LIGJ

Nr.7895, datë 27.1.1995

KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

(Ndryshuar me ligjin nr. 8175, datë 23.12.1996)

(Ndryshuar me ligjin nr. 8204, datë 10.4.1997)

(Ndryshuar me ligjin nr. 82679, datë 15.1.1998)

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9017, datë 6.3.2003)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007)

(Ndryshuar me ligjin i nr. 9859, datë 21.1.2008)

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datë 27.11.2008)

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

I

PJESA E PËRGJITHSHME

 

KREU I

LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ

 

Neni 1

Ligji penal dhe ndarja e veprave penale

Ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të tyre.

Veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale.

Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.

 

Neni 1/a

Bazat e legjislacionit penal

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)

Kodi Penal bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ndërkombëtare, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar.

Legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale.

 

Neni 1/b

Detyrat e legjislacionit penal

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)

Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare, si dhe bashkëjetesën fetare nga veprat penale, si dhe parandalimin e tyre.

 

Neni 1/c

Parimet e Kodit Penal

(Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 1)

 

Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit.

Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet.

 

Neni 2

Mosdënimi pa ligj

 

Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje penale.

Askush nuk mund të dënohet me një lloj dhe masë dënimi të paparashikuar në ligj.

 

Neni 3

Veprimi në kohë i ligjit penal

Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale.

Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon.

Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.

 

Neni 4

Mosnjohja e ligjit

Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është objektivisht e paevitueshme.

 

Neni 5

Territori i Republikës së Shqipërisë

Territori i Republikës së Shqipërisë, në kuptim të ligjit penal, quhet hapësira tokësore, gjerësia e ujërave territoriale dhe të brendshme detare, hapësira ajrore që shtrihet mbi hapësirën tokësore dhe të ujërave territoriale dhe të brendshme detare, si dhe çdo vend tjetër ku shtrihet sovraniteti i shtetit shqiptar, si selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, anijet që mbajnë flamurin e Republikës së Shqipërisë, anijet e marinës luftarake, të aviacionit ushtarak ose civil kudo që ndodhen.

 

Neni 6

Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë

Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal i Republikës së Shqipërisë.

Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.

Në kuptim të këtij neni shtetas shqiptarë do të konsiderohen edhe ata persona që përveç shtetësisë shqiptare gëzojnë edhe shtetësi tjetër.

 

Neni 7

Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera

nga shtetas të huaj

(Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 2)

(Shtuar shkronja “h” me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 1)

(Shtuar shkronja “i” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 1)

(Ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 1)

(Shtuar shkronja “j” me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Shtetasi i huaj, që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal të Republikës së Shqipërisë.

Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj që jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasit shqiptar një nga krimet e mëposhtme:

a) krime kundër njerëzimit;

b) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

c) vepra me qëllime  terrroriste;

d) organizimi i prostitucionit, trafikimi i jashtëligjshëm i njerëzve, fëmijëve dhe grave, prodhimi dhe trafikimi  i jashtëligjshëm i armëve, drogës, substancave të tjera narkotike e psikotrope, i substancave bërthamore, i materialeve pornografike, si dhe trafikimi i jashtëligjshëm i veprave të artit dhe i objekteve me vlerë historike, kulturore dhe arkeologjike;

e) rrëmbimi i avionëve dhe i anijeve;

f) falsifikimi i vulës së shtetit shqiptar, parave dhe letrave me vlerë shqiptare;

g) krime që cenojnë jetën dhe shëndetin e shtetasit shqiptar, për të cilat ligji parashikon dënim mbi pesë vjet burgim ose çdo lloj dënimi më të rëndë;

h) pastrimi i produkteve të veprës penale;

i) krimet e korrupsionit aktiv dhe pasiv, të kryera nga persona që ushtrojnë funksione në sektorin publik ose atë privat;

j) vepra penale në fushën e teknologjisë së informacionit.

 

Neni 7/a

Juridiksioni universal

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 2)

Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk është ekstraduar, i cili jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka kryer njërën nga veprat e mëposhtme:

a) krime kundër njerëzimit;

b) krime lufte;

c) gjenocid;

ç) vepra me qëllime terroriste;

d) torturë.

Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj, që jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kryen ndonjërën nga veprat penale, për të cilat ligje të veçanta ose marrëveshje ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, përcaktojnë zbatueshmërinë e legjislacionit penal shqiptar.

 

Neni 8

Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga personi pa shtetësi

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 3)

Për personin pa shtetësi që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe krim jashtë këtij territori, vlejnë rregullat e neneve 7 e 7/a të këtij Kodi.

 

Neni 9

Përgjegjësia për personat e huaj që gëzojnë imunitet

Çështja e përgjegjësisë për shtetasit e huaj që kryejnë vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që gëzojnë imunitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, zgjidhet me rrugë diplomatike.

 

Neni 10

Fuqia e vendimeve penale të gjykatave të huaja

Vendimet penale të dhëna nga gjykatat e huaja ndaj shtetasve shqiptarë që vërtetojnë kryerjen e një vepre penale, kur nuk është parashikuar ndryshe nga marrëveshjet dy ose shumpalëshe, vlejnë në Shqipëri brenda kufijve të ligjit shqiptar edhe përsa vijon:

a) për efekt të cilësimit përsëritës të personit që ka kryer veprën penale;

b) për zbatimin e vendimeve që përmbajnë dënime plotësuese;

c) për zbatimin e masave të sigurimit;

d) për shlyerjen e dëmit ose efekteve të tjera civile.

 

Neni 11

Ekstradimi

Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

Ekstradimi lejohet kur vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim është e parashikuar si e tillë njëkohësisht si nga ligji shqiptar dhe ai i huaj.

Ekstradimi nuk lejohet:

a) në qoftë se personi që do të ekstradohet është shtetas shqiptar, veç rasteve kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe;

b) në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një karakter  politik ose ushtarak;

c) kur ka arsye për të dyshuar që personi i kërkuar të ekstradohet do të persekutohet, dënohet ose kërkohet për arsye të bindjeve të tija politike, fetare, kombëtare, racore ose etnike.

d) në qoftë se personi që kërkohet të ekstradohet është gjykuar nga një gjykatë kompetente shqiptare për veprën penale për të cilën kërkohet ekstradimi.

 

KREU II

PËRGJEGJËSIA PENALE

 

Neni 12

Mosha për përgjegjësi penale

Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç.

Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën  gjashtëmbëdhjetë vjeç.

 

Neni 13

Lidhja shkakësore

Askush nuk ka përgjegjësi penale kur midis veprimit ose mosveprimit të tij dhe pasojave apo mundësisë së ardhjes së tyre, mungon lidhja shkakësore.

 

Neni 14

Faji

Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër penale, në qoftë se vepra nuk është e kryer me faj.

Quhet me faj personi që e kryen veprën me dashje ose me pakujdesi.

 

Neni 15

Dashja

Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe  dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre.

 

Neni 16

Pakujdesia

Vepra penale kryhet me pakujdesi kur personi, megjithëse nuk i dëshiron pasojat, e parashikon mundësinë e ardhjes së tyre dhe me mendjelehtësi shpreson t’i shmangë ato, ose nuk i parashikon, megjithëse sipas rrethanave duhej dhe kishte mundësi t’i parashikonte.

 

Neni 17

Papërgjegjshmëria për shkak të gjendjes mendore

Nuk ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së veprës vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik që ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor dhe për pasojë nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet apo mosveprimet e tij dhe as të kuptojë se kryen vepër penale.

Personi që në kohën e kryerjes së veprës penale vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik, që ka ulur ekuilibrin e tij mendor për të kuptuar dhe kontrolluar plotësisht veprimet apo mosveprimet e tij, është i përgjegjshëm, por kjo rrethanë mbahet parasysh nga gjykata në caktimin e masës dhe llojit të dënimit.

 

Neni 18

Kryerja e veprës penale në gjendje të dehur

Nuk përjashtohet nga përgjegjësia personi që ka kryer veprën penale në gjendje të dehur.

Kur dehja është shkaktuar në rrethana të rastit dhe ka sjellë uljen e ekuilibrit mendor, kjo rrethanë mbahet parasysh për zbutjen e dënimit ndaj tij.

Kur dehja është bërë me paramendim për të kryer veprën penale, kjo rrethanë mbahet parasysh për rëndimin e dënimit.

Rregullat e mësipërme zbatohen edhe kur vepra penale kryhet nën efektin e narkotikëve apo stimulantëve të tjerë.

 

Neni 19

Mbrojtja e nevojshme

Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën duke qenë i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit me kusht që, karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit.

Mospërputhja haptazi ndërmjet tyre përbën kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.

 

Neni 20

Nevoja ekstreme

Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën nga nevoja për të përballuar një rrezik real dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë dhe i pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh së dëmi i zmbrapsur.

 

Neni 21

Ushtrimi i një të drejte apo përmbushja e detyrës

Nuk ka përgjegjësi penale personi që vepron për të ushtruar të drejta apo përmbushur detyra të caktuara nga ligji ose nga një urdhër i dhënë prej një personi kompetent, veç rastit kur urdhri është haptazi i paligjshëm.

Kur vepra penale është kryer si rezultat i urdhrit të paligjshëm, për të përgjigjet personi që ka dhënë urdhrin.

 

KREU III

TENTATIVA

 

Neni 22

Kuptimi i tentativës

Vepra penale quhet e mbetur në tentativë kur, megjithëse personi ndërmerr veprime të drejtpërdrejta për ta kryer atë, vepra ndërpritet e nuk përfundohet për rrethana të pavarura nga vullneti i tij.

 

Neni 23

Përgjegjësia për tentativën

Personi që tenton të kryejë një krim përgjigjet për të.

Gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, si dhe të shkaqeve për të cilat  krimi mbeti në tentativë, zbut dënimin dhe mund ta ulë atë nën minimumin e parashikuar nga ligji ose të caktojë një lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar  në ligj.

 

Neni 24

Heqja dorë nga kryerja e veprës penale

Personi që më vullnetin e tij dhe në mënyrë përfundimtare heq dorë nga kryerja e veprës penale, me gjithë mundësitë që ka për kryerjen e saj, nuk ka përgjegjësi penale.

Kur veprimet e gjeratëhershme përmbajnë elementët e ndonjë vepre tjetër penale, personi përgjigjet për veprën e kryer.

 

KREU IV

BASHKËPUNIMI I PERSONAVE PËR KRYERJEN E VEPRËS PENALE

 

Neni 25

Kuptimi i bashkëpunimit

Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.

 

Neni 26

Bashkëpunëtorët

Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët, ekzekutorët, shtytësit dhe ndihmësit.

Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë veprimtarinë për kryerjen e veprës penale.

Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtëpërdrejta për realizimin e veprës penale.

Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për kryerjen e veprës penale.

Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave, dhënie të premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra penale, ndihmojnë për kryerjen e saj.

 

Neni 27

Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve

Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe ekzekutorët për veprën penale të kryer prej tyre.

Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë parasysh shkallën e pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale.

 

Neni 28

Forma të veçanta të bashkëpunimit

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 2)

(Shfuqizuar paragrafi i dytë i pikës 1,  ndryshuar pika 2 me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 4)

1. Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.

2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, e përbërë nga dy ose më shumë persona, që kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në kohë, me synim kryerjen e veprave me qëllime terroriste.

3. Banda e armatosur është një formë e veçantë bashkëpunimi që, duke zotëruar armë, municione luftarake dhe mjete të tjera të nevojshme, synon kryerjen e veprave penale, të parashikuara në krerët V, VI dhe VII të pjesës së posaçme të këtij Kodi.

4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.

Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.

5. Krijimi dhe pjesëmarrja në një organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë të armatosur ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen sipas parashikimeve të pjesës së posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera penale të veçanta.

6. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur ose grupit të strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale, të kryera prej tyre, në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë së tyre kriminale.

7. Pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të strukturuar kriminal, përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që gjykohet vendimtare për njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura dhe grupeve të strukturuara kriminale.

 

KREU V

DËNIMET

 

Neni 29

Dënimet kryesore

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 2)

Për personat që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:

1. Me burgim të përjetshëm

2. Me burgim

3. Me gjobë

Për personat që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:

1. Me burgim

2. Me gjobë

Dënimi me burgim dhe gjobë jepen bashkërisht, kur parashikohet në dispozitat përkatëse të këtij Kodi.

 

Neni 30

Dënime plotësuese

(Ndryshuar pika 2, me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 3)

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 3)

Për personat që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor, mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:

1. Ndalimi i të drejtës për të ushtruar funksione publike.

2. Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale.

3. Ndalimi për të drejtuar automjete.

4. Heqja e dekoratave, titujve të nderit.

5. Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose mjeshtërie.

6. Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë.

7. Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative.

8. Nxjerrja jashtë territorit.

9. Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.

Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme  dhe kur ligji parashikon dënim me burgim deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.

 

Neni 31

Dënimi me burgim të përjetshëm

(Ndryshuar paragrafi i I, II dhe titulli me ligjin nr.8733,

datë 24.1.2001, neni 79)

(Shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 5)

Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë.

Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.

 

Neni 32

Dënimi me burgim

Dënimi me burgim për krime jepet për një kohë nga pesë ditë deri në njëzetepesë vjet.

Për kundërvajtje penale dënimi me burgim jepet për një kohë nga pesë ditë deri në dy  vjet.

 

Neni 33

Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe

me burgim

Dënimi me burgim të përjetshëm dhe dënimi me burgim vuhen në institucione të caktuara posaçërisht për këtë qëllim.

Rregullat mbi mënyrën e vuajtjes së dënimeve, të drejtat dhe detyrat e të dënuarve caktohen me ligj.

Të miturit e kryejnë dënimin me burgim në vende të veçanta nga të rriturit.

Gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga burrat.

 

Neni 34

Dënimi me gjobë

(Ndryshuar paragrafi i III dhe IV, shtuar paragrafi i V, ndryshuar paragrafi i VII, me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 3)

(Ndryshuar paragrafi IV me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 4)

Dënimi me gjobë konsiston në pagimin në favor të shtetit të një shume të hollash brenda kufijve të parashikuar në ligj.

Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale.

Për personat që kryejnë krim gjoba jepet nga 100 mijë gjer në 10 milionë lekë.

Për personat që kryejnë kundërvajtje penale, gjoba jepet nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë.

Për personat që kryejnë krime për motive të fitimit të pasurive ose të sigurimit të çdo lloj përfitimi tjetër material, nëse dispozita penale parashikon vetëm dënim me burgim, gjykata mund të japë edhe dënim me gjobë nga 100 mijë gjer në 5 milionë lekë.

Dënimi me gjobë paguhet në afatin e caktuar në vendimin e gjykatës.

Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që gjoba të paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre.

Kur gjoba nuk paguhet në afatin e caktuar, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur 5 mijë lekë për një ditë burgim.

Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj me burgim nuk mund të kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi nuk mund të kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit me burgim që parashikon dispozita përkatëse.

Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon vendimin, duke bërë llogaritjet sipas kriterit të paragrafit të 7 të këtij neni.

 

Neni 35

Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike

(Riformuluar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 5)

Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një kohë jo më pak se pesë vjet, jepet detyrimisht ndaj personit që ka kryer një krim, që lidhet me detyrën, duke shpërdoruar funksionin publik ose ka kryer një krim, për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike mund të jepet për një kohë nga tre deri në pesë vjet, kur gjykata ka caktuar një dënim nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, dhe nga një deri në tre vjet, kur është caktuar dënimi deri në tre vjet burgim.

 

Neni 36

Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale

dhe produkteve të veprës penale

(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 4)

1. Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor të shtetit:

a) të sendeve që kanë shërbyer ose janë caktuar si mjete për kryerjen e veprës penale;

b) të produkteve të veprës penale, ku përfshihet çdo lloj pasurie, si dhe dokumentet ose instrumentet ligjore që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasurinë që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale;

c) të shpërblimeve, të dhëna ose të premtuara, për kryerjen e veprës penale;

ç) të çdo pasurie tjetër, vlera e së cilës i korrespondon asaj të produkteve të veprës penale;

d) të sendeve, prodhimi, përdorimi, mbajtja ose tjetërsimi i të cilave përbëjnë vepër penale, edhe kur nuk është dhënë vendim dënimi.

2. Nëse produktet e veprës penale janë transformuar ose shndërruar pjesërisht ose plotësisht në pasuri të tjera, këto të fundit i nënshtrohen konfiskimit.

3. Nëse produktet e veprës penale janë bashkuar me pasuri të fituara në rrugë të ligjshme, këto të fundit konfiskohen deri në vlerën e produkteve të veprës penale.

4. Konfiskimit i nënshtrohen edhe të ardhurat ose përfitimet e tjera nga produktet e veprës penale, nga pasuritë në të cilat janë transformuar ose shndërruar produktet e veprës penale ose  nga pasuritë me të cilat janë përzier këto produkte, në të njëjtën masë dhe mënyrë sikurse produktet e veprës penale.

 

Neni 37

Ndalimi për të drejtuar automjete

Ndalimi për të drejtuar automjete jepet nga gjykata, për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kundër personave që kanë kryer vepër penale, kur çmohet se do të ketë efekt parandalues apo pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

 

Neni 38

Heqja e dekoratave dhe e titujve

Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit vendoset për personat që kanë kryer një vepër penale që dënohet me burgim dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer.

Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit është e përhershme kur personi dënohet për një krim mbi dhjetë vjet dhe nga një gjer në pesë vjet, kur dënohet gjer në dhjetë vjet burgim.

 

Neni 39

Heqja e së drejtës të ushtrimit të veprimtarisë apo mjeshtërisë

Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose të një mjeshtërie e ndalon të dënuarin të ushtrojë veprimtarinë ose mjeshtërinë për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim apo licencë nga organi kompetent.

Heqja e së drejtës së ushtrimit të veprimtarisë ose mjeshtërisë jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet dhe është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i shpërdoruar ato.

 

Neni 40

Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 6)

Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë, i heq mundësinë të dënuarit të ushtrojë detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si dhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik.

Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale dhe jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet, kur i dënuari ka shpërdoruar funksionet apo ka vepruar në kundërshtim me rregullat që lidhen me detyrën.

Kur dënimi i dhënë nga gjykata është jo më pak se pesë vjet burgim, kjo e drejtë mund të hiqet për një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet.

 

Neni 41

Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative

Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative jepet nga gjykata për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kur çmohet se qëndrimi i të dënuarit në këto vende përbën rrezik për sigurimin publik.

 

Neni 42

Nxjerrja jashtë territorit

Nxjerrja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga gjykata ndaj shtetasit të huaj dhe atij pa shtetësi që kryen një krim dhe çmohet se qëndrimi i mëtejshëm i tij në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen.

Vendimi revokohet nga gjykata, me kërkesën e të dënuarit, kur shtetasi i huaj apo pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare.

 

Neni 43

Publikimi i vendimit gjyqësor

Publikimi i vendimit gjyqësor jepet nga gjykata kur çmon se njohja e përmbajtjes së vendimit ka interes për persona juridikë e fizikë.

Publikimi i vendimit gjyqësor konsiston në detyrimin e të dënuarit që me shpenzimet e veta të publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive tërësisht apo pjesërisht vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata.

Data e publikimit dhe kohëzgjatja e tij caktohen nga gjykata.

Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruar të bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor të dërguar nga gjykata.

Publikimi i vendimit gjyqësor nuk jepet kur rrezikohet përhapja e sekretit shtetëror, cenohet jeta intime e personave ose preket morali shoqëror.

 

Neni 44

Mënyra e vuajtjes së dënimeve plotësuese

Kur gjykata, së bashku me një dënim me burgim, jep edhe një ose disa nga dënimet plotësuese të përmendura në nenin 30 të këtij Kodi, zbatimi i tyre fillon së bashku me vuajtjen e dënimit kryesor.

Për numrat 1, 3, 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 30 të këtij Kodi zbatimi i tyre fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim. Të drejtat e cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t’i ushtrojë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim.

 

Neni 45

Zbatimi i ligjit penal ndaj personave juridikë

(Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 4)

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 7)

Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale, të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre.

Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike.

Përgjegjësia penale e personave juridikë nuk përjashton atë të personave fizikë, të cilët kanë kryer ose janë bashkëpunëtorë në kryerjen e të njëjtave vepra penale.

Veprat penale dhe masat ndëshkuese përkatëse, që zbatohen ndaj personave juridikë, si dhe procedura për vendosjen dhe ekzekutimin e tyre rregullohen me ligj të veçantë.

 

Neni 46

Masat mjekësore dhe edukuese

Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, ndërsa masat edukuese mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi ose që për shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.

Masat mjekësore janë:

1. Mjekimi i detyruar ambulator

2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor

Masa edukuese është:

1. Vendosja e të miturit në një institucion edukimi

Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë, por në çdo rast, gjykata, kryesisht, është e detyruar që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj.

Rregullat për revokimin e vendimit gyqësor që përmban masën mjekësore dhe edukuese, parashikohen në Kodin e Procedurës Penale.

 

KREU VI

CAKTIMI I DËNIMIT

 

Neni 47

Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi dhe kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale

Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

 

Neni 48

Rrethanat lehtësuese

Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë:

a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;

b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;

c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të  udhëzimeve të padrejta të eprorit;

ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;

d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale;

dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;

e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit  janë normalizuar.

 

Neni 49

Gjykata, pavarësisht nga rrethanat që përmenden në nenin 48 të këtij Kodi, mund të marrë në konsideratë edhe rrethanat të tjera për sa kohë i quan të tilla që justifikojnë lehtësimin e dënimit.

 

Neni 50

Rrethanat rënduese

(Ndryshuar shkronja “b”, shtuar shkronja “h” dhe “i” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 5)

(Ndryshuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 8)

(Shtuar shkronja “j” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 6

Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë:

a) kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;

b) kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale të një tjetri apo për të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ose për të realizuar, ose për të siguruar për vete a për të tretët fitime pasurore, ose  çdo lloj përfitimi tjetër material;

c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;

ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të kryer më parë;

d) kryerja e veprimeve që rëndojnë apo shtojnë pasojat e veprës penale;

dh) kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;

e) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzana ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;

f) kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të tjera;

g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të miqësisë, të mikpritjes;

gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim;

h) kryerja e veprës penale më shumë se një herë;

i) kur vepra është kryer duke përdorur armë, municione luftarake, lëndë plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.

j) kryerja e veprës e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale.

 

Neni 51

Dënimi me burgim për të miturit

Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.

 

Neni 52

Përjashtimi i të miturit nga dënimi

Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga rrethanat konkrete të kryerjes së saj, nga sjellja e mëparshme e të miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi.

Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi.

 

Neni 53

Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji

Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.

 

Neni 54

Pranimi i pagimit të gjobës

Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet njëkohësisht dënimi me burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë aty për aty një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë me gjysmën e maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij Kodi.

Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara dhënies së vendimit përfundimtar të shkallës së parë.

Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer.

Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë dënuar edhe për kundërvajtje penale.

 

Neni 55

Caktimi i dënimeve për disa vepra penale

Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.

Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë.

Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat penale.

Gjykata në vendimin përfundimtar jep një ose më shumë nga dënimet plotësuese të dhëna më vete për çdo vepër të veçantë.

 

Neni 56

Bashkimi i dënimeve

Kur i dënuari, para vuajtjes së plotë të dënimit, dënohet për një vepër penale të kryer para dhënies së vendimit, zbatohen rregullat e nenit të mësipërm dhe pjesa e vuajtur e dënimit llogaritet në dënimin e ri.

Kur i dënuari, pas dhënies së vendimit, por para vuajtjes së plotë të dënimit, kryen një vepër penale të re, gjykata bën bashkimin e dënimit të ri me pjesën e mbetur të dënimit të mëparshëm, duke ndjekur rregullat e parashikuara nga neni 55 i këtij Kodi.

 

Neni 57

Llogaritja e paraburgimit

(Ndryshuar paragrafi i III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 6)

Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë, si dhe në detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik si më poshtë:

Një ditë paraburgim baras me një ditë e gjysmë burgim.

Një ditë paraburgim baras me 5 mijë lekë gjobë.

Një ditë paraburgim baras me tetëmbëdhjetë orë pune në interes publik.

 

KREU VII

ALTERNATIVAT E DËNIMIT ME BURGIM

 

Neni 58

Gjysmëliria

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Për dënimin deri në një vit burgim, gjykata, për shkak të detyrimeve të personit të dënuar për punën, arsimin, kualifikimin ose aftësimin profesional, përgjegjësitë thelbësore familjare apo për nevojën për trajtim ose rehabilitim mjekësor, mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim me gjysmëliri.

Personi i dënuar, që vuan dënimin me gjysmëliri, është i detyruar tё kthehet në burg, pasi të ketë kryer detyrimet jashtë burgut, brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata.

Kur personi i dënuar nuk përmbush detyrimet, sipas këtij neni, zbatohet neni 62 i këtij Kodi.

 

Neni 59

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesё vjet, mund të urdhërojё që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

Gjykata urdhëron që i dënuari të përmbushë një apo më shume detyrime, të parashikuara në nenin 60 të këtij Kodi.

Afati i provës është 18 muaj deri në 5 vjet.

Nëse i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60, siç është urdhëruar nga gjykata, gjykata vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes, brenda periudhës së provës, ose revokimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit.

 

Neni 59/a

Qëndrimi në shtëpi

(Shtuar me ligjin nr. 10024, datw 27.11.2008

Për dënimet me burgim deri në dy vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të të dënuarit, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, kur ekzistojnë rrethanat e mëposhtme:

a) Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë, nën moshën 10 vjeç, që jetojnë me të.

b) Për baballarët, që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç, kur nëna e tij ka vdekur apo është e pazonja për t’u kujdesur për të.

c) Për persona, në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor, jashtë burgut.

ç) Për personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore.

d) Për të rinj, nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës apo përgjegjësive familjare.

Gjykata mund të lejojë personat e dënuar me qëndrim në shtëpi të largohen nga vendbanimi, për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare, për t’u angazhuar në veprimtari pune, edukimi apo arsimimi ose për programe rehabilitimi, për të cilat shërbimi i provës është dakord.

Në këtë rast gjykata përcakton masat që duhet të marrë shërbimi i provës.

Gjykata revokon qëndrimin në shtëpi dhe e zëvendëson atë me një ndëshkim tjetër, kur nuk ekzistojnë më kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni. Në qoftë se personi i dënuar largohet pa autorizimin e gjykatës nga vendbanimi apo shkel detyrimet e caktuara në vendimin e gjykatës, zbatohet neni 62 i këtij Kodi.

 

Neni 60

Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë

(Zwvendwsuar titulli, fjalw, pika 10 dhe 11, shtuar pika 12 dhe paragrafi i fundit me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

I dënuari i vënë në provë, mund të detyrohet nga gjykata të plotësojë një apo më tepër prej detyrimet të mëposhtëme:

1. Të ushtrojë një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional.

2. Shfrytëzimi i pagës dhe i të ardhurave të tjera ose i pasurisë për përmbushjen e detyrimeve financiare.

3. Të riparojë dëmin civil të shkaktuar.

4. Të ndalohet të drejtojë automjete të caktuara.

5. Të mos ushtrojë veprimtari profesionale kur vepra penale ka lidhje me këtë veprimtari.

6. Të mos frekuentojë vende të caktuara.

7. Të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike.

8. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara.

9. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale.

10. Të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.

11. Mjekimi ose rehabilitimi në një institucion shëndetësor ose nënshtrimi në një program të trajtimit, mjekësor apo rehabilitues.”.

12. Heqja dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës.”.

Në përcaktimin e detyrimeve për të dënuarin, gjykata merr parasysh moshën e të dënuarit, gjendjen mendore, mënyrën e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht ato të lidhura me familjen, edukimin ose punën, motivet e kryerjes së veprës penale, qëndrimin pas kryerjes së veprës penale, si dhe rrethana të tjera, që ndikojnë nё vendosjen e detyrimeve, sipas këtij neni dhe mbikëqyrjen e tyre.

 

Neni 61

Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Gjatë kohës së provës i dënuari është i detyruar:

a) të paraqitet rregullisht dhe tё informojё nё vazhdimёsi shёrbimin e provёs pёr pёrmbushjen e kushteve dhe detyrimeve tё caktuara nga gjykata;

b) tё marrë pëlqimin nga shërbimi i provës për ndryshimin e vendbanimit, qendrës së punës apo për lëvizjet e shpeshta brenda vendit

 

Neni 62

Shkelja e kushteve dhe e detyrimeve gjatë kohës së provës

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Nëse i dënuari, gjatë afatit të provës, kryen një vepër tjetër penale, gjykata mund të ndryshojë detyrimet që ka vendosur, ta zëvendësojë dënimin e dhënë me një dënim tjetër, apo ta revokojë, tërësisht ose pjesërisht, vendimin e pezullimit.

Nëse i dënuari, gjatë afatit të provës, shkel kushtet ose detyrimet që i janë vendosur, shërbimi i provës i raporton menjëherë prokurorit.

Pёr shkelje tё lehta dhe pёr herё tё parё tё kushteve ose tё detyrimeve qё i janё vendosur nga gjykata, prokurori ka tё drejtё tё japё paralajmёrim, i cili regjistrohet nё dosjen personale tё tё dёnuarit.

Pёr shkelje tё rёnda ose tё pёrsёritura, prokurori i kёrkon gjykatёs ndryshimin e detyrimit tё vendosur, shtimin e detyrimeve tё tjera, zёvendёsimin e tyre me njё sanksion tjetёr, ose revokimin e vendimit tё pezullimit tё dёnimit dhe vuajtjen e pjesёs sё mbetur tё dёnimit nё burg.

 

Neni 63

Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim  dhe detyrimi për kryerjen e një pune

në interes public

(Ndryshuar paragrafi i dytw, i pestw dhe i fundit me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe të rrethanave të kryerjes së veprës penale, kur ka caktuar një dënim gjer në një vit burgim, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që i dënuari të përmbushë një punë në interes publik.

Puna me interes publik nënkupton kryerjen nga i dënuari të një pune, me pëlqimin e tij dhe pa shpërblim, në favor të interesit publik apo shoqatës së caktuar në vendimin e gjykatës, për një kohë nga dyzet deri në dyqind e dyzet orë.

Ky detyrim nuk mund të vendoset kur i dënuari refuzon pezullimin në seancë gjyqësore.

Puna në interes publik kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh.

Në vendimin e saj gjykata përcakton numrin e orëve të punës dhe detyrimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Shërbimi i provës vendos llojin e punës që do të kryhet, përcakton vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës kur do të kryhet ajo, duke pasur parasysh, për aq sa është e mundur, punësimin e rregullt të të dënuarit apo detyrimet e tij familjare. Kohëzgjatja e punës me interes publik nuk i kalon tetë orë në ditë.

Pas përfundimit të punës, dënimi konsiderohet i paqenë.

Nëse i dënuari nuk kryen punën me interes publik, nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo shkel kushtet ose detyrimet e tjera, të vendosura nga gjykata, prokurori informon menjëherë gjykatën. Gjykata, në këtë rast, vendos sipas nenit 62 të këtij Kodi.

 

Neni 64

Lirimi me kusht

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 7)

(Hiqen fjalw nw titull dhe tekst me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

I dënuari me burgim mund të lirohet para kohe me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur:

-jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale;

-jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet burgim;

-jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi nga pesë gjer në njëzet e pesë vjet burgim.

Në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje.

Nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje.

Lirimi para kohe me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari për një vepër penale të kryer me dashje, gjatë kohës së kushtit, kryen një vepër tjetër penale me dashje, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin e dënimeve.

 

Neni 65

(Hiqen fjalw nw tekst me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur:

Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.

 

KREU VIII

SHUARJA E NDJEKJES PENALE, TË DËNIMEVE DHE MOSEKZEKUTIMI I TYRE

 

Neni 66

Parashkrimi i ndjekjes penale

Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:

a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;

b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;

c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;

ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;

d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

 

Neni 67

Mosparashkrimi i ndjekjes penale

Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit.

 

Neni 68

Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit

Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar:

a) njëzet vjet për vendimin  që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim;

b) dhjetë vjet për vendimin që përman dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim;

c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta.

 

Neni 69

Rehabilitimi

Quhen të padënuar:

a) ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;

b) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve  nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;

c) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;

ç) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë gjer në njëzet e pesë vjet dhe që gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.

 

Neni 70

Falja

Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.

 

Neni 71

Amnistia

Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.

Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe.

 

Neni 72

Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme

Dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi zbatohen edhe për veprat penale të tjera të parashikuara si të tilla nga ligje të veçanta.

 

PJESA E POSAÇME

 

KREU I

KRIME KUNDËR NJERËZIMIT

 

Neni 73

Genocidi

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

Zbatimi i një plani të paramenduar që synon shkatërrimin tërësisht apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racial apo fetar i drejtuar kundër anëtarëve të grupit dhe i shoqëruar me veprat që vijojnë, si: vrasje me dashje të anëtarëve të grupit, dëmtime të rënda fizike dhe psikike, vendosja në kushte jetese të rënda që shkaktojnë shkatërrimin fizik, zbatimi i masave që synojnë pengimin e lindjeve, si dhe transferimi i detyrueshëm i fëmijëve të një grupi në një grup tjetër, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 74

Krime kundër njerëzimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 8)

Vrasjet, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet, si dhe çdo lloj torture ose dhune tjetër njerëzore të kryera, sipas një plani konkret të paramenduar, kundër një grupi të popullsisë civile për motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 74/a

Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit

(shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve, që mohojnë, minimizojnë, në mënyrë të ndjeshme, miratojnë ose justifikojnë akte, që përbëjnë gjenocid ose krim kundër njerëzimit, dënohet me burgim tre deri në gjashtë vjet.

 

Neni 75

Krimet e luftës

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

Veprat e kryera nga persona të ndryshëm në kohë lufte, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi për punë skllavëruese, si dhe për çdo lloj shfrytëzimi tjetër çnjerëzor në dëm të popullsisë civile ose në territor të pushtuar, vrasja ose keqtrajtimi i robërve të luftës, vrasja e pengjeve, shkatërrimi i pasurisë private ose publike, shkatërrimi i qyteteve, komunave ose fshatrave, jo të diktuara nga nevoja ushtarake, dënohet me heqje të lirisë jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

KREU II

VEPRA PENALE KUNDËR PERSONIT

 

KRIME KUNDËR JETËS

 

SEKSIONI I

KRIME KUNDËR JETËS TË KRYERA ME DASHJE

 

Neni 76

Vrasja me dashje

 

Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 77

Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 9)

Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet.

 

Neni 78

Vrasja me paramendim

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 10)

(Shtesë në paragrafin e dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 7)

Vrasja me paramendim dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet .

Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga pesëqind mijë lekë deri në tre milionë lekë.

 

Neni 79

Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 11)

(Ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 9)

Vrasja me dashje e kryer:

a) ndaj të miturit;

b) ndaj personit me mangësi fizike ose  psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;

c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarët e tjerë publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;

ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse;

d) më shumë se një herë;

dh) kundër dy ose më shumë personave;

e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;

ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 80

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 81

Vrasja e foshnjës

Vrasja e foshnjës e kryer me dashje nga nëna, menjëherë pas lindjes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 82

Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike

Vrasja me dashje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike të çastit shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës dënohet me burgim gjer në tetë vjet.

 

Neni 83

Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes

së nevojshme

Vrasja e kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dënohet me burgim gjer në shtatë vjet.

 

Neni 83/a

Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 12)

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 8)

Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, që i bëhet një personi për t’u mbyllur në shtëpi, dënohet me burgim deri në tre vjet, si dhe me gjobë nga njëqind mijë lekë deri në një milion lekë.

 

Neni 83/b

Nxitja për gjakmarrje

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 9)

Nxitja e të tjerëve për hakmarrje ose gjakmarrje, kur nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në tre vjet, si dhe me gjobë nga njëqind mijë lekë deri në një milion lekë.

 

Neni 84

Kanosja

Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 84/a

Kanosja me motive racizimi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, që i bëhet një personi, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për shkak përkatësie etnike, kombësie, race apo feje, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

 

SEKSIONI II

KRIME KUNDËR JETËS SHKAKTUAR ME PAKUJDESI

 

Neni 85

Vrasja nga pakujdesia

Vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

SEKSIONI III

VEPRAT PENALE TË KRYERA ME DASHJE KUNDËR SHËNDETIT

 

Neni 86

Tortura

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 10)

Kryerja me dashje e veprave, nëpërmjet të cilave një personi i janë shkaktuar vuajtje të rënda, fizike apo mendore,  nga një person, që ushtron funksione publike, ose me nxitjen apo miratimin e tij, të hapur ose të heshtur, me qëllim:

a) për të marrë prej tij ose një tjetri informata ose pohime;

b) për ta ndëshkuar për një veprim të kryer ose që dyshohet të jetë kryer prej/ose një personi tjetër;

c) për ta frikësuar ose bërë presion mbi të ose një person tjetër;

ç) për çdo qëllim tjetër të bazuar në çfarëdolloj forme diskriminimi;

d) çdo akt tjetër çnjerëzor apo poshtërues;

– përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

 

Neni 87

Tortura me pasoja të rënda

Tortura, si dhe çdo akt tjetër çnjerëzor, kur ka sjellë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim të përhershëm të shëndetit të personit apo vdekjen, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 88

Plagosja e rëndë me dashje

Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, ndërprerjen e shtatzanisë, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 88/a

Plagosje e rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 13)

Plagosja e rëndë, e kryer në gjendje të tronditjes të fortë psikike të çastit, shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë nga ana e të dëmtuarit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 88/b

Plagosje e rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes

së nevojshme

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 13)

Plagosja e rëndë, e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 89

Plagosja e lehtë me dashje

Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 89/a

(Shtuar me ligjin nr.8204, datë 10.4.1997, neni 1)

Shitblerja e transplanteve, si dhe çdo veprimtari që lidhet me heqjen dhe implantimin e paligjshëm të organeve, dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.

Kur këto vepra kryhen me qëllim fitimi, dënohen me burgim nga 10 deri në 20 vjet.

 

Neni 90

Dëmtime të tjera me dashje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

SEKSIONI IV

VEPRA PENALE KUNDËR SHËNDETIT TË KRYERA NGA PAKUJDESIA

 

Neni 91

Plagosja e rëndë nga pakujdesia

Plagosja e rëndë e kryer nga pakujdesia përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 92

Plagosja e lehtë nga pakujdesia

Plagosja e lehtë e kryer nga pakujdesia përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

 

SEKSIONI V

VEPRA PENALE QË RREZIKOJNË JETËN DHE SHËNDETIN NGA NDËRPRERJA E SHTATZANISË OSE MOSDHËNIA E NDIHMËS

 

Neni 93

Ndërprerja e shtatzanisë pa pëlqim të gruas

Ndërprerja e shtatzanisë pa pëlqim të gruas, veç rastit kur ndërprerja diktohet nga një shkak shëndetësor i justifikuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 94

Ndërprerja e shtatzanisë e kryer në vende dhe nga persona

të paautorizuar

Ndërprerja e shtatzanisë e kryer jo në ambiente spitalore publike apo klinika private të lejuara posaçërisht, ose nga një person që nuk është mjek ose, tej kohës së lejueshme për ndërprerje veç rastit kur kjo diktohet nga një shkak shëndetësor i justifikuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur nga vepra  është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 95

Dhënia e mjeteve për ndërprerjen e shtatzanisë

Dhënia e mjeteve që shërbejnë për ndërprerjen e shtatzanisë një gruaje me qëllim që kjo të kryejë vetë ose me ndihmën e ndonjë tjetri ndërprerje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 96

Mjekimi i pakujdesshëm

(Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni14)

Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

 

Neni 97

Mosdhënia  ndihmë

Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë, kur si pasojë e saj është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit, rrezikimi i jetës ose vdekja, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 98

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes njerëzve që janë duke u mbytur në det ose në ujëra të tjera, kur kjo ndihmë mund të jepej pa rrezik serioz për anijen, ekuipazhin dhe udhëtarët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

 

Neni 99

Shkaktimi i vetëvrasjes

Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në vartësi materiale apo çfarëdolloj vartësie tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

SEKSIONI VI

KRIME SEKSUALE

 

Neni 100

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 15)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet.

 

Neni 101

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 16)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, me dhunë, me fëmijë të mitur në moshën katërmbëdhjetë gjer në tetëmbëdhjetë vjeç dhe që ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale, me dhunë, kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur fëmijës së dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet.

 

Neni 102

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura

(Ndryshuar paragrafi i I, II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, dhe neni 17)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 102/a

Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 18)

Kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur dënohet me burgim nga dy gjer në shtatë vjet.

Kur marrëdhënia homoseksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarit i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 103

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 19)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke përfituar nga pazotësia fizike ose mendore e personit të dëmtuar ose, nga vendosja në gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e personit të dëmtuar dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 104

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 20)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke kërcënuar personin e dëmtuar për përdorim aty për aty të armës, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 105

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 21)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 106

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 22)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë që janë gjini në vijë të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie ose të birësimit, dënohet me burgim gjer në shtatë vjet.

 

Neni 107

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 23)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale në vende publike ose në ambiente të ekspozuara nga vështrimi i njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 108

Vepra të turpshme

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 24)

Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

 

SEKSIONI VII

VEPRA PENALE KUNDËR LIRISË SË PERSONIT

 

Neni 109

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 25)

(Shtuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 10)

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim për të fituar pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, për të ndihmuar fshehjen ose largimin e autorëve ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave a kushteve të caktuara, për qëllime politike ose çdo qëllim tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet dhe me gjobë  nga dy milionë deri në pesë milionë lekë.

Po kjo vepër e kryer ndaj të miturit nën moshën 14 vjeç dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë  nga tre milionë deri në shtatë milionë lekë.

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit ose e të miturit nën moshën 14 vjeç, i paraprirë ose i shoqëruar me tortura fizike ose psikike, kur është kryer kundër disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë  nga pesë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

 

Neni 109/a

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 26)

Kur personi i rrëmbyer ose i mbajtur peng lirohet vullnetarisht para mbarimit të shtatë ditëve nga rrëmbimi ose mbajtja peng, pa e arritur qëllimin e krimit dhe, kur ndaj personit nuk është ushtruar torturë ose dëmtime të tjera të shëndetit, dënohet me burgim nga tre gjer në pesë vjet.

 

Neni 109/b

Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë

(Shtuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 11)

Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë  nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë.

Po kjo vepër, kur kryhet duke përdorur a kërcënuar me përdorimin e armës, torturës, akteve çnjerëzore e poshtëruese që kanë shkaktuar dëmtime të shëndetit, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë  nga dy milionë deri në pesë milionë lekë.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm dhe me gjobë  nga pesë milonë  deri në dhjetë milionë lekë.

 

Neni 110

Heqja e paligjshme e lirisë

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 27)

Heqja e paligjshme e lirisë së personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur kjo vepër shoqërohet me vuajtje të rënda fizike, kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

 

Neni 110/a

Trafikimi i personave

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 1)

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga dy milionë deri në pesë milionë lekë.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

 

 

Neni 111

Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera

Zotërimi dhe vënia nën kontroll e avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera të transportit ku ndodhen njerëz, duke përdorur dhunë ose me kërcënim me armë a mjete të tjera, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 112

Dhunimi i banesës

Hyrja ose qëndrimi në banesën e tjetrit pa pëlqim të tij përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Kur vepra është kryer me dhunë ose me kërcënim për përdorim të armës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

SEKSIONI VIII

VEPRA PENALE KUNDËR MORALIT DHE DINJITETIT

 

Neni 113

Prostitucioni

Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 114

Shfrytëzimi i prostitucionit

(Ndryshohet titulli dhe shfuqizohet paragrafi II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)

Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 114/a

Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese

(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2, pika 6 dhe paragrafi i fundit ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 29)

Shfrytëzimi i prostitucionit i kryer:

1. me të mitur;

2. ndaj disa personave;

3. me persona me të cilët ekzistojnë lidhje të afërta gjinie, krushqie, kujdestarie ose duke përfituar nga raportet zyrtare;

4. me mashtrim, shtrëngim, dhunë ose duke përfituar nga paaftësia fizike ose mendore e personit;

5. ndaj një personi që shtyhet ose shtrëngohet për të ushtruar prostitucion jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

6. kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose nga persona të ngarkuar me funksione shtetërore dhe publike dënohet nga 7 deri në 15 vjet burgim.

 

Neni 114/b

Trafikimi i femrave

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 2)

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e femrave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike a psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve, për të marrë pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga tre milionë deri në gjashtë milionë lekë.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të femrave dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga pesë milionë deri në shtatë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarës, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼  e dënimit të dhënë.

 

Neni 115

Mbajtja e lokaleve për prostitucion

Mbajtja, shfytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokalee për ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 116

Homoseksualizmi

(Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 31)

 

Neni 117

Pornografia

(Ndryshuar me ligjin nr. 9859, datw 21.1.2008)

Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në ambientet e të miturve, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Përdorimi i të miturit për prodhimin e materialeve pornografike, si dhe shpërndarja ose publikimi i tyre në internet apo në forma të tjera, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.

 

Neni 118

Dhunimi i varreve

Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, si dhe vjedhja e sendeve që mund të ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul respektin ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 119

Fyerja

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 32)

Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 119/a

Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik

(Shtuar mr ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve me përmbajtje raciste ose ksenofobike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 119/b

Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik

(Shtuar mr ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Fyerja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemit kompjuterik, që i bëhet një personi, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 120

Shpifja

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 33)

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 121

Ndërhyrje të padrejta në jetën private

Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 122

Përhapja e sekreteve vetjake

Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 123

Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës

Kryerja me dashje e veprimeve të tilla si asgjësimi, mosdorëzimi, hapja dhe leximi i letrave apo çdo korrespondencë tjetër, si dhe ndërprerja ose vënia nën kontroll, dëgjimi i bisedave telefonike, telegrafike ose i çdo mjeti tjetër telekomunikimi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet.

 

SEKSIONI IX

VEPRA PENALE KUNDËR FËMIJËVE, MARTESËS DHE FAMILJES

 

Neni 124

Braktisja e fëmijëve të mitur

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 34)

Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 124/a

Kërkimi ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit

(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 5)

Kërkimi, propozimi, dhënia ose pranimi i shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me procesin e birësimit të një të mituri, dënohen me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 3 milionë lekë.

 

Neni 124/b

Keqtrajtimi i të miturit

(Shtuar me ligjin nr. 9859, datw 21.1.2008)

Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet.

Detyrimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij dënohet me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëdhjetë  mijë deri në një milion lekë.

Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i  shëndetit ose vdekja e  të miturit, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

 

Neni 125

Mosdhënia e mjeteve për jetesë

Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën e fëmijëve, të prindërve ose të bashkëshortit, nga personi që në zbatim të një vendimi gjyqësor detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 126

Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit

Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të vendbanimit, të interesuarve ose organit të ekzekutimit, nga personi që sipas vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien e mjeteve të nevojshme për jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të cilit i janë besuar fëmijët pas zgjidhjes së martesës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

Neni 127

Marrja e padrejtë e fëmijës

Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej personit që ushtron autoritetin prindëror ose që i është besuar për rritje dhe edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

Neni 128

Ndërrimi i fëmijëve

Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 128/a

Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 35)

Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës me një tjetër, i kryer nga personeli mjekësor, dënohet me burgim nga tre gjer në tetë vjet.

 

Neni 128/b

Trafikimi i të miturve

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 3)

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të të miturve dënohen me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike të të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

 

Neni 129

Shtytja e të miturve në krim

Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç për të kryer krim, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 130

Shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë

 

Shtrëngimi ose pengimi për të filluar ose vazhduar bashkëjetesën ose shtrëngimi për të zgjidhur martesën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

SEKSIONI X

VEPRA PENALE KUNDËR LIRISË SË BESIMIT

 

Neni 131

Pengimi i veprimtarive të organizatave fetare

Ndalimi i veprimtarive të organizatave fetare, si dhe krijimi i pengesave për ushtrimin e lirë të veprimtarive të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 132

Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit

Shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i objekteve të kultit, kur ka shkaktuar humbjen plotësisht ose pjesërisht të vlerave të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 133

Pengimi i ceremonive fetare

Ndalimi ose krijimi i pengesave që u bëhen personave për të marrë pjesë në ceremonitë fetare, si dhe për të shprehur lirisht bindjet fetare, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

KREU III

VEPRA PENALE KUNDËR PASURISË

DHE NË SFERËN EKONOMIKE

 

SEKSIONI I

VJEDHJA E PASURISË

 

Neni 134

Vjedhja

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 12))

Vjedhja e pasurisë dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda  dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

 

Neni 135

Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën

Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi, që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 136

Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 37)

Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se në herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 137

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike

(Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 38)

(Hiqen fjalw me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajte penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 138

Vjedhja e veprave të artit e kulturës

Vjedhja e veprave të artit e kulturës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Vjedhja e veprave të artit e kulturës me rëndësi kombëtare dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 138/a

Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 39)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin i veprave të artit dhe të kulturës, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 139

Vjedhja me dhunë

Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 140

Vjedhja me armë

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 40)

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 11)

Vjedhja e pasurisë, e shoqëruar me mbajtjen e armëve dhe municioneve luftarake ose me përdorimin e tyre, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 141

Vjedhja me pasojë vdekjen

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 141/a

Trafikimi i mjeteve motorike

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 41)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin, i mjeteve motorike të vjedhura, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 142

Sigurimi i mjeteve për vjedhje

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të vjedhur pasurinë dënohet me gjobë  ose me burgim gjer në tre vjet.

 

SEKSIONI II

MASHTRIMET

 

Neni 143

Mashtrimi

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 42)

Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 143/a

Skemat mashtruese dhe piramidale

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 43)

Organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes, me qëllim fitimi material, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 143/b

Mashtrimi kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t’i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet dhe me gjobë nga 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë deri në 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë

 

Neni 144

Mashtrimi në subvencione

Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht subvencione nga shteti, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

 

Neni 145

Mashtrimi në sigurime

Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 146

Mashtrimi në kredi

Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht kredi duke regjistruar në mënyrë fiktive në hipotekë objekte që nuk ekzistojnë, ose tej vlerës së tyre reale, ose në pronësi të një tjetri, të bëra me qëllim për të mos kthyer më kredinë e marrë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

 

Neni 147

Mashtrimi për veprat e artit e të kulturës

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 44)

Vjedhja e pasurisë me anë të mashtrimit, duke paraqitur një vepër të artit dhe të kulturës si origjinale apo të një tjetër autori nga ai që është në fakt, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

 

 

Neni 148

Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 45)

Botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 149

Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 46)

Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht i veprës letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, ose përdorimi i tyre pa pëlqim të autorit, kur kanë shkelur të drejtat vetjake e pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

SEKSIONI III

SHKATËRRIMI I PRONËS

 

Neni 150

Shkatërrimi i pronës

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 151

Shkatërrimi i pronës me zjarr

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjar dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 152

Shkatërrimi i pronës me eksploziv

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me eksploziv dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 153

Shkatërrimi i pronës me përmbytje

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me përmbytje dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 154

Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me mjete të tjera, që përbëjnë rrezik për mjedisin rrethues dhe jetën e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 155

Shkatërrimi i rrugëve

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrugëve automobilistike, hekurudhore dhe veprave që lidhen me to, dënohet me gjobë apo me burgim gjer në shtatë vjet.

Kur nga veprat penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 156

Shkatërrimi i rrjetit elektrik

(Shtuar paragrafi i dyte me ligjin nr. 10023, date 27.11.2008)

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit elektrik, telegrafik, telefonik, radioteleviziv apo të çdo rrjeti ndërlidhës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepёr, kur kryhet nё bashkёpunim, mё shumё se njё herё, ose ka sjellё pasoja tё rёnda, dёnohet me burgim deri nё tre vjet

 

Neni 157

Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 158

Administrimi i ujit pa të drejtë, duke kthyer ose ndryshuar vijën e ujit, duke hapur  pendat, duke ndërtuar apo mbyllur kanale kulluese apo vaditëse, vija ose vepra të tjera, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 159

Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Lidhja, si dhe çdo ndёrhyrje tjetёr e bёrё pa leje nё rrjetin e ujёsjellёsit, pёr marrjen e ujit tё pijshёm, pёrbёn kundërvajtje penale dhe dёnohet me gjobё ose me burgim deri nё dy vjet.

Shkatёrrimi me dashje i rrjetit tё ujёsjellёsit dёnohet me burgim deri nё pesё vjet.

 

Neni 160

Shkatërrimi i veprave kulturore

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i veprave kulturore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur nga vepra penale janë shkatërruar apo dëmtuar vepra kulturore me rëndësi kombëtare, dënohet me gjobë ose me burgim nga dy gjer në tetë vjet.

 

Neni 161

Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia i pronës, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 162

Përplasja e mjeteve të transportit masiv

Shkaktimi nga pakujdesia i përplasjes se trenave, anijeve, avionëve, kur ka shkaktuar rrëzimin, djegien, mbytjen, përmbysjen, daljen nga shinat ose është shoqëruar me pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.

 

SEKSIONI IV

VEPRA PENALE TË KRYERA NË SHOQËRITË TREGTARE

 

Neni 163

Përpilimi i deklaratave të rreme

Përpilimi i deklaratave të rreme, në rastin e zmadhimit të kapitalit të shoqërisë, lidhur me ndarjen e pjesëve të kapitalit themeltar të ortakëve, me shlyerjen e tij apo me depozitimin e fondeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

 

Neni 164

Shpërdorimi i kompetencave

Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikqyrës apo administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 164/a

Korrupsioni aktiv në sektorin privat

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 13)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet dhe me gjobë  nga dyqind mijë deri në një milion lekë.

 

Neni 164/b

Korrupsioni pasiv në sektorin privat

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 13)

Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në tre milionë lekë.

 

Neni 165

Falsifikimi i nënshkrimeve

Falsifikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve apo deklarimi i rremë i derdhjeve të fondeve të shoqërisë, apo publikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve për persona fiktivë, apo vlerësimi i kontributit në natyrë me vlerë më të madhe se sa vlera faktike, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 166

Emetimi i parregullt i aksioneve

Emetimi i parregullt i aksioneve bërë përpara regjistrimit të shoqërisë apo kur regjistrimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, apo kur formalitetet e shoqërisë ende nuk janë plotësuar, apo kur ndryshimi i statutit me rastin e zmadhimit të kapitalit ende nuk është bërë ose nuk është regjistruar apo është bërë në mënyrë të kundërligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

Neni 167

Mbajtja e padrejtë e dy cilësive

Mbajtja njëkohësisht e cilësive të ortakut dhe ekspertit kontabël përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

Neni 168

Dhënia e informacioneve të rreme

Dhënia e informacioneve të rreme për gjendjen e shoqërisë prej ekspertit kontabël pranë një shoqërie tregtare, apo moskallëzimi në organet kompetente për kryerjen e një krimi, kur nuk ekzistojnë rastet e përjashtimeve nga përgjegjësia penale të përcaktuar në nenin 300 të këtij Kodi, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 169

Zbulimi i sekreteve të shoqërisë

Zbulimi i sekreteve të shoqërisë prej ekspertit kontabël të saj, me përjashtim të rasteve kur e detyron ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 170

Mosbërja e shënimeve të detyrueshme

Mosbërja e shënimeve të detyrueshme nga administratori apo likuiduesi i shoqërisë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

 

Neni 170/a

Punësimi i paligjshëm

(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 47)

Punësimi pa regjistrim në organet kompetente ose pa garantuar sigurimin e të punësuarit sipas rregullave, kur është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 10 mijë lekë për çdo rast ose me burgim deri në 1 vit.

Moskryerja me dashje ose mbulimi i shkeljeve lidhur me punësimin dhe sigurimin social nga persona të ngarkuar me zbatimin dhe kontrollin e dispozitave përkatëse, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë ose me burgim deri në 2 vjet.

 

Neni 170/b

Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 14)

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 12)

Kryerja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare, e veprimeve të konkurrencës me anë të kërcënimit ose dhunës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

Kur veprimet e konkurrencës drejtohen ndaj veprimtarive të financuara plotësisht ose pjesërisht dhe në çfarëdo mënyre nga shteti ose entet publike, dënimi me burgim shtohet me një të tretën.

 

SEKSIONI V

KRIME NË FUSHËN E DOGANAVE

 

Neni 171

Kontrabanda me mallra të ndaluar

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluar që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 172

Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave që paguhet akcizë nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

 

Neni 173

Kontrabanda me mallra të licencuar

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, që kërkojnë licencë nga organi kompetent, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 174

Kontrabanda me mallra të tjera

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshëm, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 175

Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 48)

Kryerja e kontrabandës nga punonjës të doganave ose punonjës që kanë lidhje me veprimtarinë doganore, qoftë edhe në bashkëpunim me persona të tjerë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 176

Kontrabanda e vlerave kulturore

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i vlerave kulturore kombëtare në kundërshtim me dispozitat ligjore në lidhje me to, dënohen me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 177

Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, duke i paraqitur ato si mallra me regjim të ndërmjetëm, me qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 178

Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 49)

Tregtimi, tjetërsimi ose transportimi i mallrave që dihet që janë kontrabandë, si dhe çdo ndihmë tjetër që u jepet personave që merren me këto veprimtari, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 179

Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë

Ruajtja, depozitimi, mbajtja apo përpunimi i mallrave që dihen se janë kontrabandë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 179/a

Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë

(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 6)

Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj forme të çekut bankar, metaleve ose gurëve të çmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej vlerës së parashikuar nga ligji, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

SEKSIONI VI

VEPRAT PENALE NË LIDHJE ME TAKSAT DHE TATIMET

 

Neni 180

Fshehja e të ardhurave

Fshehja apo tregimi i rremë i të ardhurave ose i objekteve që i nënshtrohen tatimeve dhe taksave, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 181

Mospagimi i taksave dhe tatimeve

Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, megjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 181/a

Moskryerja e detyrave nga organet tatimore

(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)

Moskryerja e detyrave që lidhen me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve nga punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë që janë ngarkuar me këto detyra, kur bëhet për fajin e tyre dhe i sjell shtetit dëm në vlerë më të vogël se 1 milion lekë, dënohet me gjobë deri në 2 milionë lekë;

kur vlera është më e lartë se 1 milion lekë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim.

 

Neni 182

Ndryshimi në aparatet matëse

Ndryshimi apo ndërhyrja në aparatet dhe arkat matëse regjistruese e të lëshimit të kuponave, apo përdorimi i aparateve dhe arkave të ndryshuara, apo lejimi i përdorimit nga të tjerët i aparateve dhe arkave të parregullta, me qëllim shmangien nga pagimi i plotë i tatimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

SEKSIONI VII

FALSIFIKIMI I MONEDHAVE DHE LETRAVE ME VLERË

 

Neni 183

Falsifikimi i monedhave

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 50)

Falsifikimi ose vënia në qarkullim e monedhave të falsifikuara dënohet me burgim  gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 184

Falsifikimi i letrave me vlerë

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 51)

Falsifikimi ose vënia në qarkullim i çeqeve, kambialeve, kartëkrediteve, çekudhëtarëve ose letrave të tjera me vlerë të falsifikuara, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 185

Prodhimi i mjeteve për falsifikim

(Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 52)

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të falsifikuar monedha, çeqe, kambiale, kartëkredite, çekudhëtari apo të tjera letra me vlerë, dënohet me gjobë ose me burgim ga një gjer në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

SEKSIONI VIII

FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE

 

Neni 186

Falsifikimi i dokumenteve

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 4)

Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

 

Neni 186/a

Falsifikimi kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Futja, ndryshimi, fshirja apo heqja e të dhënave kompjuterike, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, pavarësisht nëse të dhënat e krijuara janë drejtpërdrejt të lexueshme apo të kuptueshme, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.

Kur kjo vepër kryhet nga personi, që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave kompjuterike, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për interesin publik, dënohet me burgim tre deri në dhjetë vjet.

 

 

Neni 187

Falsifikimi i dokumenteve shkollore

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve shkollore të falsifikuara dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 188

Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara shëndetësore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 189

Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 5)

Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

 

Neni 190

Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 6)

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 15)

Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

 

Neni 191

Falsifikimi i akteve të gjendjes civile

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 7)

Falsifikimi apo përdorimi i akteve të gjendjes civile të falsifikuara dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në një milion lekë.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

 

Neni 192

Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të dokumenteve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 192/a

Zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53)

Asgjësimi me çdo mënyrë i dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, si dhe zhdukja e vjedhja e dokumenteve që janë të një rëndësie të veçantë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Vjedhja e dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, që janë të një rëndësie të veçantë, ose eksportimi i tyre në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 192/b

Hyrja e paautorizuar kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53)

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 13)

(Ndryshuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

SEKSIONI IX

VEPRA PENALE NË FUSHËN E FALIMENTIMIT

 

Neni 193

Falimentimi i provokuar

Çuarja me dashje e personit juridik në gjendjen e falimentimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 194

Fshehja e gjendjes së falimentimit

Hyrja në marrëdhënie ekonomike tregtare me tëtretët nga ana e personit juridik, me qëllim të fshehë gjendjen e falimentimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 195

Fshehja e pasurisë pas falimetimit

Fshehja e pasurisë pas falimentimit të personit juridik, me qëllim që t’u shmanget pasojave të tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

 

Neni 196

Shkelja e detyrimeve

Shkelja nga ana e personit juridik të detyrimeve që rëndojnë mbi të me rastin e falimentimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

SEKSIONI X

ZHVILLIMI I PALEJUAR I LOJËRAVE TË FATIT

 

Neni 197

Organizimi i llotarive të palejuara

Organizmi i llotarive, lojrave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

Neni 197/a

Paracaktimi i rezultateve në garat sportive

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë ose me burgim nga tre muaj deri në dy vjet.

Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 2 000 000 (dy milionë) lekë deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.

 

Neni 197/b

Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive prej pjesëmarrësve, nëpërmjet përdorimit të substancave të ndaluara, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 198

Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara

Vënia në dispozicion e lokaleve për organizimin apo luajtjen e llotarive, lojrave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

SEKSIONI XI

VEPRA PENALE QË CENOJNË RREGJIMIN JURIDIK

TË TOKËS

 

Neni 199

Shpërdorimi i tokës

Shpërdorimi i tokës në kundërshtim me destinacionin e saj përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

Neni 199/a

Ndërtimi i paligjshëm

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobё ose me burgim deri në njё vit.

Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga njё deri nё pesё vjet.

 

Neni 200

Pushtimi i tokës

Pushtimi i tokës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

KREU IV

VEPRA PENALE KUNDËR MJEDISIT

 

Neni 201

Ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 202

Transportimi i mbeturinave toksike

Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të mbeturinave toksike dhe radioaktive, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 203

Ndotja e ujërave

Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujrave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 204

Peshkimi i ndaluar

Peshkimi në kohë, me mjete, vende dhe mënyra të ndaluara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Peshkimi i kryer me mjete të rrezikut të përbashkët si eksploziv, lëndë helmuese etj,. përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 205

Prerja e paligjshme e pyjeve

Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 206

Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë

Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve dhe parqeve nëpër qytete përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.

Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta, pasi është refuzuar më parë leja e prerjes nga organet kompetente, përbën kundërvajtje penale e dënohet me burgim gjer në tre muaj.

 

Neni 206/a

Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja tё rёnda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga tre deri në pesё vjet dhe me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.

Po kjo vepёr, e kryer me qёllim ndryshimin e kategorisё dhe destinacionit tё tokёs, dёnohet me burgim nga tre deri nё dhjetё vjet dhe me gjobё nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga pesё deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 1 000 000 (një milion) lekë deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë.

 

Neni 206/b

Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, me pasoja tё rёnda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

Neni 207

Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve

Shkelja e rregullave për karantinën e bimëve apo të kafshëve, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale ose që rrezikojnë jetën e shëndetin e njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

 

KREU V

KRIME KUNDËR PAVARËSISË DHE RENDIT KUSHTETUES

 

SEKSIONI I

KRIME KUNDËR PAVARËSISË DHE INTEGRITETIT

 

Neni 208

Dorëzimi i territorit

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 79)

Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 209

Dorëzimi i forcave të armatosura

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i forcave të armatosura apo materialeve mbrojtëse ose furnizimi me armë e municion i një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 210

Marrëveshja për dorëzim territori

Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 211

Provokimi i luftës

Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të vënë Republikën e Shqipërisë përpara rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të huaja, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 212

Marrëveshja për ndërhyrje të armatosur

Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për të shkaktuar ndërhyrje të armatosur kundër territorit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 213

Dhënia e informatave sekrete

Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 214

Sigurimi i informatave

Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 215

Dëmtimi i objekteve mbrojtëse

Shkatërrimi apo dëmtimi i mjeteve, pajisjeve, aparaturave, armatimit, teknikës luftarake apo objekteve mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 216

Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të shkatërruar ose dëmtuar pajisjet, aparaturat, armatimin, mjetet e teknikës luftarake apo objektet mbrojtëse ushtarake, me qëllim uljen e aftësisë mbrojtëse të vendit, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 217

Marrja e shpërblimeve

Marrja apo marrëveshja për të marrë shpërblim apo përfitime të tjera materiale, për të kryer në favor të shteteve apo fuqive të huaja një nga krimet e parashikuara në këtë seksion, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 218

Vënia në shërbim të shteteve të huaja

Vënia në shërbim të një shteti apo një fuqie të huaj të çdo shtetasi shqiptar, me qëllim kryerjen e veprave kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

SEKSIONI II

KRIME KUNDËR RENDIT KUSHTETUES

 

Neni 219

Atentati

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

 

Kryerja e vrasjeve, rrëmbimeve, torturave apo akteve të tjera të dhunës kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 220

Komploti

Marrja e vendimeve dhe krijimi i kushteve materiale nga një grup njerëzish për të kryer atentat dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 221

Kryengritja

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

 

Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë  vjet.

Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm.

 

Neni 222

Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës

 

Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t’iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 223

Thirrjet publike për veprime të dhunshme

 

Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 224

Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese

 

Krijimi apo pjesëmarrja në parti, organizata apo shoqata që synojnë përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Rikrijimi i një partie, organizate ose shoqate të shpërndarë si antikushtetuese apo vazhdimi i veprimtarisë në mënyrë të fshehtë ose të hapur, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

 

Neni 225

Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese

 

Shpërndarja e shkrimeve apo përdorimi i simboleve që i përkasin një partie, organizate apo shoqate antikushtetuese ose që është e shpërndarë si e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

KREU VI

KRIME QË CENOJNË MARRëDHËNIET ME SHTETET E TJERA

 

Neni 226

Veprat e dhunshme ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja

 

Kryerja e veprave të dhunshme ndaj kryetarëve, anëtarëve të qeverisë, parlamentarëve të shteteve të huaja, përfaqësuesve diplomatikë, apo të organizmave të njohur ndërkombëtarë, që ndodhen zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, dënohen me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 227

Fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja

 

Fyerja e bërë ndaj kryetarëve, anëtarëve të qeverisë, parlamentarëve të shteteve të tjera, përfaqësuesve diplomatikë apo të organizmave të njohur ndërkombëtarë, që ndodhen  zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 228

Veprimet e dhunshme ndaj vendeve të punës të përfaqësuesve të huaj

 

Kryerja e veprimeve të dhunshme ndaj vendeve të punës, banimit, mjeteve të transportit të përfaqësuesve të shteteve të huaja dhe organizmave të njohur ndërkombëtarë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur nga vepra kanë ardhur pasoja të rënda materiale apo janë sjellë ndërlikime në marrdhëniet dypalëshe, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 229

Veprimet fyese ndaj himnit e flamurit

 

Përdorimi i fjalëve ose kryerja e veprimeve që botërisht fyejnë flamurin, stemën, himnin e shteteve të huaja apo organizmave të njohur ndërkombëtarë, si dhe heqja, prishja, bërja e papërdorshme e flamurit, e stemës së ekspozuar në institucione zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

KREU VII

VEPRA ME QËLLIME TERRORISTE

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 14)

 

Neni 230

Vepra me qëllime terroriste

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 15)

Kryerja e veprave të mëposhtme, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë ose për të detyruar organe shtetërore, shqiptare ose të huaja, të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, ose për të shkatërruar apo destabilizuar, në mënyrë serioze, struktura thelbësore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të shtetit shqiptar, të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Veprat me qëllime terroriste përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë;

b) pengmarrjen ose rrëmbimin e personit;

c) shkatërrimin serioz të pronës publike, infrastrukturës publike, sistemit të transportit, sistemit të informacionit, platformave fikse kontinentale, pronës private në përmasa të mëdha, duke rrezikuar jetën e personave;

ç) rrëmbimin e avionëve, anijeve ose të mjeteve të tjera të transportit;

d)  prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin ose tregtimin e lëndëve shpërthyese, armëve të zjarrit, atyre biologjike, kimike, nukleare, si dhe kërkimin shkencor për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, të përmendura më sipër;

dh) shpërndarjen në mjedis të substancave të rrezikshme, si dhe shkaktimin e zjarreve, të përmbytjeve, shpërthimeve, me qëllim rrezikimin e jetës së personave ose shkaktimin e dëmeve të mëdha financiare;

e) shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike ose  çdo burim tjetër të rëndësishëm.

 

Neni 230/a

Financimi i terrorizmit

(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 7)

 

Financimi i terrorizmit ose mbështetja në çdo formë e tij dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm dhe me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

 

Neni 230/b

Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 16)

 

Transferimi, konvertimi, fshehja, lëvizja ose tjetërsimi i fondeve dhe i pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit, për të shmangur zbulimin dhe vendndodhjen e tyre, dënohen me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në gjashtë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë  nga një milion deri në tetë milionë lekë, ndërsa kur kryerja e kësaj vepre ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë  nga pesë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

 

Neni 230/c

Dhënia e informacioneve nga persona që ushtrojnë funksione publike ose në ushtrim të detyrës a profesionit

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 16)

 

Vënia në dijeni e personave të shpallur ose e personave të tjerë për të dhënat për verifikimin ose hetimin e fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit, nga persona që ushtrojnë funksione publike ose që janë në ushtrim të detyrës a profesionit, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë  nga një milion deri në pesë milionë lekë.

 

Neni 230/ç

Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 16)

 

Dhënia e fondeve dhe pasurive të tjera, kryerja e shërbimeve financiare, si dhe e transaksioneve të tjera me persona të shpallur, ndaj të cilëve zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit, dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet dhe me gjobë  nga katërqind mijë deri në pesë milionë lekë.

 

Neni 230/d

Grumbullimi i fondeve për financimin e terrorizmit

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 16)

 

Grumbullimi i mjeteve financiare të çdo lloji, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për financimin e organizatave ose kryerjen e veprave me qëllime terroriste, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në gjashtë milionë lekë.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim