjera, aq sa janë personat që marrin pjesë në çështje si palë;

b) Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e mësipërme, si dhe ato të neneve 453 dhe 454 të këtij Kodi, gjykata njofton palën që të ndreqë të metat brenda 5 ditëve, në të kundërt ankimi kthehet.

 

Neni 456

Apeli kundërshtues

Pala që nuk ka bërë ankim apo pala kundër së cilës është bërë ankimi, mund ta kundërshtojë atë me kundërankim brenda 5 ditëve nga dita që ka marrë njoftim për ankimin e palës tjetër.

Ankimi kundërshtues duhet t’u njoftohet palëve të tjera në gjykim ,sipas rregullave për njoftimin e ankimit.

 

 

Neni 457

Ndërhyrja në ankim

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 80)

 

Neni 458

Rivendosja në afatin e ankimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 81)

Kur palët kanë humbur të drejtën e ankimit për shkaqe të arsyeshme, mund të paraqesin kërkesë për rivendosje në afat, përpara gjykatës që ka dhënë vendimin. Kjo kërkesë shqyrtohet nga gjykata dhe kundër vendimit të tij mund të bëhet ankim i veçantë.

 

 

Neni 459

Rënia në dekadencë e kërkesave që nuk janë propozuar rishtas

Kur kërkesat dhe pretendimet e pamarra parasysh në vendimin e shkallës së parë nuk përsëriten në ankim, konsiderohet sikur është hequr dorë prej tyre.

 

 

Neni 460

Përbërja e gjykatës dhe shqyrtimi i çështjes

(Ndryshuar paragrafi i III me ligjin nr.8431, datë 14.12.1998, neni 1,

Ndryshuar me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Gjykata e apelit e shqyrton çështjen në mënyrë kolegjiale. Ajo gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Kryetari i gjykatës së apelit cakton relatorin e çështjes dhe ditën e gjykimit.

Njoftimi për ditën dhe orën e gjykimit të çështjeve bëhet nga gjykata e apelit me shpallje pranë saj dhe në gjykatat përkatëse të shkallës së parë, jo më vonë se 10 ditë përpara shqyrtimit të çështjes.

Për çështjet me rigjykim, kur është mbajtur për gjykim në fakt, ose kur çmohet një gjykim përpara afatit 10 ditor, njoftimi u bëhet drejtpërdrejt palëve, përfaqësuesve të tyre dhe prokurorit.

 

 

Neni 461

(Shtuar paragrafi II, III me ligjin nr.8431, datë 14.12.1998, neni 2)

Fillimisht gjykata verifikon paraqitjen e rregullt të palëve, bën bashkimin e ankimeve të bëra kundër të njëjtit vendim dhe bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim.

Mosparaqitja e palëve, për të cilat njoftimi është bërë me shpallje, nuk pengon shqyrtimin e çështjes, me përjashtim të rastit kur janë njoftuar shkaqe të arsyeshme për mungesën.

Gjykata nuk mund të shqyrtojë çështjen në mungesë atëherë kur dëgjimi i palëve është një nga detyrat e rigjykimit ose kur njoftimi ka qenë i parregullt.

 

 

Neni 462

Pjesëmarrja e prokurorit

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 82)

 

Neni 463

Heqja dorë nga ankimi

Në çdo fazë të gjykimit të çështjes në apel, ankuesi ose përfaqësuesi i tij mund të heqë dorë nga ankimi. Në këtë rast vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes në gjykatën e apelit.

 

Neni 464

Seanca gjyqësore

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 83)

Seanca gjyqësore fillon me relacionin e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues. Pas kësaj palët, në rast se janë paraqitur, japin shpjegime. Së pari e merr fjalën pala që ka bërë ankimin, pastaj pjesëmarrësit e tjerë në gjykim.Kur ky ka paraqitur mendimin me shkrim, lexohet nga një anëtar i trupit gjykues. Kur prokurori, mbi bazën e padisë së paraqitur prej tij, bën ankim ndaj vendimit të gjykatës, ai e merr fjalën i pari.

 

Neni 465

Në shqyrtimin e çështjes në apel mbahen parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në këtë Kod.

Me kërkesën e palëve ose edhe kryesisht gjykata e apelit përsërit tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor mund të lexohen aktet e gjykimit të shkallës së parë. Gjykata ka të drejtë të marrë edhe prova të reja.

 

 

Neni 466

Vendimi i gjykatës së apelit

(Ndryshuar shkronja “ç” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Gjykata e apelit pasi shqyrton çështjen vendos:

a) lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;

b) ndryshimin e vendimit;

c) prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;

ç) prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në rastet e parashikuara nga neni 467 i këtij Kodi.

 

 

Neni 467

Dërgimi për rigjykim

(Shtuar shkronjat “d”, “e”, “ë” si dhe tre paragrafet e fundit

me ligjin nr 8431, datë 14.12.1998, neni 3,

Ndryshuar shkronja “c” dhe paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 84 e 126)

Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur:

a)gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën;

b)përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt apo vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij;

c)gjykata ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktura nga ky Kod;

ç) çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për ditën e gjykimit;

d) nuk është formuar drejt ndërgjyqësia;

e) kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit.

ë) kur lind nevoja për marrjen e një prove vendimtare, marrja e së cilës është e vështirë në shkallë të dytë.

Gjykata e shkallës së parë në rigjykim është e detyruar t’i përmbahet vendimit të gjykatës së apelit për çdo veprim procedural të vendosur në të.

Me vendim të ndërmjetëm, gjykata mund të mos kryejë veprime të caktuara kur për rrethana të reja të dala në rigjykim, shihen të panevojshme. Ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë.

Në rigjykim nuk mund të ngrihen pavlefshmëritë e vërtetuara në gjykimet e mëparshme, kur vendimet përkatëse nuk janë prishur për to dhe nuk mund të bëhen pretendime të ndryshme nga ato që janë të pranuara në vendimin e gjykatës së apelit, përveç nevojës për realizimin e detyrave të vëna nga ajo gjykatë

 

Neni 467/a

(Shtuar me ligjin nr.8431, datë 14.12.1998, neni 4)

Gjykata e apelit kur prish vendimin nuk mund ta kthejë çështjen për rigjykim për të dytën herë por e shqyrton vetë si gjykatë e shkallës së parë.

Kur vendimi prishet për shkak të moszbatimit të detyrave të caktuara nga gjykata më e lartë, pa u marrë vendim i veçantë sipas nenit 467 të këtij Kodi, gjykata e apelit, me kërkesë të palëve ngarkon trupin gjykues përkatës me shpenzimet e bëra për këtë shkak.

 

Neni 467/b

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 84)

Kur gjykata për çështjen që nuk ishte në kompetencën e saj ka dhënë një vendim të drejtë dhe, nga ana tjetër, nuk janë kapërcyer kompetencat e gjykatës së cilës i takonte çështja, gjykata e apelit ka të drejtë të mos e prishë vendimin, por të mjaftohet t’i verë në dukje gjykatës përkatëse parregullsinë e vendimit të saj.

 

Neni 468

(Hequr titulli dhe shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 86)

Gjykata e apelit kur konstaton se çështja nuk hyn në juridiksionin gjyqësor, si dhe kur padia nuk mund të ngrihej ose gjykimi nuk mund të vazhdonte, prish vendimin edhe vendos vetë pushimin e gjykimit të çështjes.

 

Neni 469

Pezullimi i ekzekutimit

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Kur prishet vendimi i shkallës së parë dhe çështja dërgohet për rigjykim, pezullohet ekzekutimi i vendimit.

Gjykata e apelit me kërkesën e palës mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit edhe kur ajo le në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, kur kundër vendimit të saj bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nga ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit mund të vijnë pasoja të rënda ose të pariparueshme, si dhe kur pala që ka bërë rekursin jep garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit.

 

Neni 470

Ankimi kundër vendimeve të ndërmjetme

Vendimet e ndërmjetme që jepen nga gjykata e shkallës së parë mund të ndryshohen apo të tërhiqen gjatë gjykimit. Këto vendime mund të goditen me ankim së bashku me vendimin përfundimtar.

Megjithatë, në rastet e parashikuara shprehimisht në këtë Kod, kundër vendimeve të ndërmjetme mund të bëhet ankimi i veçantë në gjykatën e apelit, brenda 5 ditëve nga shpallja apo njoftimi i tyre.

 

Neni 471

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit të ndërmjetëm

Paraqitja e ankimit kundër vendimit të ndërmjetëm nuk pezullon gjykimin dhe as ekzekutimin e vendimit, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë Kod apo kur gjykata e apelit vendos pezullimin gjersa të japë vendimin për ankimin e veçantë.

 

TITULLI II

 

REKURSI NË GJYKATËN E LARTË

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

 

KREU I

 

PROCEDURAT E REKURSIT

 

Neni 472

Vendime ndaj të cilave mund të ushtrohet rekurs

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 87)

Vendimet e shpallura nga gjykata e apelit dhe ato të gjykatës së shkallës së parë, në rastet që përcaktohen nga ky Kod, mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë vetëm kur:

a) nuk është respektuar ose është zbatuar keq ligji;

b) ka shkelje të rënda të normave procedurale (neni 467 i këtij Kodi);

c) për shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.

Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën e Lartë bëhet brenda 30 ditëve nga data e dhënies së vendimit.  Kur palët janë në mungesë, ky afat fillon nga data e njoftimit.

 

Neni 473

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 88)

 

Neni 474

Nënshkrimi i rekursit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Rekursi që i drejtohet Gjykatës së Lartë nënshkruhet nga vetë pala, avokati apo përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë.

 

 

Neni 475

Përmbajtja e rekursit

Rekursi duhet të përmbajë:

a) palët ndërgjyqëse;

b) vendimin që kundërshtohet;

c) paraqitjen e përmbledhur të fakteve të çështjes;

ç) shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, duke iu referuar normave ligjore mbi të cilat mbështetet;

d) prokurën nëse rekursi është bërë nga avokati ose nga përfaqësuesi i ankuesit.

 

Neni 476

Depozitimi i rekursit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 89, 126)

Rekursi depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin, në afatin prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve.

Së bashku me rekursin duhet të depozitohet:

a) kopja e vërtetuar e vendimit të kundërshtuar dhe kur është rasti edhe e njoftimit kur ky është bërë;

b) prokura e posaçme;

c) aktet dhe dokumentet mbi të cilat është bazuar rekursi, në aq kopje sa janë palët. Sekretaria e gjykatës, që ka dhënë vendimin e kundërshtuar, përcjell zyrtarisht në sekretarinë e Gjykatës së Lartë dosjen përkatëse së bashku me dokumentet e mësipërme.

Kur nuk plotësohen këto kushte, palës i caktohet një afat 10-ditor për të bërë plotësimet dhe, nëse pas këtij afati nuk bëhen plotësimet, rekursi kthehet.

 

 

Neni 477

Kundërrekursi

Pala kundër së cilës është paraqitur rekursi, mund ta kundërshtojë atë me kundërrekurs, i cili duhet t’i njoftohet atij që ka bërë rekursin në vendbanimin e tij brenda 20 ditëve nga njoftimi i rekursit. Në mungesë të këtij njoftimi nuk mund të paraqesë kundërrekurs, por vetëm mund të marrë pjesë në diskutim me gojë.

Për kundërrekursin zbatohen rregullat e parashikuara në nenet 456 dhe 457 të këtij Kodi.

 

 

Neni 478

Paraqitja e dokumenteve të tjer

Nuk pranohet depozitimi i akteve dhe dokumenteve që nuk janë paraqitur në shkallën e mëparshme të gjykimit, përveç atyre që kanë të bëjnë me vendimin e ankimuar dhe pranimin e rekursit ose të kundërrekursit.

Depozitimi i dokumenteve si më sipër duhet t’i njoftohet palëve të tjera.

 

Neni 479

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Gjykata e Lartë pezullon ekzekutimin e vendimit kur:

a)      ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme;

b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin vendimit.

 

Neni 480

Mospranimi i rekursit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që i lejon ligji. Mospranimi i rekursit vendoset nga kolegji i Gjykatës së Lartë në dhomën e këshillimit pa pjesëmarrjen e palëve.

 

KREU II

 

PROCEDURAT E GJYKIMIT

 

Neni 481

Shqyrtimi në kolegjet e bashkuara

(Shfuqizuar fjalia e fundit e paragrafit të dytë me vendimin

nr.46/1999 të Gjykatës Kushtetuese

Ndryshuar titulli, shfuqizuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 90)

Kryetari i Gjykatës së Lartë mund të vendosë që gjykata të shprehet në kolegje të bashkuara për rekurse të paraqitura nga palët, për të cilat ka praktika të ndryshme e të mëparshme në kolegjet e thjeshta.

Në këto raste kryetari i Gjykatës së Lartë cakton relatorin dhe datën e shqyrtimit të rekursit.

 

Neni 482

Fillimi i gjykimit

(Shfuqizohet paragrafi I, ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812

datë 17.5.2001, neni 91)

Gjykata e Lartë gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë.

Kryetari i kolegjit civil cakton datën e shqyrtimit të rekursit.

Sekretaria e Gjykatës së Lartë shpall listat e shqyrtimit të rekurseve të paktën 15 ditë përpara datës së shqyrtimit.

 

Neni 483

Shqyrtimi gjyqësor

(Shfuqizuar paragrafi III, shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812,

datë 17.5.2001, neni 92)

Në seancë gjyqësore relatori paraqet faktet që kanë rëndësi për marrjen e vendimit, përmbajtjen e vendimit të ankimuar dhe shkaqet e rekursit dhe të kundërrekursit.

Pas relatimit kryetari fton avokatët e palëve të paraqesin mbrojtjen e tyre.

Nuk lejohet replika, por avokatët e palëve mund që në të njëjtën seancë t’i paraqesin gjykatës mendimet e tyre, shkurtimisht, me shkrim.

Procesverbali i seancës gjyqësore mbahet nga sekretari gjyqësor.

 

 

Neni 484

Marrja e vendimit

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 93)

Gjykata pas diskutimit të çështjes tërhiqet në dhomën e këshillimit dhe merr vendimin përkatës. Në raste të veçanta, për shkak të natyrës së ndërlikuar apo rëndësisë së çështjes, marrja e vendimit mund të shtyhet për aq ditë sa është e nevojshme.

Vendimi nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e trupit gjykues.

 

 

Neni 485

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Pas shqyrtimit të çështjes, kolegji civil apo kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin:

a) lënien në fuqi të vendimit;

b) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë;

c) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e apelit, me tjetër trup gjykues;

ç) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë me tjetër trup gjykues;

d) ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit;

e)prishjen e vendimeve dhe pushimin e gjykimit të çështjes.

 

 

Neni 485/a

Pasojat kur prishet vendimi i padrejtë, i cili është ekzekutuar tërësisht ose pjesërisht

(Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 12)

Kur vendimi i ri, që jepet pas prishjes, është i ndryshëm nga vendimi i parë, i cili është ekzekutuar, tërësisht ose pjesërisht, personi që ka përfituar detyrohet t’i kthejë të gjitha përfitimet e marra nga ekzekutimi i vendimit.

 

Neni 486

Zbatimi i detyrueshëm i udhëzimeve

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Udhëzimet dhe konkluzionet e Gjykatës së Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që rishqyrton çështjen.

 

Neni 487

Gabimet në arsyetimin e vendimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 94)

Nuk janë shkak për cenimin e vendimit gabimet materiale në arsyetimin e vendimit, kur zgjidhja në themel është e drejtë. Në këtë rast gjykata kufizohet vetëm me korrigjimin e arsyetimit.

 

Neni 488

Shpenzimet e gjykimit

Gjykata, kur rrëzon rekursin, shpenzimet e gjykimit ia ngarkon atij që ka bërë rekursin.

 

Neni 489

Mospërsëritja e rekursit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 95)

Rekursi i deklaruar i papranueshëm nuk mund të paraqitet përsëri, qoftë edhe në rastet kur nuk ka mbaruar afati i caktuar nga ligji.

 

Neni 490

Heqja dorë nga rekursi

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 96)

Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë bëhet me shkrim, e nënshkruar nga vetë pala apo avokati i saj, i pajisur me prokurë për këtë qëllim.

Akti i heqjes dorë u njoftohet palëve që janë paraqitur ose u komunikohet avokatëve të palëve.

Kur hiqet dorë nga rekursi dhe në gjykim kanë marrë pjesë të gjitha palët ose përfaqësuesit e tyre, nuk ka vend për shpallje të veçantë të vendimit të pushimit të gjykimit.

 

Neni 491

Shpenzimet, kur hiqet dorë nga rekursi

(Shfuqizuar fjalia II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 97)

Në rastet e heqjes dorë nga rekursi gjykata i ngarkon shpenzimet palës që heq dorë.

 

Neni 492

Ndreqja e gabimeve materiale

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Nëse vendimi i shpallur nga Gjykata e Lartë përmban gabime materiale apo në përllogaritje, pala e interesuar ka të drejtë të kërkojë me kërkesë korrigjimin apo ndreqjen e tyre brenda 60 ditëve nga njoftimi i vendimit.

Për kërkesën gjykata shprehet në dhomën e këshillimit, duke zbatuar rregullat e parashikuara në paragrafin e fundit të nenit 480 të këtij Kodi.

 

Neni 493

Rigjykimi

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 98 e 126)

Gjykata e shkallës së parë apo gjykata e apelit kur dërgohet çështja për rigjykim zbaton të njëjtat rregulla procedurale të parashikuara në atë shkallë gjykimi.

Detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që rishqyrton çështjen, e cila, pasi zbaton këto detyra, vendos sipas bindjes së saj.

Në rigjykim nuk mund të ngrihen pavlefshmëritë e vërtetuara në gjykimet e mëparshme. Në rigjykim palët nuk mund të bëjnë pretendime të ndryshme nga ato të pranuara në vendimin e Gjykatës së Lartë, përveç nevojës për të arritur në përfundime që dalin nga vendimi i Gjykatës së Lartë.

 

TITULLI I TRETË

 

RISHIKIMI

 

Neni 494

Kërkesa për rishikim dhe rastet e rishikimit

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 99)

(Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 99)

(Shtuar shkronja ë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 13)

Kërkesa për rishikim është akti me të cilin kërkohet rishikimi i një vendimi të formës së prerë të gjykatës.

Pala e interesuar mund të kërkojë rishikimin e një vendimi që ka marrë formë të prerë, kur:

a) zbulohen rrethana të reja apo prova të reja me shkresë që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin nga pala gjatë shqyrtimit të saj;

b) vërtetohet se thëniet e dëshmitarëve apo mendimet e ekspertëve, mbi të cilat është bazuar vendimi, kanë qenë të rreme;

c) palët ose përfaqësuesit e tyre apo ndonjë anëtar i trupit gjykues, që ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në dhënien e vendimit;

ç) vërtetohet se vendimi i dhënë është bazuar në dokumente të falsifikuara;

d) vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës ose të një institucioni tjetër që më pas është prishur;

e) vendimi është në kundërshtim të hapur me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak.

ë) kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjen shkelje të konventës europiane “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore” dhe të protokolleve të saj, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

 

Neni 495

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 100)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 14)

Rishikimi i vendimeve për rrethanat e parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç” të nenit 494 të këtij Kodi lejohet kur ato rrethana janë vërtetuar me vendim penal të formës së prerë.

Kur ndjekja penale nuk mund të fillojë ose të përfundojë për ndonjë nga shkaqet e treguara në nenin 290 të Kodit të Procedurës Penale, ose për shkak se nuk është zbuluar personi që ka kryer falsifikimin, për vërtetimin e rrethanave të mësipërme mund të ngrihet padi në gjykatën civile.

 

 

Neni 496

Afati i paraqitjes së kërkesës

Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga dita që pala ka marrë dijeni për shkakun e rishikimit, por në çdo rast jo më vonë se një vit nga dita që ka lindur shkaku i rishikimit. Në rastet e parashikuara në nenin 495, afati prej 30 ditësh fillon nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë.

 

Neni 497

Paraqitja e kërkesës

(Ndryshuar paragrafi I e III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 101)

Kërkesa për rishikim paraqitet përpara Gjykatës së Lartë. Kërkesa duhet të përmbajë: shkakun për të cilin kërkohet rishikimi, provat përkatëse që lidhen me një nga kërkesat e nenit 494 të këtij Kodi, ditën e zbulimit apo të vërtetimit të rrethanës apo marrjes së dokumenteve.

Kërkesa nënshkruhet nga vetë pala apo avokati i pajisur me prokurë.

Kërkesa e paraqitur pa u plotësuar ose në kundërshtim me kriteret e paragrafit të mësipërm kthehet për plotësim nga gjykata. Në rast se kërkesa nuk plotësohet brenda një afati 10 ditor, ajo kthehet.

 

Neni 498

Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata e Lartë

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 102)

Kur kërkesa është bërë jashtë rasteve të përcaktuara në nenin 494 ose kur është bërë nga ata që nuk e kanë këtë të drejtë, si dhe kur rezulton haptazi e pambështetur, gjykata vendos mospranimin e saj.

Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos prishjen e vendimit tërësisht ose pjesërisht dhe dërgon çështjen për rigjykim nga një tjetër trup gjykues në gjykatën kompetente. Në rastin e përcaktuar nga shkronja “e” e nenit 494 të këtij Kodi, Gjykata e Lartë prish vendimin e dytë.

Kundër vendimit nuk lejohet ankim.

 

Neni 498/a

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 103)

Rigjykimi i çështjes nga gjykata, së cilës i është dërguar, bëhet sipas rregullave të përgjithshme.

 

 

Neni 499

Shqyrtimi paraprak

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 104)

 

 

Neni 500

Pezullimi i ekzekutimit

Paraqitja e kërkesës për rishikim nuk pezullon ekzekutimin e vendimit. Por gjykata, me kërkesën e palës, mund të pezullojë ekzekutimin e vendimit, kur vlerëson se ka rrezik që mund të shkaktohet një dëm i madh e i pariparueshëm.

 

Neni 501

Marrja e vendimit

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 104)


Neni 502

Kundërshtimi i vendimit

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 104)

 

TITULLI IV

 

KREU IV

 

KUNDËRSHTIMI I TË TRETIT

(Shfuqizuar nenet 503-509 me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 104)

 

PJESA E KATËRT

 

EKZEKUTIMI I DETYRUESHËM

 

TITULLI I PARË

 

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 510

Titujt ekzekutivë

(Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 105)

(Shtuar shkronja “d” me ligjin nr.9953, datë 14.7.2008 neni 1)

(Ndryshuar shkronja a me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 15)

Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv.

Janë tituj ekzekutivë:

a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmban një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm;

b) vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;

c)vendimet e gjykatave e të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi sipas dispozitave përkatëse të këtij Kodi;

ç) vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë;

d) aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;

dh) kambialet, çeqet e letrat me urdhër që barazohen me ato;

e) aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.

 

Neni 511

Urdhri i ekzekutimit

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 106)

(Ndryshuar fjalia e dytë e paragrafit të parë dhe paragrafi i fundit

me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 16)

Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim me kërkesën e kreditorit. Për këtë qëllim lëshohet urdhri i ekzekutimit, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit, i cili jepet:

a) për rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit të mësipërm, nga gjykata që ka dhënë vendimin;

b) për vendimet e gjykatave të shteteve të huaja e të gjykatave të arbitrazhit të huaj që u është dhënë fuqi zbatimi sipas dispozitave të këtij Kodi nga gjykata e apelit;

c) për rastet e parashikuara nga shkronja “ç” e nenit të mësipërm nga gjykata e vendit ku është dhënë vendimi;

ç) për rastet e parashikuara nga shkronjat “d”, “dh” dhe “e” nga gjykata e vendit ku është caktuar të bëhet ekzekutimi.

Nuk lëshohet urdhri i ekzekutimit për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, të cilat ekzekutohen drejtpërdrejt nga zyra e përmbarimit, pas njoftimit të vendimit.

 

Neni 512

Ankimi për mosdhënien e urdhrit të ekzekutimit

Kundër vendimit me të cilin refuzohet dhënia e urdhrit të ekzekutimit, mund të bëhet ankim sipas rregullave mbi ankimet e veçanta.

 

Neni 513

Urdhri i ekzekutimit për pasuri dhe persona të veçantë

Urdhri i ekzekutimit lëshohet vetëm në një kopje.

Kur duhet të dorëzohen disa pasuri të veçanta ose kur titulli ekzekutiv është dhënë në dobi ose kundër disa personave, mund të lëshohen urdhra ekzekutimi të veçantë, duke shënuar se cila pjesë e titullit duhet të ekzekutohet për çdo urdhër ekzekutimi.

 

Neni 514

Lëshimi i dublikatës së urdhrit të ekzekutimit

Kur urdhri i ekzekutimit humbet ose zhduket, gjykata që e ka lëshuar, me kërkesë të kreditorit, mund t’i lëshojë këtij dublikatë në bazë të titullit ekzekutiv.

Kërkesa shqyrtohet në këshill gjyqësor  pasi debitorit t’i jetë dorëzuar një kopje e saj.

Kur humbet ose zhduket vetë titulli ekzekutiv dhe nuk ka mundësi që përmbajtja e tij të nxirret nga aktet e organeve që kanë lëshuar titullin ekzekutiv, kreditori mund të ngrejë padi kundër debitorit, sipas rregullave të përgjithshme.

 

Neni 515

Vënia në ekzekutim

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 17)

Urdhri i ekzekutimit vihet në ekzekutim nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, shtetëror ose privat, me anë të përmbaruesit gjyqësor, në bazë të kërkesës së kreditorit.

Kreditori, përveç kërkesës për ekzekutim, duhet të paraqesë:

a) titullin ekzekutiv (origjinal ose i noterizuar);

b) urdhrin e ekzekutimit (origjinal);

c) pagesën e tarifës së vënies në ekzekutim;

ç) sipas rastit, prokurën e personit, që përfaqëson palën kreditore.

Kur nuk plotësohen në rregull dokumentet e mësipërme për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit, përmbaruesi i lë kërkuesit një afat 5-ditor për plotësimin e mangësive. Kur kërkuesi nuk plotëson këto mangësi brenda afatit të caktuar, dokumentacioni i kthehet atij. Kur mangësitë janë shmangur në afatin e caktuar, kërkesa për vënien në ekzekutim quhet e regjistruar nga data që është paraqitur pranë përmbaruesit gjyqësor.

Vënia në ekzekutim e urdhrit të ekzekutimit bëhet brenda 15 ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës së kreditorit.

Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit të padisë dhe gjobat e gjykatës vihen në ekzekutim brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes për ekzekutim.

Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit ekzekutiv nuk parapaguhet në raste të parashikuara me ligj apo akte të tjera normative.

 

Neni 516

Kompetenca tokësore e përmbaruesit gjyqësor

(Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 18)

Kërkesa për zbatimin e urdhrave të ekzekutimit i drejtohet përmbaruesit gjyqësor të vendit ku ndodhen:

a) sendet e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë, ndaj të cilave drejtohet ekzekutimi;

b) banimi i personit të tretë të detyruar kur ekzekutimi drejtohet kundër kredisë që ka për të marrë debitori nga ky person;

c) vendi i ekzekutimit të detyrimit për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar.

Kur përmbaruesi gjyqësor konstaton se nuk është kompetent për të vënë në ekzekutim kërkesën, ia dërgon këtë përmbaruesit gjyqësor kompetent, pasi vë më parë sekuestër mbi sendin ose mbi kredinë e debitorit.

Konflikti për kompetencë nuk lejohet, por përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë të parashtrojë moskompetencën e tij në gjykatën e shkallës së parë ku e ushtron veprimtarinë, e cila e shqyrton atë në këshill gjyqësor. Kundër vendimit të tij lejohet ankim i veçantë.Ky nen nuk zbatohet për personat, përmbaruesit gjyqësorë, që ushtrojnë veprimtarinë publike të shërbimit përmbarimor gjyqësor, të organizuar mbi baza private.

 

Neni 516/a

(Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 19)

Në çastin e fillimit të procedurës së ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor, në bazë të nenit 515 të këtij ligji, duhet të regjistrojë, në regjistrin qendror pranë Ministrisë së Drejtësisë, çdo kërkesë. Çdo përmbarues gjyqësor është i detyruar të njihet me të dhënat e regjistrit.

Nëse me fillimin e procedurës me objekt “Ekzekutim detyrimesh në të holla” përmbaruesi gjyqësor, nga të dhënat e marra nga regjistri qendror, vëren se kreditorë të tjerë janë në procedurë ekzekutimi ndaj të njëjtit debitor, me të njëjtin objekt, atëherë pezullon procedurën e nisur dhe drejton kreditorin e tij te përmbaruesi gjyqësor, i cili ka regjistruar i pari kërkesën për ekzekutim.

Në këtë rast, përmbaruesi gjyqësor, që ka regjistruar i pari kërkesën, vijon procedurën e ekzekutimit, në përputhje edhe me nenin 534 e në vijim të këtij Kodi.

Me pezullimin e procedurës së ekzekutimit, tarifa e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit, së bashku me dokumentacionin, i kthehen kreditorit.

Ky nen nuk zbatohet kur në cilësinë e palës debitore është shteti.

 

Neni 517

Lajmërimi për ekzekutimin vullnetar

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 107)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 20)

Përmbaruesi gjyqësor, kur fillon ekzekutimin, i dërgon debitorit një lajmërim për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit, duke i caktuar për këtë një afat prej 5 ditësh, kur objekti i tij është pagë ose detyrim për ushqim dhe prej 10 ditësh në të gjitha rastet e tjera.

Me marrjen e lajmërimit për ekzekutim vullnetar, debitori është i detyruar të deklarojë, me shkrim, gjendjen e tij pasurore, si dhe sendet ose kredi që persona të tretë i detyrohen, nëse kjo kërkohet nga përmbaruesi gjyqësor.

Me kërkesën e debitorit, gjykata e shkallës së parë e vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethanat e tjera të çështjes, pasi dëgjon edhe kreditorin mund të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose ta ndajë këtë detyrim në këste. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 518

Përmbajtja e lajmërimit

Lajmërimi duhet të përmbajë një shkurtim të përmbajtjes së urdhrit të ekzekutimit, vendin dhe adresën e kreditorit, dhe paralajmërimin që i bëhet debitorit se do të fillojë ekzekutimi i detyrueshëm, në qoftë se ekzekutimi nuk ekzekutohet vullnetarisht prej tij brenda afatit të caktuar në lajmërim.

Në rast se debitori vdes pas vënies në ekzekutim të titullit, por para se të jenë përfunduar së kryeri veprimet e nevojshme të ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor, para se të vazhdojë veprimet e tij, duhet t’u dërgojë trashëgimtarëve të debitorit të vdekur, kur këta janë njohur, një lajmërim të ri për të ekzekutuar këta vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit.

 

Neni 519

Fillimi i ekzekutimit të detyrueshëm

Ekzekutimi i detyrueshëm nuk mund të fillojë para se të kenë kaluar afatet e parashikuara nga neni 517 i këtij Kodi, përveç kur ka rrezik se me kalimin e afatit, ekzekutimi do të bëhet i pamundshëm. Në këtë rast, përmbaruesi gjyqësor mund të fillojë menjëherë nga ekzekutimi i detyrueshëm.

 

Neni 520

Efektet e urdhrit të ekzekutimit ndaj trashëgimtarëve

Urdhri i ekzekutimit kundër debitorit trashëgimlënës vihet në ekzekutim mbi pasurinë e trashëgimtarëve të tij, por brenda masës së pasurisë së trashëguar prej tyre nga trashëgimlënësi.

 

Neni 521

Ekzekutimi ndaj personit të tretë

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 108)

Urdhri i ekzekutimit kundër debitorit mund të vihet në ekzekutim edhe kundër personit të tretë, që për sigurimin e detyrimit ka ngarkuar me barrë sipas ligjit një send të tij, kur kreditori kërkon ekzekutimin mbi këtë send.

 

Neni 522

Ekzekutimi ndaj debitorit që nuk i dihet banimi

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 109)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 21)

Kur banimi i debitorit nuk dihet, gjykata e shkallës së parë e vendit të ekzekutimit, me kërkesën e përmbaruesit gjyqësor, pasi sqarohet edhe vetë për këtë rrethanë, brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së përmbaruesit gjyqësor i emëron debitorit një përfaqësues, i cili shpërblehet fillimisht nga kreditori sipas nenit 525 të këtij Kodi.

 

Neni 523

Detyrimi për bashkëpunim

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 22)

Kur për ekzekutimin e detyrueshëm është e nevojshme të çelet banesa ose ndonjë ndërtesë tjetër e debitorit, pa praninë e tij ose të një personi madhor të familjes së tij, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, detyrohet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i njësisë së qeverisjes vendore. Në çdo rast, përmbaruesi gjyqësor kërkon edhe pjesëmarrjen e dy dëshmitarëve të tjerë.

Në rast nevoje, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, Policia e Rendit detyrohet ta mbështesë atë gjatë procedurave të ekzekutimit.

Kur për ekzekutimin e detyrueshëm është e nevojshme të prishet objekti, të lirohet trualli, të pezullohen punimet, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, inspektorati ndërtimor pranë pushtetit vendor dhe Inspektorati Kombëtar detyrohen të mbështesin përmbaruesin gjyqësor gjatë procedurave të ekzekutimit.

Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt “Takim dhe kujdestari fëmije”, përmbaruesi gjyqësor kërkon asistencën e psikologut, kur ky i fundit është i detyruar në bazë të ligjit për bashkëpunim.

 

Neni 524

Procesverbali i përmbaruesit

Përmbaruesi gjyqësor, për çdo veprim të kryer prej tij, është i detyruar të mbajë procesberval, në të cilin përmenden dita dhe vendi i kryerjes së veprimit, kërkesat dhe deklarimet e bëra nga palët, sendet e marra, shuma e nxjerrë dhe shpenzimet e bëra për ekzekutimin.

 

Neni 525

Shpenzimet e ekzekutimit

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 23)

Tarifat e përcaktuara për ekzekutimin e urdhrit ekzekutiv paguhen fillimisht nga kreditori dhe pas përfundimit të procedurës së ekzekutimit i ngarkohen debitorit. Shpenzimet e tjera gjatë procedurës së ekzekutimit paguhen nga pala, që i ka shkaktuar ato.

 

Neni 526

Ekzekutimi ndaj personit të huaj

Ekzekutimi i detyrueshëm ndaj personit të huaj publik mund të bëhet vetëm me leje të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 526/a

Fusha e zbatimit

(Shtuar me ligjin nr.8535, datë 18.10.1999, neni 1)

Dispozitat e përgjithshme për ekzekutimin e detyrueshëm zbatohen për të gjitha llojet e titujve ekzekutivë.

Me ligj mund të vihen rregulla të posaçme për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë të caktuar, duke respektuar kërkesat e neneve 510, 511, 516, 520, 521, 523, 524, 545, 561 dhe 562 të këtij Kodi, edhe sikur të jenë tituj të fushave të veçanta të ekzekutimit të detyrueshëm sipas këtij Kodi.

 

 

TITULLI II

 

EKZEKUTIMI NË FUSHA TË VEÇANTA

 

KREU I

 

EKZEKUTIMI I DETYRIMEVE NË TË HOLLA KUNDREJT

PERSONAVE FIZIKË E JURIDIKË

 

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 527

Vënia e sekuestros

Kur kërkohet ekzekutimi i një detyrimi në të holla, përmbaruesi gjyqësor, me kalimin e afatit të lajmërimit për ekzekutim (neni 517), fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestër mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit.

 

Neni 528

(Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 24)

Me kërkesën e debitorit, sekuestroja mund të vihet edhe mbi një pasuri tjetër të tij të ndryshme nga ajo që ka treguar kreditori, kur përmbaruesi gjyqësor çmon se kjo plotëson kërkesën e kreditorit. Me kërkesë të debitorit, sekuestroja mund të vihet, përveç pasurive të rënduara me peng dhe hipotekë, edhe mbi një pasuri tjetër të tij, të ndryshme nga ajo që ka treguar kreditori, kur përmbaruesi gjyqësor çmon se ajo plotëson kërkesën e kreditorit.

 

Neni 529

Sendet mbi të cilat nuk mund të vihet sekuestroja

(Shtuar pika 8 me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 25)

Përjashtohen nga sekuestrimi i pasurisë së debitorit:

1. sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobiljet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre;

2. ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj;

3. dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë;

4. librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike të debitorit dhe të familjes së tij;

5. deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljen e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale;

6. ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme,  pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjarë ose bursa e studimit përveç kur detyrimi është për ushqim. Në këtë rast nuk mund të sekuestrohet më shumë se 1/2 e shumës së pensionit ose të bursës;

7. frutat natyrore një muaj para se ato të piqen.

8. Sendet e nevojshme të punës për sigurimin e jetesës.

 

Neni 530

Shtrirja e sekuestros mbi shpërblimin nga sigurimi

Në qoftë se sendet e sekuestruara janë të siguruara, sekuestrimi shtrihet edhe në shpërblimin që u takon nga sigurimi.

 

Neni 531

Detyrimet e debitorit pas vënies së sekuestros

Nga çasti i vënies së sekuestros, debitori nuk ka të drejtë të disponojë sendin e luajtshëm ose të paluajtshëm ose kredinë apo të ndryshojë, dëmtojë ose të zhdukë sendin, përndryshe ka përgjegjësi, sipas dispozitave të Kodit Penal. Ky detyrim shtrihet edhe mbi personat që kanë në posedim sendin e debitorit.

 

Neni 532

Llogaria në bankë e zyrës së përmbarimit dhe e përmbaruesit gjyqësor

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 26)

Shumat e nxjerra, me rastin e ekzekutimit ndaj debitorit, ndaj personit të tretë që i detyrohet debitorit, ndaj blerësit të sendit të shitur në dyqanet me shitje të lirë ose në ankand, derdhen në bankë në llogari të zyrës  së përmbarimit  ose  në  llogari të përmbaruesit gjyqësor.

 

Neni 533

Sekuestroja e pagës së debitorit

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 27)

Pasi zbritet kontributi për sigurimet shoqërore dhe taksat mbi të ardhurat, përmbaruesi gjyqësor sekuestron pagën e debitorit, por pa cenuar minimumin jetik, të përcaktuar sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

 

Neni 534

Pjesëmarrja e kreditorëve të tjerë

Në çdo fazë të ekzekutimit, gjersa nuk është përgatitur nga përmbaruesi gjyqësor projekti i ndarjes së shumave të nxjerra, mund të marrin pjesë në ekzekutim edhe kreditorët e tjerë të po atij debitori.

Marrja pjesë e kreditorëve të tjerë në ekzekutim bëhet me kërkesë të tyre të shkruar së cilës i bashkëngjitet urdhri i ekzekutimit ose një vendim nga përmbaruesi gjyqësor se urdhri i ekzekutimit i është bashkëngjitur një çështjeje tjetër që është në ekzekutim.

 

Neni 535

Kreditori që merr pjesë në ekzekutim bashkë me kreditorët e tjerë ka po ato të drejta që ka edhe kreditori, i cili ka vënë i pari sekuestron mbi sendet ose kreditë e debitorit, përveç kur ekzistojnë shkaqe të ligjshme të preferimit.

Veprimet e ekzekutimit, të kryera para se kreditori të marrë pjesë bashkë me kreditorët e tjerë, krijojnë të drejta edhe për ata.

 

Neni 536

Shteti quhet gjithmonë si kreditor që merr pjesë bashkë me kreditorët e tjerë për detyrimin që po ai debitor i ka shtetit dhe të cilët rrjedhin nga tatimet dhe nga kredi të tjera, shuma e të cilëve i është njoftuar përmbaruesit gjyqësor, para se të bëhet ndarja e shumave të tjera. Për këtë qëllim, përmbaruesi gjyqësor njofton seksionin përkatës të financës për çdo ekzekutim të filluar prej tij dhe për çdo ndarje që ai bën.

 

Neni 537

Projekti i ndarjes së shumave

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 112)

Kur shuma e nxjerrë nga ekzekutimi nuk mjafton për të paguar të gjithë kreditorët, përmbaruesi gjyqësor përgatit projektin e ndarjes, duke veçuar më parë shumat që nevojiten për kreditë që paguhen me preferim dhe nga pjesa tjetër që mbetet, paguan kreditë e tjera në përpjesëtim me shumat e tyre.

 

Neni 538

Përmbaruesi gjyqësor njofton për përgatitjen e projektit të ndarjes së shumave të nxjerra debitorin dhe kreditorët, të cilët i thërret për këtë qëllim në një ditë të caktuar prej tij.

Në qoftë se brenda 5 ditëve nga dita e paraqitjes prej përmbaruesit gjyqësor të projektit të ndarjes nuk bëhet ankim, ndarja quhet përfundimtare dhe përmbaruesi gjyqësor i dorëzon çdo kreditori shumën që i takon.

 

Neni 539

Ankimi kundër projektit të ndarjes së shumave

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Në rast se kundër projektit të ndarjes së shumave të nxjerra bëhet ankim, çështja së bashku me ankesën i dërgohet gjykatës së shkallës së parë e cila vendos në seancë gjyqësore, duke thirrur debitorin dhe kreditorët. Kundër vendimit të gjykatës për ndarjen e shumave të nxjerra mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit.

 

 

KREU II

 

EKZEKUTIMI MBI SENDET E LUAJTSHME

 

Neni 540

Inventarizimi

(Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 28)

Sekuestroja mbi sendet e luajtshme të debitorit bëhet me inventarizimin e tyre nga përmbaruesi gjyqësor. Përmbaruesi gjyqësor bën sekuestrimin e pasurive të luajtshme, mbi të cilat vendoset një etiketë e shërbimit të përmbarimit.

 

Neni 541

Inventarizimi përfshin vetëm sendet që ndodhen në shtëpinë e debitorit, si dhe ato që ndodhen në një lokal tjetër që është i përbashkët për debitorin dhe personat e tretë, përveç se kur del se ato janë të një personi tjetër.

Për inventarizimin mbahet procesverbal.

 

Neni 542

Përmbajtja e procesverbalit të inventarizimit

(Shtuar shkronja “c” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 112)

Procesverbali i inventarizimit duhet të përmbajë:

a) shënimin e urdhrit të ekzekutimit, në bazë të të cilit vihet sekuestroja;

b) emrin, emrin e atit dhe mbiemrin e përmbaruesit gjyqësor, të debitorit, kreditorit dhe të personave të tjerë që janë të pranishëm në inventarizim;

c) vendin ku kryhet inventarizimi dhe koha e kryerjes së tij;

ç) pretendimet e personave të tretë në lidhje me sendet e inventarizuara;

d) përshkrimin e hollësishëm të sendeve dhe vlerësimin e tyre;

dh) kujt i lihen për ruajtje sendet;

e) nënshkrimin e personave që marrin pjesë në inventarizim.

 

Neni 543

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 113)

Inventarizimi bëhet në prani të debitorit. Në mungesë të debitorit, inventarizimi bëhet në prani të një personi madhor të familjes së tij dhe, kur nuk ndodhet një person i tillë, në prani të një përfaqësuesi të njësisë së qeverisjes vendore. Në çdo rast inventarizimi bëhet duke qenë të pranishëm edhe dy dëshmitarë.

 

Neni 544

Vlerësimi i sendeve të inventarizuara

Sendet e inventarizuara vlerësohen nga përmbaruesi gjyqësor në bazë të vlerësimeve të ekspertëve, në bazë të çmimeve të tregut, duke u zbritur përqindja përkatëse e konsumimit ose e vjetërsisë së tyre.

 

Neni 545

Detyrimet e debitorit për sendet e lëna në ruajtje

Sendet e inventarizuara mund t’i lihen në ruajtje debitorit, i cili ka të drejtë edhe t’i përdorë, por me kusht që të mos pakësohet vlefta e tyre. Kur debitori refuzon t’i pranojë për ruajtje, përmbaruesi gjyqësor emëron në këtë detyrë një person tjetër, duke i caktuar këtij një shpërblim.

Debitori ose personi i tretë, të cilëve u janë lënë në ruajtje sendet e inventarizuara, duhet të japin llogari për të ardhurat dhe shpenzimet e bëra për sendin. Këta janë përgjegjës, sipas dispozitave të Kodit Penal, për disponimin, dëmtimin ose shkatërrimin e tyre.

 

Neni 546

Ekzekutimi mbi sendet në bashkëpronësi

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001,neni 114)

Kur ekzekutimi bëhet mbi sendet që janë në bashkëpronësi të debitorit dhe të personave të tjerë, përmbaruesi gjyqësor, pasi bën inventarizimin e gjithë pasurisë së përbashkët, i bën kërkesë gjykatës kompetente të vendit të ekzekutimit, e cila cakton dhe ndan pjesën që i takon debitorit, sipas rregullave të parashikuara nga nenet 369-374 të këtij Kodi. Mbi këtë pjesë bëhet pastaj ekzekutimi nga përmbaruesi gjyqësor.

 

Neni 547

Pavlefshmëria e disponimit pas vënies së sekuestros

Çdo disponim i sendit të luajtshëm nga ana e debitorit pas vënies së sekuestros është i pavlefshëm kundrejt kreditorëve që kanë kërkuar ekzekutimin, përveç kur me disponimin sendi ka kaluar në pronësi të një tjetri që ka qenë në mirëbesim (neni 166 i Kodit Civil).

 

Neni 548

Sekuestrimi mbi sendet e çmueshme

Sendet e çmueshme si ari, argjendi, platini dhe metalet e grupit të platinit në shufra, copë, monedha dhe artikuj të bërë prej tyre, gurët e çmueshëm, margaritarët dhe artikujt e bërë prej tyre, si dhe valuta e huaj, dokumentet e pagesës në valutë të huaj si kambiale, çeqe, mandate e letra të tjera të kësaj natyre, si dhe tituj të huaj me vleftë, si aksione, obligacione e kuponat përkatës i jepen për ruajtje një banke.

 

Neni 549

Procedura e shitjes

Përmbaruesi gjyqësor, pas vënies së sekuestros, i dërgon një lajmërim debitorit se sendet e sekuestruara do të shiten, në qoftë se brenda pesë ditëve ai nuk ekzekuton detyrimin.

 

Neni 550

Shitja e sendeve bëhet me anë të ankandit ose në dyqanet me shitje të lirë, ndërsa sendet e çmueshme (neni 548), të depozituara në bankë, i shiten asaj dhe merret kundërvlera e tyre nga përmbaruesi gjyqësor, në bazë të kursit zyrtar në kohën e pagesës së tyre.

 

 

Neni 551

(Shfuqizuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 29)

 

 

Neni 552

Caktimi i çmimit

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 30)

Çmimi i sendit të sekuestruar caktohet nga përmbaruesi, në bashkëpunim me kreditorin dhe debitorin. Kur ka kundërshtime ndërmjet tyre, thirret një ekspert.

 

 

Neni 553

Shitja e lirë e sendit

(Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 115)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 31)

Përmbaruesi e dërgon sendin për shitje në dyqane me shitje të lirë. Caktimi i shpërblimit për shitjen bëhet në marrëveshje ndërmjet përmbaruesit gjyqësor dhe shitësit. Shpërblimi nxirret nga vlera e sendit të sekuestruar pas shitjes së tij.

Në qoftë se brenda 2 muajve sendi nuk shitet në shitje të lirë, përmbaruesi gjyqësor, duke marrë edhe pëlqimin e palëve, vendos nëse duhet të vazhdojë me shitjen e lirë edhe për 30 ditë të tjera apo të kalojë në procedurë ankandi.

 

Neni 554

Ankandi

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 116)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 32)

Përmbaruesi gjyqësor, pasi njofton palët se sendi, për shkak të natyrës ose të gjendjes, nuk mund të pranohet në shitje të lirë, organizon shitjen me ankand të sendit, sipas çmimit të përcaktuar në nenin 552 të këtij Kodi.

 

Neni 555

(Shtuar fjalia e parë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 33)

Çmimi fillestar i ankandit të parë është 80 për qind e çmimit të caktuar sipas nenit 552 të këtij ligji. Kur sendi shitet në ankand, përmbaruesi gjyqësor shpall në zyrën e tij, në vendin ku ndodhet sendi dhe në vendin e caktuar për shitjen në ankand, një lajmërim ku duhet të tregohet çmimi me të cilin do të fillojë shitja në ankand, vendi, dita dhe ora që do të bëhet shitja.

Shitja nuk mund të bëhet para se të kenë kaluar pesë ditë nga shpallja.

 

Neni 556

Shitja në ankand e sendit bëhet ditën e caktuar në lajmërim dhe përfundon me mbarimin e orarit zyrtar të asaj dite.

Blerës quhet ofertuesi që ka dhënë çmimin më të lartë. Blerësi duhet ta paguajë çmimin menjëherë.

Në ankand nuk mund të marrin pjesë personat që tregohen në nenin 709 të Kodit Civil.

Për të gjitha veprimet e shitjes në ankand mbahet procesverbal.

 

 

Neni 557

Ankandi i dytë

(Ndryshaur me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 34)

Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri, jo më të ulët se 30 për qind të çmimit fillestar, të caktuar në ankandin e parë dhe cakton një ankand të dytë për shitjen e sendit.

Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, përmbaruesi i propozon në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të dytë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi heq sekuestron mbi këtë send, duke ia kthyer atë debitorit dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të tij.

 

Neni 558

Radha e shitjes së sendeve në ankand

Debitori ka të drejtë të caktojë radhën, sipas së cilës duhet të shiten sendet në ankand. Në qoftë se nga shitja e një ose disa sendeve nxirret një shumë e cila mjafton për të shlyer kredinë e kreditorit dhe shpenzimet e tjera që kanë lidhje me kredinë, ankandi përfundon dhe sendet e tjera nuk shiten.

 

Neni 559

Kalimi i pronësisë së sendit të shitur

Blerësi i sendit të shitur në dyqanin e shitjes me shitje të lirë ose në ankand bëhet pronar i tij edhe sikur sendi të mos ishte në pronësi të debitorit.

Kundër shitjes nuk mund të bëhet ankim dhe as të kundërshtohet vlefshmëria e saj, përveç rastit të parashikuar nga paragrafi i tretë i nenit 556 të këtij Kodi.

 

KREU III

 

EKZEKUTIMI MBI SENDET E PALUAJTSHME, MBI MJETET E LUNDRIMIT E TË FLUTURIMIT

 

 

Neni 560

Vënia e sekuestros

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 35)

Ekzekutimi i vendimit të gjykatës apo të titujve të tjerë ekzekutivë mbi sendet e paluajtshme të debitorit bëhet me vendosjen e sekuestros mbi to.

Sekuestroja vihet me regjistrimin e saj në zyrën e regjistrit të pasurive të paluajtshme të aktit të përmbaruesit gjyqësor, në të cilin shënohet lloji, natyra dhe të paktën tre kufij të sendit të paluajtshëm, vendi i ndodhjes së tij, si dhe hipotekat dhe të drejtat reale që mund të jenë vënë mbi të. Akti i përmbaruesit gjyqësor regjistrohet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së tij.

Një kopje e aktit të përmbaruesit gjyqësor  i komunikohet debitorit.

 

Neni 561

Sekuestroja mbi mjetet e lundrimit

Kur sekuestrohet një anije, në procesverbalin përkatës përmenden emri e kombësia e pronarit të anijes, emri i anijes, përshkrimi e kapaciteti i saj, si dhe të dhëna të tjera lidhur me regjistrimin e saj. Kopja e procesverbalit të sekuestrimit, si për anijet shqiptare ashtu dhe për ato të huaja, i jepet personit që mban regjistrin detar të anijes, si dhe drejtorit të portit ku është vendosur sekuestrimi, i cili njofton menjëherë pronarin e anijes.

Sekuestrimi ndalon lundrimin e anijes.

 

Neni 562

Sekuestroja mbi mjetet e fluturimit

Kur sekuestrohet një mjet fluturimi, në procesverbalin përkatës përmendet emri dhe kombësia e pronarit, shenjat dalluese të mjetit, vendin e regjistrimit, kapacitetin e të dhëna të tjera të kësaj natyre.

Kopja e procesverbalit të sekuestrimit i jepet komandantit të aeroportit ku është bërë sekuestrimi i mjetit.

Sekuestrimi ndalon fluturimin e mjetit. Komanda e aeroportit kur mjeti i fluturimit është i huaj, njofton menjëherë zyrën ku është regjistruar mjeti i fluturimit.

 

Neni 563

Verifikimi i të drejtës së pronësisë të debitorit

Përpara vendosjes së sekuestros, përmbaruesi gjyqësor sigurohet nëse sendi i paluajtshëm është në pronësi të debitorit. Për këtë, përmbaruesit gjyqësor duhet t’i paraqiten dokumente pronësie ose edhe vetë ai kërkon informata nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme dhe, në mungesë të tyre, nga organet financiare dhe të pushtetit lokal.

 

Neni 564

Vlerësimi i sendit të sekuestruar

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 36)

Nëse kreditori dhe debitori, brenda një jave, nuk arrijnë një marrëveshje për vlerën e sendit, mbi të cilin është vendosur sekuestroja, përmbaruesi gjyqësor, brenda 15 ditëve, përcakton me vendim vlerën e tij, bazuar në aktin e ekspertimit, të paraqitur nga një ekspert i licencuar dhe në vlerën reale të pasurisë në treg, në çastin e vënies së sekuestros mbi të.

Përmbaruesi gjyqësor, brenda 10 ditëve nga data e caktimit të vlerës, njofton kreditorin dhe debitorin për çmimin e caktuar. Kundër vendimit të përmbaruesit palët mund të bëjnë ankim të veçantë.

 

Neni 565

Detyrimet e debitorit për sendin e lënë në ruajtje

Sendi që sekuestrohet i lihet në ruajtje debitorit derisa të bëhet shitja e tij, duke qenë i detyruar debitori të kujdeset për të, si për sendin e tij.

Në rast se debitori nuk kujdeset si duhet për sendin e lënë në ruajtje, përmbaruesi gjyqësor emëron një person tjetër për ruajtjen e tij, duke i caktuar një shpërblim. Emërimi dhe caktimi i shpërblimit bëhen në marrëveshje midis përmbaruesit dhe personit tjetër. Shpërblimi nxirret nga vlera e sendit të sekuestruar, pas shitjes së tij.

Debitori ose personi tjetër, të cilëve u është lënë në ruajtje sendi i paluajtshëm i sekuestruar, duhet të japë llogari për të ardhurat e realizuara dhe shpenzimet e bëra për sendin. Ata përgjigjen sipas nenit 320 të Kodit Penal për veprime që bëhen pengesë për ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

 

Neni 566

Pavlefshmëria e veprimeve juridike të debitorit për sendet e sekuestruara

Çdo veprim i debitorit, që përbën disponim të sendit të paluajtshëm pas regjistrimit të sekuestros në zyrën e regjistrit të pasurisë së paluajtshme, është i pavlefshëm kundrejt kreditorëve që kanë kërkuar ekzekutimin.

 

Neni 567

Procedura e shitjes në ankand

Pas vënies së sekuestros, përmbaruesi gjyqësor i dërgon lajmërim debitorit se sendi i sekuestruar do të shitet, në qoftë se brenda 10 ditëve të njoftimit ai nuk e përmbush detyrimin.

Me kalimin e afatit të mësipërm, përmbaruesi gjyqësor bën shpalljen për shitjen e sendit në ankand.

 

Neni 568

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 37)

Shpallja për shitjen në ankand afishohet në zyrën e përmbaruesit gjyqësor dhe në vendin ku ndodhet sendi i paluajtshëm gjykatë, komunë, bashki, njësitë bashkiake dhe në një vend apo vende të tjera publike, që ai i çmon të përshtatshme. Shpallja duhet të përmbajë emrin, atësinë dhe mbiemrin e pronarit të sendit, nëse për sendin është vënë hipotekë dhe për çfarë shume të hollash, çmimin e sendit me të cilin do të fillojë shitja, vendi, dita kur do të përfundojë shitja në ankand. Shitja nuk mund të bëhet para se të kenë kaluar 15 ditë nga shpallja e ankandit.

Për shpalljen e shitjes në ankand duhet të njoftohen edhe kreditorët që kanë hipotekë.Çmimi fillestar në ankand është 80 për qind i çmimit të përcaktuar, sipas nenit 564 të këtij ligji.

 

Neni 569

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 38)

Shitja e sendit bëhet në zyrën e përmbaruesit gjyqësor ose në një vend tjetër publik, nëse është i përshtatshëm për zhvillimin e ankandit. Ajo vazhdon 15 ditë dhe përfundon me mbarimin e orarit zyrtar të ditës së fundit që tregohet në shpalljen për shitjen në ankand.

 

Neni 570

Secili ofertues që merr pjesë në ankand, përpara fillimit të ankandit duhet të depozitojë si garanci në zyrën e përmbarimit një shumë të hollash të barabartë me 10 për qind të çmimit të sendit të caktuar në shpallje. Kreditori nuk le garanci, në rast se kredia e tij e kalon masën e garancisë.

 

Neni 571

Procesverbali për zhvillimin e ankandit

Për zhvillimin e ankandit mbahet procesverbal, në të cilin ofertuesit shënojnë, kundrejt nënshkrimit, çmimin që japin për sendin, pavarësisht nga çmimi që ka dhënë më parë. Kur ofertuesi vepron me përfaqësues, duhet të paraqitet edhe prokura noteriale.

 

Neni 572

Pavlefshmëria e shitjes në ankand

Debitori, përfaqësuesi i tij ligjor, përmbaruesi gjyqësor si edhe personat e tjerë që tregohen në nenin 709 të Kodit Civil, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ankand.

Kur sendi blihet nga një person që nuk ka të drejtë të marrë pjesë në ankand, shitja është e pavlefshme. Në këtë rast, shuma e lënë si garanci nga blerësi kalon në dobi të shtetit dhe sendi me kërkesë të secilit kreditor mund të shitet përsëri në ankand, duke vepruar sipas rregullave të caktuara në këtë kapitull.

 

Neni 573

Shpallja e fituesit të ankandit

(Ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 39)

Në përfundim të ankandit, përmbaruesi gjyqësor shpall fituesin. Blerës i sendit është ai ofertues që ka dhënë çmimin më të lartë.

Pronësia mbi sendin i kalon blerësit vetëm pasi të ketë paguar të gjithë çmimin, duke zbritur prej tij shumën e lënë si garanci.

Garancitë e lëna nga persona të tjerë që kanë marrë pjesë në ankand, u kthehen atyre menjëherë pas përfundimit të ankandit.

Rregullat e hollësishme për zhvillimin e ankandit përcaktohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 574

Afati i pagimit të çmimit të blerjes

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 40)

Blerësi duhet të paguajë çmimin e sendit të blerë brenda 15 ditëve nga mbarimi i ankandit.

Me pagimin e çmimit dhe taksës mbi aktet për shitjen e sendit, përmbaruesi gjyqësor jep vendim për kalimin e sendit në pronësi të blerësit. Nga kjo ditë, blerësi fiton të gjitha të drejtat që kishte mbi sendin debitori.

 

Neni 575

Vënia në posedim të sendit të blerë

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 41)

Blerësi vihet në posedim të sendit nga përmbaruesi gjyqësor brenda 10 ditëve nga pagimi i çmimit të sendit si kundrejt debitorit ose personit të cilit i është lënë në ruajtje, ashtu edhe kundrejt çdo personi të tretë që ka në posedim sendin. Personi i tretë për heqjen e sendit nga posedimi, mund të mbrohet vetëm me padinë për njohjen e së drejtës së pronësisë mbi sendin.

 

Neni 576

Moskthimi i garancisë

Blerësi, që nuk paguan çmimin brenda afatit të caktuar në nenin 574 humbet të drejtën e kthimit të shumës së lënë si garanci, e cila kalon në dobi të shtetit dhe për shitjen e sendit bëhet një ankand i ri, duke vepruar sipas rregullave të caktuara në këtë kre.

 

Neni 577

Përsëritja e ankandit

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 42)

Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, jo më të ulët se 20 për qind të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë. Ankandi i dytë për shitjen e sendit zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga data e caktimit të çmimit të ri.

Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë përmbaruesi i propozon në fillim kreditorit që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të dytë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi gjyqësor heq sekuestron mbi sendin e sekuestruar dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të debitorit.

Kur kreditorët që kërkojnë të marrin sendin kundrejt kredisë janë disa, përmbaruesi gjyqësor deklaron blerës kreditorin që brenda 3 ditëve nga propozimi jep çmimin më të lartë se çmimi i caktuar për ankandin e ri.

 

Neni 578

Ekzekutimi mbi një send të paluajtshëm në bashkëpronësi

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni117)

Kur ekzekutimi bëhet mbi një send të paluajtshëm që është në bashkëpronësi, për detyrimin që ka ndonjë nga bashkëpronarët bëhet sekuestrimi i sendit. Përmbaruesi gjyqësor i bën kërkesë gjykatës për veçimin e pjesës takuese të debitorit bashkëpronar dhe mbi këtë pjesë bëhet ekzekutimi. Sendi mund të shitet në tërësi, kur për këtë kanë dhënë pëlqimin të gjithë bashkëpronarët e tjerë. Pëlqimi duhet të jepet me akt noterial.

Kur sendi është në bashkëpronësi dhe debitorët janë të gjithë bashkëpronarët, për sekuestron dhe shitjen e sendit veprohet njëlloj sikur sendi të ishte në pronësi të një debitori të vetëm.

 

Neni 579

Diferenca midis detyrimit dhe çmimit të sendit

Kur shuma e realizuar nga shitja në ankand është më e madhe se shuma e kredisë së kreditorit apo kreditorëve, diferenca i kthehet debitorit, pasi zbriten shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit apo për zhvillimin e ankandit.

 

Neni 580

Kundërshtimi i pronësisë së sendit të shitur në ankande të veprimeve të përmbaruesit gjyqësor

Shitja e sendit të paluajtshëm në ankand nuk  ndalon personin e tretë i cili pretendon se është pronari i tij që ta kërkojë sendin me padi.

Kundër shitjes në ankand mund të bëhet ankim në gjykatë në formën e kundërshtimit të veprimeve të përmbaruesit gjyqësor. Vlefshmëria e shitjes në ankand mund të kundërshtohet me anë padie, sipas rregullave të përgjithshme, vetëm për rastin e parashikuar nga neni 556 i këtij Kodi.

 

KREU IV

 

EKZEKUTIMI MBI KREDITË E DEBITORIT DHE MBI SENDET QË PERSONAT E TRETË I DETYROHEN DEBITORIT

 

 

Neni 581

Deklarimi i pasurive të debitorit

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 43)

Përpara se të vihet sekuestroja, përmbaruesi gjyqësor sigurohet për ekzistencën e kredive të debitorit dhe të sendeve, që personat e tretë i detyrohen atij.

Për këtë përmbaruesi gjyqësor njofton me shkresë personin e tretë dhe debitorin. Me marrjen e lajmërimit, pala debitore duhet të deklarojë pranë përmbaruesit gjyqësor se informacioni i paraqitur, për pasuritë e tij/saj apo të lëna në posedim personave të tretë, është i saktë e i plotë. Me marrjen e lajmërimit të sekuestrimit, personi i tretë ndalohet t’ia dorëzojë debitorit kredinë dhe sendet e tij.

Kur debitori është person juridik, deklarimi i pasurisë mund të bëhet nga një anëtar i organit drejtues, që, sipas ligjit ose statutit, ka të drejtën e përfaqësimit kundrejt të tretëve ose, në rastin e procedurave të shpërndarjes apo të falimentimit të personit juridik, mund të bëhet nga likuidatori apo administratori i falimentimit.

Ndaj debitorit, i cili jep deklarim të rremë, zbatohet neni 320 i Kodit Penal.

 

Neni 582

Përpara se të vihet sekuestro mbi këto sende, përmbaruesi gjyqësor sigurohet mbi ekzistencën e kredive të debitorit dhe të sendeve që personat e tretë i detyrohen atij, në bazë të dokumenteve dhe të dhënave të tjera të siguruara kryesisht nga përmbaruesi.

 

Neni 583

Kundërshtimi i personit të tretë

(Ndyshuar paragrafi II, III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 118)

Personi i tretë, brenda pesë ditëve nga lajmërimi i sekuestrimit, është i detyruar t’i përgjigjet përmbaruesit gjyqësor:

a) nëse pranon se kredia ose sendet, mbi të cilat është vendosur sekuestroja, janë të debitorit dhe nëse është gati të shlyejë kredinë ose të dorëzojë sendet;

b) nëse mbi kredinë ose mbi sendet kanë pretendime edhe persona të tjerë;

c) nëse mbi kredinë ose mbi sendet është vënë sekuestër edhe në bazë të një urdhri tjetër ekzekutimi.

Personi i tretë dhe, kur ky është institucion apo ndërmarrje shtetërore, personi përkatës, që nuk jep përgjigje brenda afatit të mësipërm, dënohen nga përmbaruesi gjyqësor me gjobë nga 1 000 deri në 50 000 lekë. Kjo pasojë duhet të përmendet në lajmërimin e sekuestrimit.

Kundër vendimit të përmbaruesit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 5 ditëve nga komunikimi i tij.

 

Neni 584

Kur personi i tretë në përgjigjen e tij nuk kundërshton që kredia ose sendet të jenë të debitorit, detyrohet t’ia dorëzojë këto përmbaruesit gjyqësor, i cili vepron sipas rregullave të mësipërme.

 

Neni 585

Kur personi i tretë në përgjigjen e tij kundërshton që kredia ose sendet të jenë të debitorit, ekzekutimi mbi to nuk mund të vazhdojë dhe kreditori duhet të ngrejë padi për të vërtetuar se kredia ose sendet që ka personi i tretë janë të debitorit të tij.

 

Neni 586

Kredia e siguruar me peng ose me hipotekë

Kur kredia e sekuestruar është siguruar me peng, personi që mban sendin mbi të cilin është vënë peng detyrohet të mos ia dorëzojë këtë send asnjë personi pa urdhrin e përmbaruesit gjyqësor.

Kur kredia e sekuestruar është siguruar me hipotekë, në regjistrat e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme duhet të bëhet shënim për vënien e sekuestros.

 

Neni 587

Sekuestroja mbi shpërblimet e tjera

Sekuestroja mbi pagën shtrihet jo vetëm në pagën që tregohet në lajmërimin e sekuestrimit, por edhe në çdo shpërblim tjetër që debitori merr nga e njëjta punë ose nga një punë tjetër, në të njëjtin person fizik apo juridik, shtetëror apo privat.

Kur debitori ndërron vendin e punës, lajmërimi i sekuestrimit i dërgohet qendrës së re të punës nga qendra ku punonte më parë debitori dhe quhet se i është dërguar nga përmbaruesi gjyqësor. Në këtë rast si dhe në rastin që debitori pushohet nga puna duhet të lajmërohet përmbaruesi gjyqësor brenda pesë ditëve.

 

Neni 588

Përgjegjësia për moszbatimin e urdhrit të përmbaruesit

(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8812,

datë 17.5.2001, neni 119)

Kur personi kompetent, në qendrën e punës në të cilën punon debitori, nuk bën ndalesat nga paga e debitorit, sipas lajmërimit të përmbaruesit gjyqësor ose nuk lajmëron përmbaruesin gjyqësor për kalimin e debitorit në një punë tjetër ose për pushimin e tij nga puna, dënohen nga përmbaruesi gjyqësor me gjobë deri në 30 000 lekë.

Kundër vendimit të përmbaruesit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 5 ditëve nga komunikimi i tij.

Personi i dënuar ka të drejtë të kërkojë shkarkimin e tij nga dënimi, sipas rregullave të caktuara në nenin 169 të këtij Kodi.

 

KREU V

 

EKZEKUTIMI I DETYRIMEVE NË TË HOLLA NDAJ

INSTITUCIONEVE BUXHETORE

 

Ekzekutimi ndaj detyrimeve të shtetit

 

 

Neni 589

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 120)

(Ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 44)

Ekzekutimi i detyrimeve në të holla ndaj institucioneve buxhetore bëhet vetëm në llogarinë e tyre përkatëse bankare, në kredi që ata  kanë te të tretët dhe kur nuk ka të tilla në llogari të thesarit. Nuk lejohet ekzekutimi i detyrueshëm mbi pasurinë e luajtshme e të paluajtshme të institucionit buxhetor.

Kur institucioni buxhetor nuk ka gjendje në llogarinë bankare, as kredi te të tretët dhe as në thesar, i kërkohet organit epror financiar përkatës të caktojë fondin e nevojshëm e kapitullin e buxhetit të subjektit nga do të shlyhet detyrimi ose financim të veçantë nga Buxheti i Shtetit.

Kur detyrimi i shteti është në metale të çmuara, ekzekutimi bëhet me pëlqimin paraprak të Ministrit të Financave.

Këshilli   i  Ministrave  nxjerr  udhëzim  për  mënyrën  e  ekzekutimit  të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të thesarit.

 

Neni 590

Ekzekutimi i detyrueshëm ndaj kredive të caktuara të debitorit të huaj bëhet vetëm kur nuk ka ndalim ose kufizim me ligj të veçantë ose me marrëveshje ndërkombëtare shtetërore.

 

 

Neni 591

Ekzekutimi ndaj detyrimeve të shtetit

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 121)

 

Neni 592

Ekzekutimi kur personi juridik shpërndahet ose falimenton

Kur detyrimi rëndon mbi një person juridik që shpërndahet ose falimenton, ekzekutimi bëhet nëpërmjet organit që realizon këto veprime, sipas dispozitave të veçanta.

 

 

KREU VI

 

EKZEKUTIMI MBI SHUMAT E LLOGARIVE NË BANKA

 

Neni 593

Detyrimet e bankave për të informuar zyrat e përmbarimit

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 122)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 45)

Përmbaruesi gjyqësor, njofton të gjitha bankat shtetërore dhe private të cilat janë të detyruara të informojnë zyrën përkatëse të përmbarimit kur kanë llogari, depozita ose kredi në emër të debitorit, në të kundërt përgjigjen sipas dispozitave të Kodit Penal.

 

 

Neni 594

Vënia e sekuestros mbi llogarinë e debitorit

Banka, me të marrë urdhrin e ekzekutimit, ve sekuestro mbi llogarinë, depozitat dhe kreditë e debitorit në masën e nevojshme për ekzekutimit e detyrimit, pa pezulluar pagimin e kredive që sipas nenit 605 të Kodit Civil paguhen me preferim ndaj kredisë për të cilën është vënë sekuestro.

 

Neni 595

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 26)

Shumat e nxjerra nga llogaria, depozitat dhe kreditë e debitorit kalojnë në llogarinë e kreditorit në të njëjtën bankë ose në një bankë tjetër ose kur nuk ka të tilla në llogari të zyrës  së përmbarimit  ose  në  llogari të përmbaruesit gjyqësor.

 

Neni 596

Rastet e kthimit të urdhrit të ekzekutimit debitorit

(Shfuqizuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 46))

 

Neni 597

Respektimi i radhës së preferimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 123)

Kur shuma e llogarive, depozitave ose kredive nuk është e mjaftueshme për të shlyer detyrimet e paraqitura për ekzekutim, përmbaruesi gjyqësor respekton radhën e preferimit që përcaktohet në nenin 605 të Kodit Civil.

 

Neni 598

Sanksionet dhe ankimi ndaj tyre

Kur përmbaruesi ka bazë të dyshojë se banka pa vend nuk e ekzekuton detyrimin tërësisht ose pjesërisht, shkel afatet e ekzekutimit, ose nuk respekton radhën e preferimit, përmbaruesi ka të drejtë të verifikojë në vend dokumentacionin bankar në prani të punonjësit të ngarkuar nga organi drejtues i bankës, duke mbajtur procesverbalin përkatës.

Kur konstatohen shkelje apo parregullsi përmbaruesi fikson në procesverbal veprime dhe afate të detyrueshme për bankën.

Për shkeljet dhe parregullsitë përmbaruesi ka të drejtë të zbatojë masat e parashikuara në nenin 588 të këtij Kodi, sipas rastit, ndaj punonjësit bankar fajtor ose ndaj organit drejtues të saj, që ka urdhëruar veprime të parregullta.

 

 

Neni 599

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Kundër vendimit të dënimit me gjobë mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e shkallës së parë brenda pesë ditëve nga marrja dijeni e dënimit.

 

 

Neni 600

Banka nxjerr udhëzimet e nevojshme

Banka e Shqipërisë nxjerr udhëzimet e nevojshme për mënyrën e zbatimit të dispozitave të mësipërme, të detyrueshme për të gjithë sistemin bankar.

 

KREU VII

 

EKZEKUTIMI I DETYRIMIT PËR DORËZIMIN E NJË SENDI TË CAKTUAR

 

 

Neni 601

Vënia në posedim e sendit të luajtshëm

Kur sendi i luajtshëm, për të cilin është dhënë vendim, nuk është dorëzuar vullnetarisht nga debitori, brenda afatit të caktuar në lajmërimin e përmbaruesit gjyqësor, merret në mënyrë të detyrueshme prej tij dhe i dorëzohet kreditorit.

Kur sendi nuk ndodhet pranë debitorit ose është prishur, ose pranë tij ndodhet vetëm një pjesë, merret nga debitori vlefta e sendit ose e pjesës që mungon. Kur në urdhrin e ekzekutimit nuk tregohet vlefta e sendit, kjo caktohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit, pasi të dëgjohen palët dhe, në rast nevoje, të pyeten edhe dëshmitarë dhe ekspertë. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 601/a

(Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 47)

Sendet e luajtshme, që ndodhen brenda sendit të paluajtshëm, të vënë në posedim, sipas nenit 602 të këtij Kodi, duhet të zhvendosen në përgjegjësinë e përmbaruesit dhe t’i dorëzohen debitorit ose familjarëve të tij menjëherë. Në rast se debitori ose familjarët e tij nuk janë të pranishëm gjatë lirimit, përmbaruesi mund t’i magazinojë pasuritë e luajtshme në:

a) mjedisin e liruar, në marrëveshje me kreditorin, për një periudhë kohe prej 2 muajsh;

b) në mjediset, që disponon shërbimi përmbarimor, për ruajtjen e sendeve, për një periudhë kohe prej 2 muajsh;

c) në një vend neutral, ku sendet e luajtshme mund të ruhen në mënyrë të sigurt, për një periudhe kohe prej 2 muajsh;

ç) në rezervat e shtetit, sipas rregullave në fuqi për ruajtjen e sendeve.

Për magazinimin e sendeve, sipas shkronjave “b” dhe “c” të këtij neni, shpenzimet paguhen nga debitori në çastin e marrjes në dorëzim të sendeve.

Nëse brenda 2 muajve nga lirimi, debitori nuk i kërkon sendet e tij të luajtshme, sipas shkronjave të mësipërme, apo nuk paguan të gjitha shpenzimet e lirimit dhe të magazinimit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të këtij neni, sendet e luajtshme, të sekuestrueshme, do të shiten nga përmbaruesi gjyqësor, sipas dispozitave të pjesës IV të kreut II të këtij Kodi. Përmbaruesi, pasi zbret nga shuma e përfituar nga shitja me ankand të gjitha shpenzimet për lirimin dhe magazinimin e sendeve të debitorit, derdh pjesën që mbetet në një llogari bankare, në emër të debitorit. Sendet e pasekuestrueshme i kthehen debitorit, pavarësisht vendit se ku ruhen, pa i kërkuar atij që të paguajë shpenzimet.

Sendet e luajtshme, të ndodhura brenda sendit të paluajtshëm, që nuk mund të shiten dhe nuk kërkohen nga debitori, asgjësohen apo i kalojnë institucioneve shtetërore ose enteve publike shtetërore kalim kapital.

 

Neni 602

Vënia në posedim e sendit të paluajtshëm

Kur sendi i paluajtshëm, për të cilin është dhënë vendim, nuk është liruar vullnetarisht nga debitori brenda afatit të caktuar në lajmërimin e përmbaruesit gjyqësor, kreditori vihet në posedim të sendit. Për këtë përmbaruesi gjyqësor, të paktën tri ditë përpara, i njofton debitorit ditën dhe orën, në të cilën do të vërë kreditorin në posedim të sendit.

Në ditën dhe orën e caktuar përmbaruesi gjyqësor, i pajisur me urdhrin e ekzekutimit, shkon në vendin ku ndodhet sendi dhe vë kreditorin në posedim të tij, duke porositur personat e tjerë të cilët mbajnë sendin që ta njohin si pronar kreditorin.

 

 

Neni 603

Vënia në posedim e sendit të ndodhur te personi i tretë

Kur përmbaruesi gjyqësor konstaton se sendi i paluajtshëm ndodhet në posedim të një personi të tretë, i cili ka fituar për vete posedimin e sendit, pas fillimit të çështjes për të cilën është dhënë vendimi që ekzekutohet, e vë kreditorin në posedim të sendit, duke treguar në vendim se si ka konstatuar kohën në të cilën personi i tretë ka fituar posedimin.

 

Neni 604

Përgjegjësia penale e debitorit dhe e personit të tretë

Kur debitori ose personi i tretë, të cilit i është hequr posedimi i sendit të paluajtshëm, vihet përsëri me çdo mënyrë të paligjshme në posedimin e këtij sendi, përmbaruesi gjyqësor, me kërkesën e kreditorit, i heq atij përsëri posedimin e sendit.

Në këto raste, debitori ose personi i tretë kanë përgjegjësi, sipas dispozitave të Kodit Penal.

 

KREU VIII

EKZEKUTIMI I DETYRIMIT PËR KRYERJEN E NJË VEPRIMI TË CAKTUAR

 

 

Neni 605

Rastet kur lejohet kreditori të kryejë vetë ekzekutimin

Kur debitori nuk ekzekuton detyrimin e tij, që ka të bëjë me një veprim që mund ta kryejnë edhe persona të tjerë, kreditori mund të kërkojë nga përmbaruesi gjyqësor që të lejohet ta kryejë vetë këtë veprim për llogari të debitorit.

 

 

Neni 606

Sanksionet për moskryerjen e veprimit nga debitori

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 124)

Ndaj debitorit që refuzon, kryen në mënyrë të parregullt, nuk respekton afatet ose kryen të kundërtën e asaj që me vendim të gjykatës është i detyruar, kur nuk ka vend për përgjegjësi penale, përmbaruesi gjyqësor ka të drejtën e gjobitjes deri 50 000 lekë në çdo rast deri në ekzekutimin e detyrimit.

Kundër vendimit të përmbaruesit gjyqësor mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 5 ditëve nga komunikimi i tij.

Ndaj personave të tjerë, që sipas urdhrit të ekzekutimit ose ligjit janë të detyruar të kryejnë veprime të caktuara, në rastet e përcaktuara në paragrafin e parë të këtij neni, përmbaruesi gjyqësor ka të drejtën e gjobitjes deri në 50. 000 lekë.

Kundër vendimit të përmbaruesit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 5 ditëve nga komunikimi i tij.

 

Neni 607

(Shfuqizuar me ligjin nr.8431, datë 14.12.1998, neni 12)

 

Neni 608

Ankimi

(Shfuqizuar me ligjin nr.8431, datë 14.12.1998, neni 12)

 

 

KREU IX

 

MJETET E MBROJTJES KUNDËR EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE

 

 

Neni 609

Pavlefshmëria e titullit ekzekutiv

(Ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 48)

Debitori mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit që të deklarohet se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël ose është shuar më pas.

Kur titulli ekzekutiv është një vendim gjyqësor ose vendim arbitrazhi, debitori mund të kundërshtojë ekzekutimin e titullit vetëm për fakte të ngjara pas dhënies së këtyre vendimeve.

Në këto raste, gjykata shqyrton çështjen brenda 5 ditëve dhe mund të vendosë pezullimin e vendimit me ose pa garanci. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 610

Kundërshtimi i veprimeve të përmbaruesit gjyqësor

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 125)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 49)

Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe kundër refuzimit të tij për të kryer një veprim, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve nga dita e kryerjes së veprimit apo refuzimit, kur palët kanë qenë të pranishme në kryerjen e veprimit ose kanë qenë thirrur edhe në raste të tjera nga dita që i është njoftuar ose ka marrë dijeni për veprimin ose refuzimin.

Kundër veprimeve të personave, përmbaruesit gjyqësorë, që ushtrojnë veprimtarinë publike të shërbimit përmbarimor gjyqësor të organizuar mbi baza private, pala debitore mund të paraqesë ankim në gjykatën, ku ekzekutohet titulli ekzekutiv, brenda 5 ditëve nga data e kryerjes së veprimit.

Ankimi shqyrtohet brenda 20 ditëve nga gjykata e vendit të ekzekutimit, e cila kur e sheh të nevojshme mund të thërrasë edhe palët.

Përmbaruesi gjyqësor thirret nga gjykata me cilësinë e palës së paditur.

 

 

Neni 611

Ankimi ndaj vendimit të gjykatës

Ankimi kundër veprimeve ose refuzimit të përmbaruesit gjyqësor nuk pezullon ekzekutimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.

Kundër vendimit të gjykatës bëhet ankim i veçantë.

 

 

Neni 612

Padia për kërkimin e sendit nga personi i tretë

Çdo person i tretë që pretendon se është pronar i sendit mbi të cilin bëhet ekzekutimi, mund të ngrejë padi për të ushtruar të drejtën e tij dhe kur është rasti për të përjashtuar sendin nga sekuestrimi dhe shitja.

Padia ngrihet kundër kreditorit dhe debitorit në gjykatën e vendit të ekzekutimit të vendimit. Në këto raste, gjykata mund të vendosë si masë të përkohshme pezullimin e ekzekutimit me ose pa garanci.

 

Neni 613

Efektet juridike ndaj personit të tretë

Kur gjykata pranon se personi i tretë është pronar i sendit të luajtshëm të sekuestruar, por në kohën që vendimi ka marrë formë të prerë sendi është shitur në dyqanin me shitje të lirë ose në ankand, personi i tretë ka të drejtë të kërkojë nga përmbaruesi gjyqësor çmimin e shitjes, në qoftë se nuk i është dhënë kreditorit, në të kundërt ka të drejtë të kërkojë prej debitorit atë që ka përfituar nga shitja e sendit.

Kur vërtetohet se kreditori ka ditur në kohën e shitjes së sendit të luajtshëm se debitori nuk ishte pronar i tij, ai detyrohet t’i kthejë pronarit të mëparshëm çmimin që ka marrë nga shitja e sendit dhe në qoftë se sendi i është dhënë atij në vend të kredisë së tij, detyrohet t’i kthejë sendin. Në këto raste kreditori ruan të drejtën e tij të kredisë kundrejt debitorit.

 

Neni 614

Kur gjykata pranon se personi i tretë është pronar i sendit të paluajtshëm të shitur në ankand dhe në bazë të vendimit që ka marrë formë të prerë, sendi i merret blerësit, ky ka të drejtë të kërkojë nga përmbaruesi gjyqësor çmimin që ka paguar në qoftë se ky nuk i është dhënë kreditorit. Kur ky i është dhënë kreditorit ka të drejtë të kërkojë prej tij si dhe nga debitori atë pjesë të çmimit që ka marrë nga shitja e sendit.

Blerësi ka të drejtë, po ashtu, të kërkojë nga organi shtetëror kompetent që t’i kthehen shumat që ai kishte paguar si taksë për kalimin e sendit në pronësi të tij.

Kur sendi i paluajtshëm i është dhënë kreditorit kundrejt kredisë së tij, në bazë të vendimit të gjykatës, sendi i merret këtij, ky ruan të drejtën e tij, të kredisë kundrejt debitorit.

 

KREU X

 

PEZULLIMI E PUSHIMI I EKZEKUTIMIT

 

Neni 615

Pezullimi i ekzekutimit

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 50)

Ekzekutimi pezullohet:

a) me vendim të gjykatës;

b) me kërkesë të kreditorit;

c) me rastet e parashikuara nga shkronjat “c” dhe “ç” të nenit 297 të këtij Kodi, me përjashtim të shitjes në ankand të një sendi të paluajtshëm, për të cilin është shpallur lajmërimi;

ç) në raste të tjera të parashikuara nga ligji.

d) kur përmbaruesi gjyqësor, vetë ose me kujdesin e kreditorit, nuk gjen pasuri të debitorit, brenda 6 muajve nga fillimi i ekzekutimit;

dh) kur kreditori nuk paraqitet, pa shkaqe të arsyeshme, brenda 3 muajve nga njoftimi i dytë shkresor, bërë nga përmbaruesi gjyqësor.

Pas rënies së masës së pezullimit, ekzekutimi vazhdon nga veprimi procedural i mbetur në çastin e pezullimit.

 

Neni 616

Pushimi i ekzekutimit

(Shfuqizuar shkronja d me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 51)

Ekzekutimi pushon:

a) kur debitori i paraqet përmbaruesit gjyqësor dëftesën me nënshkrimin e kreditorit, të vërtetuar rregullisht, se ka paguar shumën që shënohet në urdhrin e ekzekutimit ,ose kuitancë të zyrës postare ose shkresë të bankës me të cilat vërtetohet se shuma që shënohet në urdhrin e ekzekutimit është derdhur në dobi të kreditorit;

b) kur kreditori heq dorë me shkresë nga ekzekutimi;

c)kur urdhri i ekzekutimit shfuqizohet;

ç) kur me vendim të gjykatës që ka marrë formën e prerë, është pranuar padia e debitorit sipas nenit 610 të këtij Kodi, ose e personit të tretë sipas nenit 613 të këtij Kodi;

d) shfuqizuar.

 

Neni 617

Ankimi kundër pezullimit dhe pushimit të ekzekutimit

(Ndryshuar fjalia e parë e paragrafit të tretë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 52)

Pezullimi i ekzekutimit, përveç rastit kur vendoset nga gjykata, si dhe pushimi i ekzekutimit vendosen nga përmbaruesi gjyqësor.

Kundër këtyre vendimeve mund të bëhet ankim në gjykatën e shkallës së parë  (neni 611 i këtij Kodi).

Kur vendimi i pushimit të ekzekutimit merr formën e prerë, përmbaruesi gjyqësor e heq sekuestron e vënë mbi sendet e luajtshme ose të paluajtshme dhe në rastin e parashikuar nga shkronja “b” e nenit 616 të këtij Kodi, i kthen urdhrin e ekzekutimit kreditorit, i cili ka të drejtë të paraqesë kërkesë të re për ekzekutim brenda kohës së parashkrimit. Në këtë rast, parashkrimi i ri fillon nga dita që vendimi për pushimin e ekzekutimit ka marrë formën e prerë.

 

KREU XI

 

DISPOZITA TRANZITORE DHE TË FUNDIT

 

Neni 618

Çështjet që janë në gjykim në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Kodi do të gjykohen sipas kodit të mëparshëm derisa vendimi të marrë formën e prerë sipas nenit 451 të këtij Kodi.

 

Neni 619

Rekurset kundër vendimeve të gjykatës së apelit dhe kërkesat për mbrojtje të ligjmërisë përpara Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë të regjistruara deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Kodi do të shqyrtohen sipas dispozitave të kodit të mëparshëm.

 

Neni 620

Me hyrjen në fuqi të këtij Kodi shfuqizohen: ligji nr.6341, datë 27.6.1981 “Për Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë”, ligji nr.7537, datë 17.12.1991 “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë”, ligji nr.7922, datë 19.4.1995 “Për një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë”, kreu X/I “Amortizimi” nenet 59a, 59b, 59c të ligjit nr.7782, datë 26.1.1994 “Për disa ndryshime në dekretin nr.3702, datë 8.7.1963 “Për Çekun”, si dhe çdo dizpozitë tjetër që vjen në kundërshtim me këtë Kod.

 

Dispozita kalimtare

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 127)

Çështjet civile që janë në gjykim ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që sipas Kodit të Procedurës Civile duhet të gjykohen me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, për të cilat ky ligj parashikon gjykimin e tyre me një gjyqtar, do të vazhdojnë të gjykohen nga i njëjti trup gjykues derisa vendimi të marrë formë të prerë.

Kërkesat që kanë të bëjnë me përjashtimin e gjyqtarit, kërkesëpaditë me objekt kundërshtimi i të tretit, rishikimi i vendimit, si dhe rekurset në interes të ligjit, të paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë të gjykohen sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile.

 

Dispozitë kalimtare

(Parashikuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 53)

Çështjet që janë në procedurë ekzekutimi në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të ekzekutohen sipas procedurave ligjore të mëparshme, derisa ekzekutimi i urdhrit ekzekutiv të jetë pezulluar, pushuar ose të ketë përfunduar.

 

Neni 621

Ky Kod hyn në fuqi më 1 qershor 1996.

 

 

Shpallur me dekretin nr.1474, datë 18.4.1996 të Presidentit të Republikës së  Shqipërisë, Sali Berisha.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim