(Ndryshuar me ligjin nr. 8442, datw 21.1.1999)


Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, date 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë,
VENDOSI:

 

KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME

 

 

Neni 1

Shtetësia shqiptare është një lidhje e qëndrueshme juridike, që shprehet në të drejtat dhe detyrat e ndërsjella të personit fizik dhe të shtetit shqiptar.

Shtetësia shqiptare fitohet, rifitohet, humbet apo lihet në përputhje me dispozitat e këtij ligji, i cili respekton normat e parimet e njohura të së drejtës ndërkombëtare në fushën e shtetësisë të pranuara nga Republika e Shqipërisë.

 

Neni 2

Është shtetas shqiptar:

a) Çdo person, i cili ka pasur shtetësinë shqiptare deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji;

b) Çdo person, që fiton shtetësinë shqiptare në bazë të këtij ligji.

 

Neni 3

Shtetasi shqiptar mundet të jetë edhe shtetas i një shteti tjetër.

 

Neni 4

Askujt nuk mund t’i hiqet arbitrarisht shtetësia shqiptare.

Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të heqë dorë nga shtetësia shqiptare me kusht që të ketë një shtetësi tjetër, të ketë fituar një shtetësi tjetër apo t’i jetë garantuar nga organet kompetente të shtetit të huaj dhënia e një shtetësie tjetër.

 

Neni 5

Fitimi dhe rifitimi i shtetësisë shqiptare, si dhe heqja dorë prej saj, nga të miturit bëhet me miratimin e prindërve.Çdo ndryshim në shtetësinë e të miturve, të moshës 14-18 vjeç, bëhet duke marrë edhe pëlqimin e fëmijës.

 

KREU II
FITIMI I SHTETESISE SHQIPTARE

Neni 6

Shtetësia shqiptare fitohet me:

a) lindje;

b) natyralizim;

c) birësim.

Neni 7

Fitimi i shtetësisë me lindje

(Ndryshuar me ligjin nr. 8442, datw 21.1.1999)

Kushdo qe lind duke pasur qofte edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare.

 

Neni 8

1. Një fëmijë i lindur ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë merr shtetësinë shqiptare në rast se ai është lindur nga prindër të panjohur, dhe si pasojë fëmija do të mbetej pa shtetësi.
Në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur përpara se fëmija të ketë arritur moshën 14 vjeç, dhe ata janë me shtetësi të huaj, shtetësia shqiptare mund të hiqet më kërkesë të prindërve të njohur ligjërisht, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.

2. Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë , mund të marrë shtetësinë shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve.

 

Neni 9
Marrja e shtetësisë me natyralizim

Një i huaj që ka paraqitur kërkesë për marrjen e shtetësisë shqiptare me natyralizim e fiton atë në rast se plotëson kushtet e mëposhtme:

1. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç.

2. Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë , në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet.

3. Të kete banesë dhe të disponoje të ardhura të mjaftueshme.

4. Të mos ketë qenë ndonjëherë i dënuar në shtetin e vet apo në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie.

Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike.

5. Të ketë njohuri, të paktën fillestare, të gjuhës shqipe;

6. Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë ;

7. Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.

Në rast se personi është pa shtetësi, kushtet e pikës 1, 3, 4 dhe 5 të këtij neni nuk merren parasysh.

Në rast se i huaji vërteton se është me origjinë shqiptare deri në dy shkallë, qoftë edhe nga njëri prind, koha e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë , e përmendur në pikën 2 të këtij neni, duhet të jetë të paktën 3 vjet. Të gjitha kushtet e tjera për fitimin e shtetësisë shqiptare të treguara në këtë nen, mbeten të paprekura.

 

Neni 10

I huaji që është i martuar me një shtetas shqiptar prej jo me pak se 3 vjetësh, në rast se dëshiron, mund të fitoje shtetësinë shqiptare me natyralizim edhe në qofte se nuk plotëson kushtet e neni, 9, pikat 2 dhe 5. në këtë rast i huaji duhet të kete banuar, në mënyrë të vazhdueshme dhe të ligjshme, në territorin e Republikës se Shqipërisë të paktën një vit.

 

Neni 11

Në rast se të dy prindërit fitojnë shtetësinë shqiptare me natyralizim, fëmija i tyre, nën moshën l8vjeç, kur jeton me prindërit, bëhet gjithashtu shtetas shqiptar me kërkesën e prindërve dhe me pëlqimin e fëmijës, në qoftë se ky është në moshën 14-18 vjeç.

Në rast se njëri prej prindërve fiton shtetësinë shqiptare, fëmija i tij nën 18 vjeç bëhet shtetas shqiptar, në se kjo kërkohet nga të dy prindërit, ose nga njëri prej prindërve kur prindi tjetër është pa shtetësi dhe fëmija ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 12
Fitimi i shtetësisë me birësim

Në rast se dy prindërit me shtetësi shqiptare birësojnë një të mitur të një shtetësie tjetër apo pa shtetësi, fëmija fiton shtetësinë shqiptare.

I mituri i birësuar e fiton shtetësinë shqiptare edhe kur njëri prej prindërve është shqiptar dhe të dy prindërit, në çastin e birësimit, banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë , si dhe në çdo do rast tjetër kur fëmija rrezikon të mbetet pa shtetësi, si rezultat i birësimit.

 

Neni 13
Revokimi i vendimit për dhënien e shtetësisë

Vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare mund të revokohet në se vërtetohet se i huaji ose personi pa shtetësi, me vetëdije, kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare e ka bazuar në të dhëna të pasakta ose në dokumente të falsifikuara.

Vendimi për marrjen e shtetësisë shqiptare, i dhënë në kushtet e paragrafit të mësipërm, revokohet edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeç, të cilët e kanë fituar shtetësinë së bashku me prindërit e tyre, duke pasur gjithnjë parasysh interesin e fëmijës, si dhe faktin që fëmija të mos mbetet pa shtetësi.

 

Neni 14

Personi, i cili ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare për shkak të premtimit për fitimin e një shtetësie tjetër, e rifiton shtetësinë shqiptare në qoftë se nuk fiton shtetësinë e premtuar brenda një kohe të arsyeshme.

Edhe në këtë rast bëhet një kërkesë dhe paraqiten dokumentet e nevojshme.

 

KREU III
MBARIMI I SHTETESISE SHQIPTARE

 

Neni 15

Shtetësia shqiptare merr fund me kërkesë të personit, kur ai plotëson kushtet e mëposhtme:

1. Ka mbushur moshën 18 vjeç.

2. Nuk mbetet pa shtetësi si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare, meqenëse ka
shtetësi të huaj, fiton shtetësi të huaj ose garanton se do të fitojë shtetësi të huaj.

3. Është rezident në një shtet të huaj.

4. Nuk është në ndjekje penale për vepra penale, për të cilat, sipas legjislacionit shqiptar, parashikohet dënim me burgim jo me pak se 5 vjet.

5. Nuk ka detyrime ligjore ndaj autoriteteve shtetërore, personave juridikë dhe fizikë.

Vendimi për njohjen e faktit të heqjes dore nga shtetësia shqiptare mund të revokohet, kur vërtetohet se ish-shtetasi shqiptar, me vetëdije, ka përdorur të dhëna të pasakta ose dokumente të falsifikuara për lënien e shtetësisë.

 

Neni 16

(Ndryshuar paragrafi i parw me ligjin nr. 8442, datw 21.1.1999)

Për te miturit, shtetësia shqiptare mund te mbaroje kur te paktën njeri nga prindërit ka hequr dore nga shtetësia shqiptare. Ne kete rast pëlqimi i prindërve.

Edhe kur njëri prej prindërve nuk është dakord që fëmija të humbasë shtetësinë shqiptare, fëmijës mund t’i hiqet shtetësia, në se çmohet se një gjë e tillë është në dobi të fëmijës dhe nëse fëmija ka apo do të marrë një shtetësi tjetër.

Fëmija i mitur e humbet shtetësinë shqiptare kur birësohet nga prindër të huaj dhe fiton, me këtë rast, një shtetësi të re.

 

KREU IV
PROCEDURA QE NDIQET PER HEQJEN DORE NGA SHTETESIA SHQIPTARE, SI
DHE PER FITIMIN E RIFITIMIN E SAJ ME NATYRALIZIM

 

Neni 17

Kërkesa për fitimin, rifitimin ose heqjen dorë nga shtetësia shqiptare paraqitet në organet e Ministrisë së Rendit Publik të vendbanimit të personit ose, në rast se personi banon jashtë shtetit, në përfaqësitë diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. e shoqëruar me dokumentet e kërkuara nga ky ligj.

 

Neni 18

Në rast se dokumentet e nevojshme nuk janë të plota, organet kompetente, brenda një muaji, ia kthejnë kërkuesit për plotësime të mëtejshme.

 

Neni 19

Ministria e Rendit Publik brenda 6 muajve nga dita e paraqitjes se kërkesës se individit, në baze te kushteve të përcaktuara në kete ligj për fitimin, rifitimin ose humbjen e shtetësisë shqiptare, vendos për paraqitjen ose jo të kërkesës për fitimin, rifitimin ose humbjen e shtetësisë pranë Presidentit të Republikës.

Kërkesa e Ministrisë se Rendit Publik shoqërohet me dosjen e plote individuale te kërkuesit.
Vendimi për bërjen ose jo të kërkesës nga ana e Ministrisë së Rendit Publik i behet e njohur subjekteve të interesuara, të cilat, në rast se nuk janë dakord me përmbajtjen e tij, mund të ngrenë padi në gjykatën e rrethit Tirane.

 

Neni 20

Presidenti i Republikës, brenda 3 muajve nga paraqitja e k ërkesës së Ministrisë së Rendit Publik, nxjerr dekretin përkatës. Në rast se kërkesa nuk është e plotë, materiali i kthehet për t’u plotësuar Ministrisë së Rendit Publik brenda 1 muaji nga dita e paraqitjes.

Kur janë kushtet e pikës 7 të nenit 9 të këtij ligji, dekreti për fitimin e shtetësisë shqiptare nxirret edhe pa ndjekur procedurën e mësipërme.

 

Neni 21

Kopje e dekretit për fitimin ose humbjen e shtetësisë shqiptare u dërgohet Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë për të bërë veprimet e duhura.Dekreti botohet në Fletoren Zyrtare.

 

Neni 22

Personit që ka fituar shtetësinë shqiptare i jepet dokumenti përkatës, ndërsa atij që e ka humbur shtetësinë shqiptare i jepet një dokument identifikimi i përkohshëm

 

Neni 23

Personi që fiton shtetësinë shqiptare me natyralizim betohet para nëpunësit të zyrës së regjistrimit të shtetasve për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Shtetësia shqiptare quhet efektivisht e fituar që nga dita e bërjes së betimit.

 

KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TE FUNDIT

Neni 24

Personit që ka hequr dore nga shtetësia shqiptare para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe nuk ka shtetësi tjetër, i rijipet shtetësia menjëherë, mbi bazën e kërkesës së paraqitur prej tij.

 

Neni 25

Ngarkohen Ministria e Rendit Publik, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme që, në bashkëpunim, të nxjerrin aktet nënligjore për zbatimin e procedurave të përmendura në këtë ligj.

 

Neni 26

Dekreti nr. 1874, datë 7.6.1954 ” Mbi shtetësinë shqiptare”, si dhe ndryshimet e tij te mëvonshme shfuqizohen.

 

Neni 27

Shteti shqiptar ruan të drejtën që, në përputhje me frymën e konventave ndërkombëtare për mënjanimin e rasteve të dyshtetësisë dhe të pashtetësisë , t’i kërkojë shtetasit të vet ose kërkuesit të shtetësisë shqiptare të zgjedhë vetëm një shtetësi.

 

Neni 28

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim