Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar Paketën Fiskale 2012, duke i bërë ndryshime draftit të hartuar nga Bashkia sipas rekomandimeve të dala nga diskutimi që iu bë asaj pakete fiskale me grupet e interesit dhe publikun, diskutim ky i mundësuar nga Qendra për Çeshtje të Informimit Publik (ÇIP) dhe Zyra për Transparencë Qytetare (ZTQ) Durrës. Një pjesë e taksave dhe tarifave vendore nuk u rritën, duke mbetur në nivelin e vitit 2011. Në draftin e përgatitur nga Bashkia e Durresit parashikohej rritje 10% -30% e pothuajse të gjithë zërave të Paketës Fiskale 2012, krahasuar me atë të nje viti me parë.  Përcaktues për mos-rritjen e taksave dhe tarifave për vitin 2012 ka qenë grupi i këshilltarëve të djathtë, i cili adoptoi pothuajse të plota rekomandimet e grupeve të interesit të cilat dolën nga takimi i organizuar nga Qendra ÇIP dhe dega e saj lokale në Durrës, Zyra për Transparencë Qytetare. Ato më pas u reflektuan në vendimarjen përfundimtare nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e datës 17 Janar.

Paketa fiskale përfaqëson taksat dhe tarifat vendore, detyrime këto që duhet t’i paguhen Bashkisë së Durrësit nga personat, familjet dhe bizneset. Hartimi i paketës fiskale kryhet nga Bashkia, e më pas i kalohet për diskutim dhe miratim Këshillit Bashkiak. Në bazë të paketës fiskale të miratuar, Bashkia nis hartimin e buxhetit, i cili edhe ky i kalohet për diskutim dhe miratim Këshillit Bashkiak.

Më 21 dhjetor 2011, Qendra ÇIP dhe ZTQ Durrës, në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak të Durrësit, organizuan një diskutim të zgjeruar të Paketës Fiskale 2012. Ky diskutim me aktoret e interesuar zhvillohej per here te pare ne Durres persa i takon Paketes Fiskale (te ardhurat nga taksat dhe tarifat ne buxhet). Ne vitet e meperparshme ka patur vetem diskutim me publikun per investimet publike, por asnjehere per barren fiskale dhe nivelin e tarifave. Në diskutim ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, të Shoqatës së Ndërtuesve, të Dhomës Kombëtare të Veshjeve të Këpucëve, të Shoqatës së Tregtarëve të Vegjël, të Shoqatës së Operatorëve Turistikë, të shoqërisë civile, etj. Gjatë diskutimit dolën mjaft propozime për ndryshime në draftin e paketës fiskale, si: heqja ose ulja e taksës së fjetjes në hotel, ulja dhe diferencimi i tarifës së pastrimit, dhënia në përdorim me konkurs e plazheve private, ulja e taksave për biznesin e vogël, rajonalizimi fiskal i qytetit, etj.

Këshilltarët diskutuan në detaje paketën fiskale, duke theksuar faktin se Bashkia nuk kishte pasqyruar në draft asnjë prej rekomandimeve të dala nga diktumi me grupet e interesit. Por, gjatë diskutimit, Komisioni i Financave, Buxhetit dhe Tatim-Taksave të Këshillit Bashkiak dha propozimet e veta për çdo taksë e tarifë, duke votuar më pas ndryshimet e tyre. Kështu, Këshilli Bashkiak miratoi Paketën Fiskale 2012 të Bashkisë së Durrësit, duke ruajtur nivelin e taksave dhe tarifave të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, diskutimi i mundësuar nga Qendra ÇIP dhe ZTQ Durrës tregoi efektivitetin dhe suksesin e kësaj ndërmarje. Që në fillim të mbledhjes, Qendra ÇIP dhe ZTQ Durrës shpërdanë për të gjithë këshilltarët proces-verbalin e plotë të diskutimit publik të paketës fiskale, duke u ardhur kështu në ndihmë për të kuptuar nevojat e publikut.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka 45 anëtarë, nga të cilët 24 kontrollohen nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin” e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe 21 kontrollohen nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” e udhëhequr nga Partia Socialiste. Në këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Durrësit ishin të pranishëm 43 anëtarë të tij.

 

Paketa Fiskale 2012, Keshilli Bashkiak Durres, Dt. 17.01.2012, from Qendra CIP on Vimeo.

<< Kthehu ne fillim