Neni 9

Masat e veçanta

Nuk përbëjnë diskriminim për shkak të gjinisë rastet kur shteti merr masa të veçanta, përfshirë edhe dispozita ligjore, që synojnë:

a) mbrojtjen e posaçme të grave gjatë shtatzënësisë dhe lindjes, të nënave të reja, si dhe të prindërve të rinj, për shkak të lindjes natyrore ose të adoptimit të fëmijës, duke krijuar kushte për mbrojtjen dhe lehtësimin e tyre në punë; në sigurimet shoqërore e ndihmat sociale; në sigurimin e ndihmës së nevojshme shëndetësore për nënën dhe fëmijën; në sigurimin dhe nxitjen e sistemit të shërbimeve sociale, duke favorizuar zhvillimin e rrjetit të çerdheve e kopshteve;

b) lehtësimin e ndihmën për personat, që kanë përgjegjësi të veçanta në familje, për shkak të përkujdesjes së përditshme ndaj anëtarëve të paaftë të familjes, për shkak të moshës, paaftësisë fizike apo mendore ose për shkaqe të tjera paaftësie.

c) kufizimet për të punuar në disa sektorë të punëve të rënda dhe të rrezikshme për gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji. Këto kufizime do të rishikohen periodikisht, në varësi të njohurive shkencore e teknike dhe sipas nevojave që paraqiten.

 

Neni 17

Veprimet diskriminuese të punëdhënësit

1. Veprimet e punëdhënësit në sektorin publik ose privat janë diskriminuese, nëse, për shkak të gjinisë:

a) përdor standarde ose/dhe procedura të diferencuara ndaj punëmarrësve për rekrutimin, trajnimin dhe ritrajnimin, promovimin në detyrë, nxitjen profesionale, menaxhimin dhe shpërndarjen e punës, kohëzgjatjen dhe kushtet e provës, sigurimet shoqërore dhe përfitimet në rastet e daljes në pension, papunësisë, sëmundjes, invaliditetit, paaftësisë për punë, të drejtën e lejes dhe të lejes së paguar, mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë në punë, pagesën për punë me vlerë të barabartë, pjesëmarrjen në organizatat sindikale, përveçse për shkaqe objektive dhe të arsyeshme, të parashikuara në nenin 9 të këtij ligji;

b) krijon kushte pune të diferencuara për punëmarrësit e të njëjtit nivel;

c) ndërmerr dënim disiplinor ndaj punëmarrësit, ndryshon kushtet e punës, e transferon në një punë tjetër, shkurton vende pune, pushon apo largon nga puna ose përfundon kontratën e punës;

ç) vendos në pozitë të disfavorshme punëmarrësin, për shkak të një ankese ndaj veprimeve të mësipërme të punëdhënësit.

2. Ndalohet diskriminimi në përzgjedhjen e një kandidati për punë dhe përfundimi i marrëdhënieve të punës nga punëmarrësi për shkaqe të mëmësisë, mundësisë për shtatzënësi në të ardhmen, shtatzënësisë, përgjegjësisë prindërore, gjendjes civile, përgjegjësive familjare. Nuk përbën diskriminim nëse vendi i punës është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave si i vështirë ose i rrezikshëm për shëndetin e nënave me fëmijë në gji dhe për gratë shtatzëna.

3. Gjatë proceseve të riorganizimit dhe reformimit të vendeve të punës, punëdhënësi respekton rregullat e përfaqësimit të barabartë gjinor në përfundimin e marrëdhënieve të punës.

 

Neni 21

Të drejtat e punëmarrësit për respektimin e parimeve të barazisë gjinore

Punëmarrësit femra dhe meshkuj kanë të drejtë që pa asnjë diskriminim për shkak të gjinisë:

a) të zgjedhin lirisht profesionin dhe vendin e punës, sistemin e përgatitjes dhe përsosjes profesionale dhe të kualifikimit të pandërprerë, të mësimit të zanateve, të ngrihen në përgjegjësi, të kenë punë të qëndrueshme;

b) të kenë të njëjtat mundësi punësimi, përfshirë zbatimin e të njëjtave kritere të përzgjedhjes për punësim;

c) të informohen nga punëdhënësi për vendet e lira të punës dhe të drejtat e tyre mbi mundësitë e barabarta në marrëdhëniet e punës;

ç) të kenë pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë, përfshirë shpërblimet, për trajtim të barabartë për punë me vlerë të barabartë, si dhe për trajtim të barabartë lidhur me vlerësimin e cilësisë së punës;

d) të kenë sigurime shoqërore, veçanërisht në rastet e daljes në pension, të papunësisë apo të humbjes së aftësisë së përkohshme për punë;

dh) të kenë mbrojtjen e shëndetit dhe sigurimin në punë, përfshirë ruajtjen e funksionit të riprodhimit;
e) të mos diskriminohen ose pushohen nga puna për shkak të martesës ose gratë për shkak të shtatzënësisë ose amësisë dhe të garantohet e drejta efektive për punë;

ë) të kenë të drejtë të përfitojnë kompensime për fëmijët që kanë në ngarkim;

f) të kenë mbështetjen dhe inkurajimin e sistemit të shërbimeve sociale të nevojshme, për t’u lejuar prindërve punëmarrës të gërshetojnë detyrimet familjare me përgjegjësitë profesionale;

g) të marrin informacion me shkrim nga punëdhënësi, pas paraqitjes së një kërkese, lidhur me natyrën dhe qëllimin e trajnimit, eksperiencën në punë dhe të kualifikimeve të tjera që pati personi i gjinisë tjetër, i cili fitoi të drejtën, u përzgjodh, u promovua në një pozicion ose vend të lirë pune;

gj) të anëtarësohen dhe të aktivizohen në organizatat sindikale dhe në çdo organizatë tjetër profesionale.

 

Neni 23

Vlerësimi i punës së papaguar

1. Puna e papaguar e femrave dhe e meshkujve vlerësohet kontribut për zhvillimin e familjes dhe të shoqërisë, në rast kur ai/ajo:

a) kujdeset për mirëqenien e familjes;

b) kujdeset për fëmijët;

c) kujdeset për anëtarë të tjerë të familjes;

ç) punon në bujqësi dhe ekonomi familjare.

2. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni përfitojnë nga shërbimet në komunitet, politikat e punës dhe të punësimit, si dhe të formimit profesional në bazë të legjislacionit në fuqi.

 

 

Lexo të plotë ligjin

 


[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 125, datë 1 Gusht 2008, faqe 5540

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim