Neni 3

Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet në të gjitha strukturat shëndetësore që ushtrojnë veprimtari në fushën e transplantimit të organeve, indeve dhe qelizave, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ky ligj zbatohet për të gjitha transplantimet që kryhen:

a) brenda të njëjtit individ nga një pjesë e trupit te një tjetër;

b) midis individëve që kanë lidhje gjaku (gjyshi, gjyshja, prindi, fëmija, tezja, daja,
xhaxhai, halla, nipi, mbesa), me përjashtim të qelizave riprodhuese;

c) midis individëve që nuk kanë lidhje gjaku (vjehrri, vjehrra, bashkëshorti, bashkëshortja), sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;

ç) për indet dhe qelizat, përfshirë qelizat gjakformuese nga gjaku periferik, për kordonin umblilikal (gjaku) dhe qelizat nga palca e kockave, për qelizat riprodhuese (vezët, sperma), indet dhe qelizat fetale.

 

Neni 6

Ndalimet

1. Ndalohet transplantimi i indeve, qelizave dhe organeve për përfitime financiare.

2. Ndalohet transplantimi i trurit dhe gonadeve.

3. Ndalohet manipulimi gjenetik i embrionit, qoftë dhe për qëllime transplantimi.

4. Ndalohet dhurimi i organeve nga dhurues të mitur, të gjallë.

5. Heqja e indit, qelizave apo organit nuk mund të kryhet ndaj një personi të paaftë për të dhënë pëlqimin, me përjashtim të përcaktimeve të nenit 20 të këtij ligji.

6. Ndalohen promovimi dhe reklamimi me qëllim kërkese apo oferte të organeve.

 

Neni 12

Etika mjekësore gjatë procesit të transplantimit

1. Komiteti i Etikës Mjekësore trajton, sipas detyrimeve të këtij ligji, çështje të transplantimit të indeve, qelizave dhe organeve.

2. Komiteti i Etikës Mjekësore i jep institucionit shëndetësor miratimin ose refuzimin për sa i përket realizimit të heqjes së:

a) një organi në dobi të përfituesit, i cili nuk ka lidhje gjaku (bashkëshorti, bashkëshortja, vjehrri, vjehrra) me dhuruesin;

b) indit rigjenerues nga i mituri ose personi i paaftë për të shprehur pëlqimin;

c) indet, qelizat në dobi të përfituesit, i cili nuk ka lidhje gjaku me dhuruesin.

3. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore nuk duhet të jenë në konflikt interesi me pozicionin e tyre të punës. Ata nuk duhet të jenë pjesë e stafit mjekësor që merr pjesë në procesin e transplantimit.

4. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore ruajnë konfidencialitetin e të gjitha të dhënave që kanë mësuar për sa i përket realizimit të veprimtarive të tyre. Përjashtim bëjnë rastet kur të dhënat bëhen të njohura me pëlqimin e dhuruesit, përfituesit ose një përfaqësuesi ligjor. Sigurimi i një pëlqimi apo refuzimi të tillë bëhet pjesë e të dhënave mjekësore të dhuruesit, të miturit, ose personit të paaftë për të shprehur pëlqimin e tij/saj.

 

Neni 14

Informimi i dhuruesve

1. Mjeku, që vlerëson aftësinë shëndetësore të dhuruesit, e informon atë për qëllimin, natyrën dhe pasojat e dhurimit të transplantit dhe për rreziqet e mundshme që lidhen me to.

2. Kur dhuruesi është i mitur ose një person i paaftë, të dhënat në fjalë i dërgohen përfaqësuesit të tij/saj ligjor. Informacioni që jepet duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm. Dhuruesi dhe përfaqësuesi ligjor i të miturit apo i personit të paaftë gëzon të drejtën për të parashtruar pyetje për informacionin e marrë.

3. Dhuruesi dhe përfaqësuesi ligjor i të miturit ose i personit të paaftë mund të kërkojë që një tjetër dëshmitar të jetë prezent kur janë duke marrë informacionin. Mjeku informon personat e lartpërmendur për këtë mundësi paraprakisht.

4. Të gjitha të dhënat, që mjeku përdor për të informuar dhuruesin, përshkruhen prej tij në një fletë informative, e cila më pas bëhet pjesë e dokumentacionit që mbahet për dhuruesin.

 

Neni 15

Dhënia e pëlqimit nga dhuruesit

1. Dhurimi i transplanteve mund të kryhet vetëm pasi dhuruesi të ketë dhënë pëlqimin e lirë. Pëlqimi jepet me shkrim dhe ruhet në të dhënat mjekësore të dhuruesit.

2. Për rastet e heqjes së indit rigjenerues nga një i mitur ose person i paaftë për të dhënë pëlqimin lidhur me dhurimin, dhurimi mund të kryhet vetëm me autorizimin e përfaqësuesit të tij/saj ligjor. Opinioni i të miturit merret në konsideratë si një faktor gjithnjë e më përcaktues në raport me moshën e tij/saj dhe shkallën e pjekurisë.

3. Dhuruesi ose përfaqësuesi ligjor i të miturit apo i personit të paaftë mund të tërheqin pëlqimin e tyre në çdo moment. Mjeku, që realizon heqjen, respekton një tërheqje të tillë, përveçse kur ekzistojnë procedura të pakthyeshme, ndërprerja e të cilave do të rrezikonte shëndetin dhe jetën e dhuruesit po të realizoheshin gjatë periudhës së heqjes.

 

Neni 19

Realizimi i heqjes së indeve, qelizave dhe organeve në dhurues të gjallë

1. Heqja e indeve, qelizave dhe organeve nga një dhurues mund të realizohet vetëm, nëse:

a) kryhet vetëm për përfitime mjekësore të përfituesit;

b) nuk ekziston, në momentin e heqjes, asnjë metodë tjetër terapeutike me efektshmëri të krahasueshme;

c) dhuruesi ose përfaqësuesi i tij/saj ligjor kanë dhënë pëlqimin, sipas nenit 15 të këtij ligji;

ç) indet janë rigjeneruese ose organi i përket një prej çiftit të organeve që funksionojnë;

d) heqja e indeve, qelizave dhe organeve nga një dhurues mund të realizohet për përfitime mjekësore të përfituesit, i cili është një person që ka lidhje gjaku (gjyshi, gjyshja, prindi, fëmija, tezja, daja, xhaxhai, halla, nipi, mbesa) me dhuruesin, atëherë kur dhuruesi ka dhënë pëlqimin e tij/saj për përfituesin në fjalë;

dh) heqja e organeve nga një dhurues mund të realizohet për përfitime mjekësore të përfituesit, i cili është një person që nuk ka lidhje gjaku (vjehrri, vjehrra, bashkëshorti, bashkëshortja) me dhuruesin, vetëm me kusht që:

i) dhuruesi të deklarojë me shkrim në mënyrë të qartë dëshirën për t’i dhuruar përfituesit organin e tij/saj;

ii) dhurimi në fjalë të jetë miratuar nga Komiteti i Etikës Mjekësore;

e) heqja e indeve dhe qelizave nga një dhurues mund të realizohet për përfitime mjekësore të përfituesit, i cili është një person që nuk ka lidhje gjaku me dhuruesin, vetëm me kusht që:

i) dhuruesi të deklarojë me shkrim në mënyrë të qartë dëshirën për t’i dhuruar përfituesit indet, qelizat e tij/saj;

ii) dhurimi në fjalë të jetë miratuar nga Komiteti i Etikës Mjekësore.

2. Heqja e indeve, qelizave apo organeve nga një dhurues mund të kryhet vetëm pasi dhuruesi dhe përfituesi të kenë deklaruar gatishmërinë për të marrë pjesë në programin e kujdesit të rekomanduar nga mjekët në fazën pas heqjes.

 

Neni 20

Realizimi i heqjes së indeve rigjeneruese nga dhuruesi i mitur ose personi i paaftë

Për personat e mitur dhe personat e paaftë mund të realizohet vetëm heqja e indit rigjenerues kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:

a) nuk ekziston një dhurues i mundshëm, i përshtatshëm, në gjendje të japë pëlqimin e tij të qartë dhe konkret;

b) përfituesi është prind, fëmijë, vëlla ose motër e dhuruesit;

c) dhurimi përfaqëson një mundësi për të shpëtuar jetën e përfituesit;

ç) përfaqësuesi ligjor i dhuruesit, të miturit apo një personi të paaftë, ka shprehur pëlqimin e tij/saj për dhurimin sipas nenit 15 të këtij ligji;

d) Komiteti i Etikës Mjekësore ka miratuar dhurimin në fjalë.

 

Neni 21

Heqja e indeve apo organeve nga një dhurues që nuk jeton

1. Heqja e indit apo organeve nga trupi i një personi që nuk jeton mund të realizohet vetëm nëse personi në fjalë gjatë jetës së tij/saj ose përfaqësuesi ligjor i të miturit apo i personit të paaftë nuk kanë shprehur hapur mosmiratimin e tyre. Në këto raste, dhënia e pëlqimit për heqjen e indit apo organit merret nga të afërmit e tij/saj, sipas kësaj radhe: bashkëshortja, bashkëshorti, fëmija madhor, prindi, motra, vëllai.

2. Heqja e organit apo indit nga një person që nuk jeton mund të realizohet vetëm në rastin kur vdekja provohet në përputhje me kriteret mjekësore, të përcaktuara në rregulloren e miratuar me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë për certifikimin e vdekjes.

3. Vërtetimi i vdekjes së një dhuruesi të mundshëm realizohet gjithmonë nga tre mjekë të kualifikuar, të cilët e ekzaminojnë dhuruesin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

4. Mjekët, që certifikojnë vdekjen, nuk marrin pjesë në procesin e transplantimit.

 

Neni 22

Ndalimi i heqjes së indit dhe organit nga një dhurues që nuk jeton

1. Heqja e indit dhe organit nga një dhurues që nuk jeton ndalohet kur:

a) personi, që nuk jeton gjatë jetës së tij/saj ose përfaqësuesi ligjor i personit në fjalë, i cili është një i mitur ose një person i paaftë, ka kundërshtuar shprehimisht heqjen pas vdekjes së indeve dhe organeve;

b) të afërmit e tij nuk japin pëlqimin për heqjen e indit apo organit të personit të vdekur;

c) në bazë të vlerësimit të aftësisë shëndetësore, nuk është e mundur të përjashtohet se personi, që nuk jeton, vuante nga një sëmundje apo gjendje, e cila mund të rrezikojë shëndetin dhe jetën e përfituesit;

ç) është e pamundur të identifikohet personi që nuk jeton.

2. Procedurat e vlerësimit të aftësisë shëndetësore, si dhe ekzaminimet që i bëhen dhuruesit që ka ndërruar jetë, përcaktohen me rregullore, të miratuar me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë.

3. Heqja e indit apo organit nga një shtetas i huaj, që nuk jeton, mund të bëhet në bazë të marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare.

 

Neni 25

Mosrealizimi i heqjes së transplantit

Heqja e transplantit nga dhuruesi nuk realizohet nëse:

a) gjykohet se transplanti mund të rrezikojë seriozisht shëndetin ose jetën e dhuruesit;

b) dhuruesi është një person, i cili është në paraburgim ose po vuan dënimin me heqje lirie. Përjashtim bëjnë rastet e dhurimit ndërmjet prindërve dhe fëmijëve të tyre, ndërmjet vëllezërve dhe motrave ose ndërmjet bashkëshortëve;

c) gjatë vlerësimit të gjendjes shëndetësore të dhuruesit, shfaqet dyshimi se dhuruesi vuan nga një sëmundje apo gjendje, e cila mund të rrezikojë shëndetin apo jetën e përfituesit. Kjo nuk aplikohet për rastet kur rreziku ndaj shëndetit të përfituesit është i vogël krahasuar me transplantin që i shpëton atij/asaj jetën.

 

 

 

Lexo të plotë ligjin

 


[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 107, datë 9 Gusht 2011, faqe 4251

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim