LIGJ
Nr. 9668, datë 18.12.2006

PËR EMIGRIMIN E SHTETASVE SHQIPTARË PËR MOTIVE PUNËSIMI

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 389, datë 3.3.2011)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1
Objekti dhe qëllimi

1. Ky ligj rregullon marrëdhëniet në fushën e emigrimit, për qëllime punësimi ose formimi profesional nëpërmjet punës të shtetasve shqiptarë, që largohen nga Republika e Shqipërisë.
2. Qëllimi i këtij ligji është përkujdesja, mbrojtja, ruajtja e identitetit kombëtar të shtetasve shqiptarë, mbajtja dhe forcimi i lidhjeve të tyre me vendlindjen gjatë kohës që janë të punësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ky ligj synon:
a) menaxhimin e proceseve emigratore;
b) mbrojtjen e të drejtave politike, ekonomike dhe sociale të emigrantëve;
c) parandalimin e emigrimit të parregullt dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, duke zgjeruar kanalet e emigrimit të rregullt;
ç) rritjen e bashkëpunimit me partnerët socialë, OJF-të e njohura ligjërisht, vendase dhe të huaja dhe agjencitë private të punësimit.
3. Në çdo rast, shteti shqiptar garanton të njëjtën mbrojtje, si për shtetasit që ndodhen brenda territorit të tij, ashtu dhe për shtetasit shqiptarë që ndodhen përkohësisht të punësuar jashtë Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 2
Përkufizime

(Ndryshuar pika 14 dhe 16 dhe shtuat pika 23 me ligjin nr. 10 389, datë 3.3.2011)

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Emigrim për motive punësimi” është largimi me dëshirë i shtetasit shqiptar nga territori i Republikës së Shqipërisë për t’u punësuar, vetëpunësuar, për t’u formuar profesionalisht nëpërmjet punës në një shtet tjetër ose për t’u ribashkuar me pjesëtarin e familjes që ka emigruar.
2. “Emigrant” është personi që është, ka qenë apo do të jetë i punësuar ose i vetëpunësuar, në mënyrë të rregullt, në një veprimtari fitimprurëse, jofitimprurëse ose veprimtari publike, me ose pa kufizim kohor, në një shtet të ndryshëm nga ai i shtetësisë së tij/saj.
3. “Emigrant i parregullt” është shtetasi shqiptar emigrant, i cili nuk përmbush të gjitha kushtet dhe kërkesat e vendosura nga shteti pritës për hyrjen, transitin, qëndrimin dhe ushtrimin e një veprimtarie fitimprurëse, jofitimprurëse ose publike në territorin e këtij shteti.
4. “Emigrant afatgjatë” është emigranti, i cili qëndron jashtë shtetit për një periudhë kohore më të gjatë se një vit.
5. “Emigrant afatshkurtër” është emigranti, i cili qëndron jashtë shtetit për një periudhë kohore më të shkurtër se një vit.
6. “Shteti shqiptar” janë të gjitha autoritetet shtetërore përgjegjëse dhe institucionet e tjera shtetërore, të cilat mund të lidhen, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me aspektet e punësimit, të formimit profesional nëpërmjet punës, punësimit ndërkufitar, punësimit sezonal, si dhe me aspektet e përkujdesjes ndaj shtetasve shqiptarë gjatë emigrimit.
7. “Emigrim i rregullt” është lëvizja e një personi nga territori i Republikës së Shqipërisë në një vend tjetër, në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore, që rregullojnë daljen nga vendi i origjinës, udhëtimin, transitin, hyrjen dhe qëndrimin në vendin pritës.
8. “Menaxhim i emigrimit” është procesi i hartimit, i harmonizimit dhe zbatimit të politikave, përmirësimeve ligjore dhe administrative të vendeve të origjinës dhe të vendeve pritëse.
9. “Autoritete shtetërore përgjegjëse” janë ministritë e përmendura shprehimisht në dispozitat e këtij ligji, si dhe çdo strukturë tjetër në varësi të tyre, që mbulojnë çështjet e trajtuara nga ky ligj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të të Barabarta është autoriteti kryesor koordinues për zbatimin e këtij ligji.
10. “Punësim ndërkufitar” është punësimi i shtetasve shqiptarë, që lëvizin nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e zonave kufitare të një shteti fqinj me Republikën e Shqipërisë, për ushtrimin e veprimtarive të punësimit, në bazë të kontratave, me kusht që të rikthehen në vendbanimin e tyre të përhershëm çdo ditë ose të paktën një ditë në javë, duke ruajtur vendbanimin e tyre të përhershëm në vendin e origjinës.
11. “Punësim stinor” është punësimi i shtetasve shqiptarë, që kryhet vetëm gjatë një periudhe të vitit dhe në varësi të kushteve stinore.
12. “Punëdhënës” është çdo shtetas, shqiptar ose i huaj, me seli brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili ka nënshkruar një kontratë pune me emigrantin shqiptar.
13. “I vetëpunësuar” është emigranti, i cili ka qenë, është ose do të angazhohet në një veprimtari fitimprurëse, duke siguruar jetesën nëpërmjet kësaj veprimtarie, duke punuar, vetëm ose bashkë me pjesëtarët e familjes, si dhe çdo emigrant tjetër, i përcaktuar si i vetëpunësuar nga legjislacioni i shtetit ku ai është punësuar nga marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe.
14. “Emigrant i rikthyer” është shtetasi shqiptar i rikthyer në Republikën e Shqipërisë, për t’u larguar përsëri ose jo, pasi ka kaluar të paktën një vit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Të tillë janë edhe refugjatët e riatdhesuar, me dëshirë apo me detyrim, viktimat e trafikimit, fëmijët e pashoqëruar, të burgosurit e luftës, si dhe anëtarët e familjes së tyre. Emigrant i rikthyer është dhe shtetasi shqiptar i rikthyer me dëshirë apo detyrim nga vendet pritëse në Republikën e Shqipërisë, për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit e të kushteve për hyrjen, praninë apo qëndrimin e rregullt në shtetet pritëse, në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit, si dhe anëtarët e familjes së tyre.
16. “Regjistri për emigrantët” është dokumenti zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i cili përmban një bazë të dhënash për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë e për shtetasit shqiptarë që janë kthyer nga emigrimi, të cilët janë objekt i këtij ligji.
17. “Kurse formimi orientuese” janë kurset për formim profesional, gjuhësor dhe njohuri të tjera, për të drejtat dhe detyrimet e punëtorëve emigrantë, si dhe për kulturën dhe kushtet e punës në vendin pritës, në territorin e Republikës së Shqipërisë, para nisjes, deri në tri javë, intensive, vetëm për shtetasit, që kanë siguruar një kontratë pune jashtë vendit dhe janë në pritje të largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, që do të emigrojnë apo do të ribashkohen me ta.
18. “Statusi i emigrantit” është dokumenti zyrtar, i miratuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që u jepet shtetasve shqiptarë emigrantë, që plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj.
19. “Informacion i rremë” është çdo informacion i pasaktë për procesin e emigrimit dhe ofertat për punësim, kushtet e punës, shpërblimin, formimin dhe punësimin aktual në vendin pritës.
20. “Emigrantë të kualifikuar” janë shtetasit shqiptarë, që kanë marrë një gradë akademike, që kanë formim apo përvojë të mjaftueshme për vendin e punës, për të cilin paraqesin kërkesë, siç përcaktohet nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si autoriteti shtetëror përgjegjës.
21. “Trafikim” është prokurimi për qëllim përfitimi financiar ose material, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga kalimi i paligjshëm në një shtet palë të një personi, në të cilin ai nuk është shtetas apo rezident i përhershëm.
22. “Kontrabandim” është ndërmjetësimi për të arritur, drejtpërdrejt apo tërthorazi, përfitim financiar ose përfitim tjetër material, nga hyrja e paligjshme e një personi në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke shkelur legjislacionin përkatës.

23. “Grupe vulnerabël” janë kategoria e emigrantëve më të prekshëm për t’u bërë objektiv i trafikimit.

 

Neni 3
Politikat shtetërore të emigrimit

1. Shteti shqiptar menaxhon emigrimin e shtetasve shqiptarë, duke e vlerësuar atë si një zgjedhje të individit dhe në respekt të lirisë së lëvizjes së lirë të shtetasve.
2. Autoritetet shtetërore përgjegjëse krijojnë lehtësi ligjore dhe administrative, të nevojshme për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të ligjshme ose që dëshirojnë të rikthehen.
3. Autoritetet shtetërore përgjegjëse krijojnë lehtësi ligjore dhe administrative, të nevojshme për menaxhimin e emigrimit, nëpërmjet informimit periodik, publik ose individual, për situatën ligjore dhe ndryshimet që mund të jenë bërë në shtetet pritëse, për punësimin dhe formimin profesional.
4. Autoritetet shtetërore përgjegjëse mbështesin punësimin ndërkufitar të shtetasve shqiptarë, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe/shumëpalëshe, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet nënligjore në fuqi.

 

Neni 4
Subjektet dhe fusha e zbatimit

1. Subjekte të këtij ligji janë shtetasit shqiptarë, të cilët:
a) kanë emigruar në mënyrë të rregullt dhe janë punësuar ose vetëpunësuar e që qëndrojnë në një vend të huaj;
b) nuk janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, por janë regjistruar pranë autoriteteve shtetërore përgjegjëse, organizatave dhe agjencive private dhe publike të punësimit në Republikën e Shqipërisë, që organizojnë punësimin jashtë vendit, si kandidatë të mundshëm për të emigruar për punësim apo formim profesional nëpërmjet punës, jashtë vendit, ose që kanë marrë leje qëndrimi/pune dhe janë në prag të largimit;
c) janë rikthyer në Republikën e Shqipërisë nga shteti pritës pas përfundimit të kontratës së punës;
ç) janë rikthyer vullnetarisht ose me detyrim në Republikën e Shqipërisë nga shteti pritës, ngaqë kanë qenë pa dokumentacionin përkatës ose në një situatë të parregullt, në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit, të nënshkruara ndërmjet Republikës së Shqipërisë, vendeve pritëse dhe të transitit, si dhe të marrëveshjes së ripranimit me Komunitetin Evropian.
2. Gjithashtu, janë subjekte të këtij ligji edhe studentët, të cilët, gjatë periudhës së studimeve, kanë qenë ose janë në marrëdhënie pune, sipas legjislacionit të vendit pritës.

 

KREU II
TË DREJTAT E PUNËTORËVE EMIGRANTË SHQIPTARË

 

Neni 5
E drejta për të emigruar

1.Në përputhje me kushtet e parashikuara në këtë ligj dhe me parimet e përgjithshme të akteve ndërkombëtare, të detyrueshme për t’u zbatuar nga Republika e Shqipërisë, ç do shtetas shqiptar ka të drejtë të emigrojë nga territori i Republikës së Shqipërisë.
2. Të drejtën e parashikuar në pikën 1 të këtij neni shtetasi shqiptar duhet ta ushtrojë në përputhje me këtë nen.
3. E drejta e parashikuar në pikën 1 të këtij neni kufizohet vetëm në rastet kur cenohet siguria kombëtare, shëndeti dhe morali publik, të drejtat dhe liritë e të tjerëve, si dhe kur ka një vendim gjykate të formës së prerë.
4. Çdo shtetas shqiptar gëzon të drejtën e mundësive dhe të trajtimit të barabartë për të emigruar, pa dallim race, ngjyre, seksi, etnie, besimi fetar, bindjeje politike apo origjine sociale.

 

Neni 6
Liritë dhe të drejtat politike

1. Emigrantët shqiptarë gëzojnë liritë dhe të drejtat politike, të parashikuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar në fuqi, si dhe duke marrë pjesë aktive në jetën politike të vendit.
2. Autoritetet shtetërore përgjegjëse krijojnë lehtësitë e nevojshme për emigrantët shqiptarë, që të ushtrojnë të drejtën e votës, duke respektuar dispozitat ligjore të Kodit Zgjedhor dhe legjislacionin e shtetit pritës.

 

Neni 7
E drejta e përfaqësimit të emigrantëve

Emigrantët shqiptarë, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur të organizatave dhe shoqatave të tyre, kanë të drejtë të kontaktojnë dhe të bashkëpunojnë me organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të shtetit shqiptar, si dhe me përfaqësitë diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë në vendet pritëse, për të shprehur dhe mbrojtur interesat e tyre, duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi.

 

Neni 8
E drejta për të përfituar nga shërbimet shtetërore

(Shtuar pika 1/1 me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse ose agjencitë private të punësimit duhet t`u sigurojnë shtetasve shqiptarë, që dëshirojnë të emigrojnë, përfshirë edhe emigrantët e rikthyer, të drejtën e informimit dhe të këshillimit falas në fushën e formimit profesional, të shërbimeve të ndërmjetësimit për punësim, të mbrojtjes sociale, të organizimit në sindikata, të mundësive për strehim, arsimim dhe sigurime shoqërore, si dhe të njohjes së kushteve të jetesës e të punës në vendin pritës, nëpërmjet mjeteve mediatike, broshurave etj.

1/1. Në zyrat përkatëse të punësimit ngrihen dhe funksionojnë sportelet e migracionit, të cilat ofrojnë shërbim informimi për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë, si dhe mbështetje për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer.
2. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ndihmon në organizimin e kurseve të formimit orientues, pa pagesë, për mësimin e gjuhës ose të njohurive bazë për profesionet e kërkuara nga shteti pritës për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të emigrojnë, si dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, që do të emigrojnë apo do të ribashkohen me ta, me kusht që të jenë të regjistruar në “Regjistrin për emigrantët”.

 

Neni 9
Pagesat doganore dhe taksat

(Hequr fjalë në pikën 1 me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse përjashtojnë nga pagesat doganore dhe taksat emigrantët shqiptarë, për:
a) sendet vetjake dhe pronësitë e luajtshme të punëtorëve migrantë dhe pjesëtarëve të familjes, që i përkasin njësisë familjare;
b) një sasi veglash dore dhe pajisjesh të lëvizshme, të nevojshme për profesionin që do të ushtrojnë.
2. Përjashtimet e mësipërme do të zbatohen në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

 

KREU III
DETYRIMET E SHTETASVE SHQIPTARË QË DËSHIROJNË TË EMIGROJNË

 

Neni 10
Detyrimi për t`iu përmbajtur motivit të punësimit

(Shfuqziuar pika 2 me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Emigrantët në vendet pritëse kanë detyrimin t’i përmbahen motivit të punësimit, për të cilin kanë emigruar.
2. Shfuqizuar.

 

Neni 11
Dokumentacioni për punësim

Shtetasit shqiptarë që kërkojnë të emigrojnë, përveç dokumentacionit, që kërkohet në bazë të legjislacionit të vendeve pritëse, duhet të kenë një kontratë pune me punëdhënësin, si dhe pasaportën ose një dokument të vlefshëm udhëtimi, të pranuar nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë dhe i shtetit pritës, me vizë hyrëse të shtetit pritës.

 

Neni 12
Regjistrimi i shtetasve

(Ndryshuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Çdo shtetas shqiptar, që kërkon të emigrojë për qëllime punësimi, si dhe shtetasit shqiptarë të rikthyer regjistrohen në “Regjistrin për emigrantët”, pranë sporteleve të migracionit në zyrat përkatëse të punësimit.
2. Regjistri qendror për emigrantët administrohet nga struktura përgjegjëse për çështjet e migracionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
3. Shtetasit shqiptarë të rikthyer, të regjistruar në “Regjistrin për emigrantët”, përfitojnë shërbim informimi dhe referimi në autoritetet shtetërore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për riintegrim.
4. Forma, përmbajtja e regjistrit, dokumentacioni dhe procedurat e regjistrimit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Neni 13
Përfitimi i statusit të emigrantit

(Ndryshuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Përfiton “Statusin e emigrantit” çdo emigrant i regjistruar në “Regjistrin për emigrantët” në zyrat e punësimit dhe që plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj për të përfituar “Dokumentin e statusit të emigrantit”.
2. Statusi i emigrantit krijon mundësinë që mbajtësi/titullari i këtij statusi të përfitojë nga kurset e formimit orientues, pa pagesë, për mësimin e gjuhës, ose të njohurive bazë për profesionet e kërkuara nga shteti pritës, për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, si dhe nga programet e nxitjes së punësimit dhe kurset e formimit profesional publik falas, për emigrantët e rikthyer.
3. “Dokumenti i statusit të emigrantit” është dokument identifikues për mbajtësin/titullarin e tij edhe për përfitimin nga shërbimet e tjera specifike, si në fushën e strehimit, të shëndetësisë, të arsimit, të mbrojtjes shoqërore, të investimeve në vend etj.
Kriteret për përfitimin e këtyre shërbimeve nga titullari/mbajtësi i statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrave përgjegjës, sipas fushave që ata mbulojnë.
4. “Dokumenti i statusit të emigrantit” është një dokument identifikimi dhe lëshohet nga zyra përkatëse e punësimit pranë njësisë së qeverisjes vendore.
5. Forma dhe përmbajtja e dokumentit, dokumentacioni përkatës dhe procedurat për përfitimin e statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

KREU IV
DETYRIMET E AUTORITETEVE SHTETËRORE PËRGJEGJËSE

 

Neni 14
Respektimi i lëvizjes së lirë

Shteti shqiptar nuk e kufizon emigrimin për qëllime punësimi.Autoritetet shtetërore përgjegjëse ndihmojnë dhe lehtësojnë integrimin e emigrantëve të punësuar në vendet pritëse, duke zbatuar detyrimet që rrjedhin nga konventat, ku Republika e Shqipërisë është palë.

 

Neni 15
Respektimi i parimit të barazisë gjinore

Autoritetet shtetërore përgjegjëse respektojnë dhe nxisin parimin e mundësive të trajtimit të barabartë gjinor të emigrantëve shqiptarë gjatë të gjitha fazave të procesit të emigrimit, veçanërisht gjatë fushatave publicitare ose informuese, rekrutimit, mundësive për punësim, mbrojtjes së të drejtave të tyre jashtë vendit, si dhe gjatë kthimit, nga subjekte shtetërore dhe private.

 

Neni 16
Ndalimi i trafikimit

1.Autoritetet shtetërore përgjegjëse parandalojnë dhe marrin të gjitha masat për të eliminuar trafikimin dhe kontrabandimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi.
2. Autoritetet shtetërore përgjegjëse shqiptare dhe ato të vendeve pritëse bashkëpunojnë për bashkërendimin dhe harmonizimin e instrumenteve ligjore, për parandalimin dhe reduktimin e trafikimit dhe të kontrabandimit të shtetasve shqiptarë për motive punësimi.
3. Të miturit, që nuk kanë mbushur moshën për punë, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, nuk mund të largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë për motive punësimi, me përjashtim të rasteve kur largimi është për motive formimi profesional nëpërmjet punës.
4. Autoritetet shtetërore përgjegjëse hartojnë dhe zbatojnë politika për mbrojtjen dhe sigurimin e ndihmës për viktimat e trafikimit.

 

Neni 17
Mosdiskriminimi i emigrantëve shqiptarë

1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse verifikojnë dhe ndërhyjnë për respektimin e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në vendet pritëse, në zbatim të instrumenteve ndërkombëtare, të ratifikuara nga këto vende, për nënshkrimin dhe zbatimin e kontratës së punës, në rastet e diskriminimit të padrejtë, të pajustifikuar apo arbitrar.
2. Punëtorët migrantë gëzojnë trajtim të njëjtë me shtetasit e vendeve pritëse për kushtet e punës, pagesën e sigurimeve shoqërore, anëtarësinë në sindikata, pavarësisht shtetësisë, racës, seksit dhe besimit fetar.

 

Neni 18
Botimi i ofertave për punësim

Autoritetet shtetërore përgjegjëse dhe agjencitë private të punësimit botojnë, brenda 30 ditëve nga miratimi zyrtar, ofertat e shteteve pritëse për shtetasit shqiptarë për punësim, formim nëpërmjet punës, punësim sezonal e punësim ndërkufitar.

 

Neni 19
Informacioni i rremë

1.Autoritetet shtetërore përgjegjëse ndalojnë propagandimin dhe përdorimin e informacionit të rremë nga çdo subjekt, sipas dispozitave të Kodit Penal, kur veprimtaria e mësipërme përbën vepër penale.
2. Agjencitë private të punësimit, si dhe çdo subjekt, vendas apo i huaj, i interesuar për qëllime punësimi, formimi profesional nëpërmjet punës, punësimi stinor ose punësimi ndërkufitar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të marrë një miratim zyrtar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përpara se t’i bëjë publike ofertat përkatëse.

 

Neni 20
Ruajtja e lidhjeve ndërkomunitare

Autoritetet shtetërore përgjegjëse mbështesin ngritjen, zhvillimin dhe forcimin e komuniteteve të emigrantëve jashtë vendit, duke konsoliduar veprimtaritë e ndërmarra nga klube, organizata dhe shoqata, me synim forcimin e lidhjeve ndërmjet tyre dhe me vendin e origjinës.

 

Neni 21
Arsimimi i emigrantëve

Autoritetet shtetërore përgjegjëse përkujdesen për krijimin e kushteve për arsimimin e emigrantëve dhe të familjarëve të tyre, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të trashëgimisë kombëtare, si dhe të lidhjeve shpirtërore ndërmjet komuniteteve të emigrantëve, duke respektuar legjislacionin e shtetit pritës, si dhe marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe, ku Republika e Shqipërisë është palë.

 

Neni 22
Nxitja e rikthimit të emigrantëve

1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse nxisin rikthimin e vullnetshëm të emigrantëve, të kualifikuar dhe të pakualifikuar, për përfitimin e aftësive të reja profesionale dhe kulturore, nëpërmjet hartimit të programeve të veçanta, në bashkëpunim me biznesin vendas, OJF-të vendase dhe të huaja, me donatorët e ndryshëm dhe shtete të tjera pritëse të interesuara.
2. Autoritetet shtetërore përgjegjëse nxisin dhe mbështesin riintegrimin e emigrantëve në jetën ekonomike, sociale dhe politike të vendit, nëpërmjet krijimit të lehtësive fiskale dhe zbatimit të programeve të zhvillimit të biznesit, të punësimit dhe të formimit profesional nëpërmjet punës. Masat dhe strukturat përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 23
Lehtësitë administrative

Autoritetet shtetërore përgjegjëse lëshojnë dokumentet e kërkuara nga shtetasit shqiptarë, që do të emigrojnë për qëllime punësimi ose formimi nëp ërmjet punës, përfshirë edhe emigrantët e rikthyer, duke respektuar dispozitat ligjore përkatëse në fuqi.

 

Neni 24
Riatdhesimi i detyrueshëm i të miturve

Autoritetet shtetërore përgjegjëse, pasi kanë vënë re ose pasi kanë marrë informacion për punësimin e të miturve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëjnë riatdhesimin e shpejtë dhe pa pasoja, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Neni 25
Përjashtimi nga taksat e udhëtimit dhe tarifat aeroportuale
(Shfuqizuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

 

Neni 26
Emigrantët e kualifikuar

Për t’i prerë rrugën fenomenit të emigrimit të emigrantëve të kualifikuar, autoritetet shtetërore përgjegjëse ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe masat e nevojshme, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të programeve të veçanta promovuese në fusha të caktuara.

 

Neni 27
Bashkëpunimi me vendet pritëse

1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse, për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer në Republikën e Shqipërisë, i komunikojnë shtetit pritës të dhënat për:
a) mundësitë dhe kushtet e punësimit në Republikën e Shqipërisë;
b) ndihmën financiare të dhënë për riintegrimin ekonomik;
c) ruajtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore të fituara jashtë shtetit;
ç) hapat që do të ndërmerren për të lehtësuar strehimin;
d) barazvlefshmërinë e kualifikimeve profesionale, të fituara jashtë shtetit dhe të të gjitha testeve që duhen kaluar për të siguruar njohjen e tyre zyrtare;
dh) barazvlefshmërinë e kualifikimeve arsimore të fituara jashtë shtetit, që fëmijët e punëtorëve migrantë të pranohen në shkolla, pa rënë nga niveli.
2. Autoritetet shtetërore përgjegjëse bëjnë botimin e këtij informacioni, duke përdorur të gjitha format dhe mjetet e mundshme, në formë të shkruar dhe elektronike.
3. Autoritetet shtetërore përgjegjëse bashkëpunojnë me autoritetet përkatëse të vendeve pritëse për shkëmbimin e informacionit për kushtet e punës, sigurimet shoqërore, anëtarësinë në sindikatat e lira, që lidhen me procesin emigrator.
4. Autoritetet shtetërore përgjegjëse bashkëpunojnë me autoritetet përkatëse të vendeve pritëse për çështjet që lidhen me mbrojtjen shoqërore, në rastet e përfitimeve nga sëmundjet, barrëlindjet, aksidentet në punë, invaliditeti, sëmundjet profesionale, papunësia, ndihma sociale dhe vdekjet.
5. Autoritetet shtetërore përgjegjëse bashkëpunojnë me autoritetet përkatëse të vendeve pritëse për hartimin e kurrikulave të formimit profesional për shtetasit shqiptarë, të cilët dëshirojnë të emigrojnë, për njohjen e kualifikimeve profesionale në vendet pritëse.
6. Autoritetet shtetërore përgjegjëse bashkëpunojnë me autoritetet përkatëse të vendeve pritëse për krijimin e lehtësive ligjore dhe administrative, për njohjen e ndërsjellë të diplomave, certifikatave dhe kualifikimeve të tjera të nevojshme, me qëllim lehtësimin e integrimit të tyre në këto vende.

 

Neni 28
Detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

(Shtuar shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “g” me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është autoriteti përgjegjës kombëtar, që harton politikat dhe propozon ndryshime në legjislacionin e fushës së emigrimit për qëllime punësimi dhe ka këto detyra e përgjegjësi:
a) në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme menaxhon dhe mbikëqyr të gjitha aspektet e emigrimit për motive punësimi;
b) përgjigjet për monitorimin dhe vlerësimin e veprimtarive të zyrave për komentet e punësimit, si dhe për veprimtarinë e agjencive private të punësimit;
c) nëpërmjet strukturave në varësi të saj, në bashkëpunim me ministritë e tjera dhe organizatat jofitimprurëse, ushtron kompetenca për përkujdesjen ndaj emigrantëve shqiptarë para largimit nga vendi dhe gjatë rikthimit të tyre në Republikën e Shqipërisë;
ç) në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore të fushës, propozon nënshkrimin e marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverive të vendeve të tjera në fushën migratore;
d) nënshkruan marrëveshje, dypalëshe ose shumëpalëshe, në fushën e emigrimit për punësim dhe për formim profesional nëpërmjet punës me ministritë homologe të shteteve pritëse;

dh) harton dhe miraton programet aktive dhe pasive të punësimit e të formimit profesional në vend, për emigrantët e rikthyer, të cilët janë regjistruar si punëkërku es të papunë në zyrën përkatëse të punësimit;
e) bashkërendon procesin e informimit me autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas fushave përkatëse, si dhe informon për çështjet që i përkasin veprimtarisë së ministrisë, shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të rregullt, si dhe ata që rikthehen e dëshirojnë të riintegrohen e të qëndrojnë në Shqipëri;
ë) përgjigjet për bashkërendimin e punës për zbatimin e politikave në fushën e riintegrimit të emigrantëve të rikthyer;
f) bashkërendon punën në procesin e negociatave dypalëshe dhe/ose shumëpalëshe, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e punësimit e të formimit profesional, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, sipas parashikimeve të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”;
g) në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore, përgjigjet për sigurimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror, si dhe për mbështetjen për plotësimin e kërkesës për përfitimin e ndihmës ekonomike, për emigrantët e rikthyer.

 

Neni 29
Detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Punëve të Jashtme

(Shfuqizuar shkronja c), ndryshuar shkronjat ç) dhe dh) dhe shtuar shkronjat f), g) dhe gj) me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Punëve të Jashtme, në zbatim të këtij ligji, ushtron këto detyra dhe përgjegjësi për:
a) mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të emigrantëve shqiptarë, kudo qofshin ata, në bashkëpunim me autoritetet e tjera shtetërore të Republikës së Shqipërisë;
b) zgjidhjen e problemeve të emigrantëve shqiptarë, përmes rritjes së cilësisë së shërbimit konsullor në shtetet pritëse;
c) shfuqizuar;
ç) mbledhjen në vendin pritës dhe shpërndarjen e informacionit për legjislacionin e punës dhe të mbrojtjes shoqërore, për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve emigrantë, bazuar në legjislacionin shqiptar, nëpërmjet pajisjes së përfaqësive diplomatike dhe konsullore me materiale publicistike, për publikimin e tyre në mjedise të dukshme, në formën e ekspozitave fotografike dhe temave, në interes të grupimeve të emigrantëve shqiptarë;
d) kryerjen e studimeve kërkimore për prirjet e zhvillimit të tregjeve të punës në vendet kryesore pritëse dhe mundësitë e zgjerimit të këtyre tregjeve në ato vende, ku kushtet e trajtimit dhe të punësimit për fuqi emigratore të huaj janë të pranueshme, duke ia bërë të njohura Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
dh) mbështetjen e shoqatave të emigrantëve shqiptarë dhe sigurimin e informacionit, nëpërmjet shoqatave e grupimeve të emigrantëve shqiptarë, për nevojat që ato kanë për hapjen e shkollave, për mësimin e gjuhës shqipe. Kjo mbështetje realizohet nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe autoritetet shtetërore përgjegjëse të vendit pritës;
e) vendosjen dhe fuqizimin e komunikimit me institucionet dhe strukturat përkatëse të vendeve pritëse;
ë) mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve me shtete të tjera për emigrimin për punësim dhe formim profesional nëpërmjet punës;

f) bashkërendimin e procesit të negociatave dypalëshe dhe/ose shumëpalëshe, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për nënshkrimin e marrëveshjeve të ripranimit;
g) në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë së Brendshme, është përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve dhe të lejekalimeve të shtetasve shqiptarë, që kthehen përmes marrëveshjeve të ripranimit, si edhe për informimin për të drejtat dhe detyrimet e tyre;
gj) shpërndarjen e informacionit, për shërbimet që lehtësojnë riintegrimin e emigrantëve të rikthyer nëpër përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.

 

Neni 30
Detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Brendshme

(Ndryshuar shkronja c) dhe shtuar shkronjat d), dh) dhe e) në pikën 1 dhe shtruar pika 3 me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Ministria e Brendshme, në zbatim të këtij ligji, ushtron këto detyra dhe përgjegjësi për:
a) kontrollin e kufijve, për të siguruar emigrimin e rregullt të shtetasve shqiptarë, si dhe marrjen e masave për parandalimin dhe çrrënjosjen e trafikimit të qenieve njerëzore;
b) trajtimin me përparësi për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm të shtetasve shqiptarë që kërkojnë të emigrojnë;
c) monitorimin nëpërmjet konsultimit elektronik të regjistrimit dhe kontrollit kufitar për emigrantët shqiptarë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme;
ç) mbledhjen dheshkëmbimin e informacionit për numrin, shtetet dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të emigrantëve shqiptarë;

d) informimin e emigrantëve të rikthyer në pikat e kalimit kufitar për shërbimet e riintegrimit në vend;
dh) lehtësimin e kthimit të emigrantëve të rikthyer, nëpërmjet krijimit të kushteve për transport të të kthyerve nga pikat e kalimit kufitar deri në qendrat më të afërta të banimit;
e) sigurimin e nevojave me ushqim, ujë dhe medikamente, për grupet vulnerabël të emigrantëve të rikthyer në pikat e kalimit kufitar.
2. Emigrantët, shtetas shqiptarë, të cilët largohen për një kohë më të gjatë se 6 muaj nga vendbanimi i tyre në Shqipëri, deklarojnë vendbanimin dhe kohën e qëndrimit në shtetin ku ato shkojnë në zyrat përkatëse në Ministrinë e Brendshme.

3. Mënyra e konsultimit, regjistrimit dhe kontrollit kufitar për emigrantët shqiptarë, si dhe mbledhja e shkëmbimi i informacionit për numrin, shtetet dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të emigrantëve shqiptarë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 31
Detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

(Shtuar shkronjat dh), e), ë), f), g) dhe gj) me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në zbatim të këtij ligji, ushtron këto detyra e përgjegjësi për:
a) bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse të shteteve pritëse për ngritjen e qendrave arsimore dhe kulturore shqiptare në këto vende;
b) bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse të shteteve pritëse për krijimin e kushteve lehtësuese për arsimimin e fëmijëve të emigrantëve;
c) zbatimin e programeve kombëtare për arsimimin e emigrantëve shqiptarë në shtetet pritëse;
ç) zbatimin e programeve të përbashkëta me institucionet vendase dhe të huaja për rikthimin vullnetar të studentëve të arsimuar dhe të kualifikuar jashtë vendit;
d) bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse të shteteve pritëse për njohjen e diplomave dhe të kualifikimeve;

dh) hartimin e politikave dhe të legjislacionit, për lehtësimin e riintegrimit të fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar në sistemin arsimor shqiptar pas kthimit, dhe njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë;
e) hartimin e kurrikulave të veçanta, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe nga emigrantët e rikthyer deri në moshën 18 vjeç ose 25 vjeç, nëse është duke ndjekur studimet e larta;
ë) organizimin e shkollave verore për fëmijët e emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe;
f) hartimin e programeve të veçanta në fushën e arsimit për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar;
g) përshtatjen e politikave kurrikulare me nevojat e emigrant ëve të rikthyer për arsimim;
gj) ofrimin e shërbimit psikologjik në sistemin arsimor ndaj fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar dhe përshtatjen e tyre me shkollën, në marrëdhëniet ndërmjet komunitetit të nxënësve, si dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personelit mësimdhënës.

 

Neni 31/1
(Shtuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë për:
a) sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për programet sociale të strehimit;
b) hartimin e politikave dhe të legjislacionit për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer të pastrehë, nëpërmjet përfshirjes së tyre në programet sociale të strehimit.

 

Neni 31/2
(Shtuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë për:
a) zbatimin e politikave mbështetëse për emigrantët e rikthyer në Shqipëri, të cilët banojnë në zona rurale, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) përfshirjen e emigrantëve të rikthyer nga zonat rurale në programet për nxitjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për skemat mbështetëse, sipas shkronjës “a” të këtij neni.

 

Neni 31/3
(Shtuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Financave, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë për:
a) sigurimin e zbatimit të parashikimeve të Kodit Doganor, për përjashtime nga taksat doganore, për mjetet personale dhe veglat e punës për emigrantët e kthyer;
b) sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm, për emigrantët e rikthyer për skemat e sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 31/4
(Shtuar me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë për:
a) informimin e emigrantëve të rikthyer për hapjen e një veprimtarie ekonomike në Shqipëri, si dhe për programe mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri;
b) krijimin e mundësive dhe dhënien e informacionit të nevojshëm për shtetasit shqiptarë investitorë, që jetojnë jashtë kufirit shqiptar, të investojnë në vend në fushat me përparësi për vendin.

 

Neni 32
Bashkëpunimi i strukturave shtetërore

(Shtuar fjalë me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të bashkëpunojnë për:
a) shkëmbimin e informacionit për emigrantët dhe emigrantët e rikthyer, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
b) hartimin e programeve të përbashkëta për zbatimin e këtij ligji.
c) rikthimin e shtetasve shqiptarë;
ç) mbikëqyrjen e veprimtarisë së zyrave të punësimit dhe të agjencive private të punësimit;
d) krijimin e kushteve konkrete për riintegrimin e emigrantëve shqiptarë në shoqërinë vendase.
2. Bashkëpunimi i autoriteteve shtetërore përgjegjëse për çështjet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni bëhet me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ministrit të Financave, Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

 

Neni 33
Krijimi i lehtësive për emigrantët

(Shtuar fjalë me ligjin nr. 10389, datë 3.3.2011)

Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës,Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të përmirësojnë legjislacionin përkatës dhe të hartojnë programe kombëtare të veçanta për riintegrimin e shtetasve shqiptarë dhe orientimin e dërgesave të tyre drejt investimeve produktive për zhvillimin e vendit.

 

Neni 34
Sigurimet shoqërore të emigrantëve

Sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë, të punësuar në mënyrë të rregullt, rregullohen në bazë të legjislacionit për sigurimet shoqërore të shtetit shqiptar dhe të shtetit pritës, marrëveshjeve dypalëshe në këtë fushë dhe konventave ndërkombëtare për sigurimet shoqërore, ku Republika e Shqipërisë është palë.

 

Neni 35
Fondi i emigrimit

1.Për të përballuar nevojat për krijimin e kushteve dhe të lehtësive të parashikuara në dispozitat e këtij ligji krijohet fondi i emigrimit. Ky fond krijohet dhe funksionon si zë i veçantë në buxhetin e autoriteteve shtetërore përgjegjëse dhe përdoret për:
a) prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve informuese dhe orientuese për aspektet ligjore, kulturore, etnike të shteteve pritëse, që do t’u ofrohen shtetasve që dëshirojnë të emigrojnë për qëllime punësimi, emigrantëve të rikthyer, si dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre, që do të emigrojnë apo do të ribashkohen me to;
b) kurse orientuese formimi gjuhësor dhe profesional;
c) raste të emergjencës, përveç rasteve të parashikuara në ligjin nr. 8372, datë 9.7.1998 “Për ushtrimin e funksioneve konsullore nga përfaqësitë diplomatike ose konsullore”;
ç) riatdhesimin e shtetasve.
2. Burimet e këtij fondi janë Buxheti i Shtetit, 1 për qind e të ardhurave nga shërbimet që u ofrohen emigrantëve brenda dhe jashtë vendit dhe donacionet e ndryshme.

 

Neni 36
Dita e emigrantit

Shteti, në respekt të emigrantëve të larguar, cakton datën 2 korrik “Ditën e emigrantit”.

 

KREU V
SHËRBIMET PRIVATE TË EMIGRIMIT

 

Neni 37
Agjencitë private të punësimit

1. Shteti njeh dhe përkrah veprimtarinë e agjencive private të punësimit që, për qëllime të këtij ligji, ka të bëjë me:
a) shërbimet për informimin, këshillimin, si dhe për vlerësimin e kërkesave e të aplikimeve për ndërmjetësim për punësim;
b) kërkimin e vendeve të punës;
c) shërbimet që lidhen me ndërmjetësimin ndërmjet punëkërkuesve dhe punëdhënësve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pa qenë palë e marrëdhënieve të punësimit që mund të lindin nga ky ndërmjetësim;
ç) trajnimin e punëkërkuesve, për t’i bërë ata të përshtatshëm për subjektet fizike ose juridike të shteteve pritëse;
d) bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë me autoritetet shtetërore përgjegjëse, për ofrimin e informacionit të nevojshëm e për zhvillimin e kurseve formuese, orientuese;
dh) shkëmbimin e informacionit ndërmjet tyre dhe autoritetit shtetëror përgjegjës për numrin e shtetasve të regjistruar në “Regjistrin për emigrantët”;
e) përfitimin e një kuote të përcaktuar për punësimin e shtetasve shqiptarë, në rastet kur Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta i vihen në dispozicion kuota të veçanta nga shtetet pritëse. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pas vlerësimit të veprimtarisë së agjencive private të punësimit, përcakton kuotat për agjencitë e përzgjedhura.
2. Kushtet e përzgjedhjes së agjencive dhe kuotat përkatëse miratohen me urdhër të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Neni 38
Detyrimet e agjencive private të punësimit

1.Agjencitë private të punësimit përkujdesen në çdo kohë për shtetasit shqiptarë, për të cilët ato kanë qenë ndërmjetësuese për punësimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e kushteve të kontratës, mosdiskriminimin dhe respektimin e të drejtave të tyre.
2. Autoritetet shtetërore përgjegjëse hartojnë programe trajnimi për stafin e agjencive private të punësimit. Tarifat e këtyre shërbimeve miratohen me urdhër të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Neni 39
Njoftimi i autoritetit shtetëror përgjegjës

1. Agjencia private e punësimit, në fund të çdo 6-mujori, i dërgon me shkrim Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të dhëna për shtetasit shqiptarë, për të cilët ka ndërmjetësuar për punësim jashtë vendit dhe çdo informacion tjetër të kërkuar për veprimtarinë e tyre.
2. Agjencitë private të punësimit njoftojnë autoritetet shtetërore përgjegjëse, kur vërejnë ose vihen në dijeni se nuk respektohen dispozitat ligjore të shtetit pritës ose aktet ndërkombëtare.

 

Neni 40
Parandalimi i veprimtarive të jashtëligjshme

Autoritetet shtetërore përgjegjëse, kur vërejnë ose marrin dijeni se agjencia private e punësimit ka ndërmjetësuar punësimin ose formimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, nëpërmjet praktikave mashtruese, ngarkojnë organet e përcaktuara me ligj për të vlerësuar veprimtarinë e kësaj agjencie.

 

KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 41

Shtetasit shqiptarë, që kanë emigruar para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, regjistrohen në “Regjistrin për emigrantët” në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Neni 42

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 2 të nenit 22 të këtij ligji.

 

Neni 43
Shfuqizime

1.Ligji nr.9034, datë 20.3.2003 “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, shfuqizohet.
2. Çdo akt nënligjor, në zbatim të ligjit të mësipërm, që nuk bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, vazhdon të jetë në fuqi deri në daljen e akteve të reja.

Neni 44

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5181, datë 12.1.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim