Ligji Nr. 9518, datë 18.4.2006

“PËR MBROJTJEN E TË MITURVE NGA PËRDORIMI I ALKOOLIT”

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

V E N D O S I:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi i ligjit

 

Ky ligj ka si qëllim parandalimin e pasojave shëndetësore nga konsumi i alkoolit, nëpërmjet përdorimit të pijeve alkoolike nga të miturit.

 

Neni 2

Objekti i ligjit

Objekti i ligjit është ndalimi i përdorimit të pijeve alkoolike nga të miturit.

Në kuptimin e këtij ligji, pije alkoolike konsiderohen ato pije, që në volumin e tyre kanë përqindje të alkoolit të barabartë ose më të lartë se 1,2 për qind.

 

Neni 3

Reklama e pijeve alkoolike

Konsiderohet reklamë e pijeve alkoolike çdo formë komunikimi, udhëzimi apo veprimi tregtar i ngjashëm me to dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo ndikon në nxitjen e përdorimit të alkoolit.

Neni 4

Ndalime për përdorimin e alkoolit

Ndalohet shitja ose ofrimi falas i pijeve alkoolike të miturve apo konsumimi i tyre në vende publike nga të miturit.

Në kuptimin e këtij ligji, vendi publik përfshin çdo njësi tregtare, bar, restorant ose klub nate.

 

Neni 5

Frekuentimi i lokaleve të natës

Përveç rasteve kur është i shoqëruar nga prindi ose kujdestari i tij, një i mitur nuk mund të frekuentojë, nga ora 2200 deri në orën 600, një bar apo lokal nate, në të cilin tregtohet pije alkoolike. Personi që shoqëron të miturin paraqet në hyrje të lokalit dokumentin e identifikimit të vet, si dhe dokumente që vërtetojnë lidhjen e tij si prind ose si kujdestar i të miturit.

Pronarët e lokaleve të natës, në të cilat tregtohen pije alkoolike ose personeli i punësuar nuk lejojnë hyrjen në lokal të personave që nuk janë dukshëm madhorë, pa kërkuar më parë dokumentin e identifikimit.

 

Neni 6

Dokumenti i identifikimit

1. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, si dokument identifikimi, për të vërtetuar që personi nuk është i mitur, shërben njëri nga këto dokumente:

a) certifikata e lindjes me fotografi;

b) pasaporta për udhëtim jashtë shtetit;

c) dëshmia e aftësisë për drejtim automjetesh;

ç) karta e identitetit të nxënësit;

d) çdo dokument tjetër zyrtar i njëvlefshëm me to.

2. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, si dokument identifikimi, për të vërtetuar lidhjen e personit madhor me të miturin, të cilin ai po shoqëron, shërbejnë:

a) certifikata e lindjes së të miturit me fotografi, së bashku me dokumentin identifikues të personit madhor, sipas përcaktimit të dhënë në pikën 1 të këtij neni;

b) pasaporta për udhëtim jashtë shtetit e të miturit, së bashku me dokumentin identifikues të personit madhor, sipas përcaktimit të dhënë në pikën 1 të këtij neni.

 

Neni 7

Detyrimi për kontroll të dokumentit identifikues

1. Subjektet që tregtojnë pije alkoolike në tregje dhe lokale ose personeli i punësuar prej tyre kontrollojnë dokumentin identifikues për personat që nuk janë dukshëm madhorë.

2. Në rast të mungesës së dokumentit identifikues, personat që nuk janë dukshëm madhorë nuk pranohen në lokale nate e nuk u shërbehet në tregje.

3. Subjektet që tregtojnë pije alkoolike janë të detyruar të vendosin në hyrje të lokaleve tabela treguese me shënimin “Ndalohet shitja e alkoolit personave nën 18 vjeç”.

4. Tabela treguese duhet të jetë e dallueshme me një format minimumi A4.

 

Neni 8

Ndalimi i pijeve alkoolike në institucionet arsimore

Ndalohet përdorimi dhe çdo lloj reklamimi i pijeve alkoolike në institucionet arsimore për të mitur.

 

Neni 9

Ndalimi i publicitetit për pijet alkoolike në median vizive

1. Ndalohet transmetimi i publicitetit për pijet alkoolike në brendësi të një programi drejtuar të miturve, si dhe 15 minuta para dhe pas këtij programi.

2. Ndalohet prodhimi dhe transmetimi i publicitetit që përmban skena me të mitur, të cilët konsumojnë pije alkoolike.

 

Neni 10

Reklamat e pijeve alkoolike

1. Ndalohet çdo formë reklame e pijeve alkoolike që u drejtohet të miturve.

2. Ndalohet çdo reklamë e pijeve alkoolike në sallat e kinemave apo teatrove gjatë shfaqjes për të mitur.

 

KREU II

MASAT DETYRUESE

 

Neni 11

Kundërvajtjet administrative

1. Tregtimi nga njësitë tregtare i pijeve alkoolike të miturve përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë.

2. Tregtimi apo ofrimi falas i pijeve alkoolike nga baret, restorantet ose klubet e natës të miturve përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë.

3. Frekuentimi nga të miturit i klubeve të natës, në të cilat tregtohen pije alkoolike, përbën kundërvajtje administrative dhe subjekti dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë.

4. Mungesa e tabelave treguese me shënimin “Ndalohet shitja e alkoolit personave nën 18 vjeç” në njësitë tregtare, bare, restorante ose klube nate përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 10 mijë lekë;

5. Reklamimi drejtpërdrejt ose tërthorazi i pijeve alkoolike drejtuar të miturve në të gjitha mjediset e tjera, përjashtuar ato arsimore, si rrugë, parqe etj., përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë.

 

Neni 12

Dispozita për mediat vizive

1. Transmetimi i publicitetit për pijet alkoolike në brendësi të një programi drejtuar të miturve, si dhe 15 minuta para dhe pas këtij programi përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 200 mijë lekë.

2. Prodhimi dhe transmetimi i publicitetit që përmban skena me të mitur, të cilët konsumojnë pije alkoolike, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 300 mijë lekë.

3. Çdo lloj reklame e pijeve alkoolike në sallat e kinemasë apo teatrove gjatë shfaqjes për të mitur përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 mijë lekë.

 

KREU III

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 13

1. Radiotelevizionet, mediat e shkruara publike ose private, si edhe agjencitë publicitare, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miratojnë rregulla për përmbajtjen e mesazheve publicitare që kanë të bëjnë me pijet alkoolike.

2. KKRT-ja është organi përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji nga personat e licencuar prej tij.

 

Neni 14

1. Për zbatimin e nenit 11 pikat 1, 2, 3 dhe 4 ngarkohet Inspektorati Sanitar Shëndetësor.

2. Për zbatimin e nenit 11 pika 5 ngarkohet policia bashkiake.

3. Ekzekutimi i gjobave dhe procedura e ankimit ndaj tyre bëhet në bazë të ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.

 

Neni 15

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

 


[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 46, datë 15 Maj 2006, Faqe 1390

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim