Neni 4

Parime të përgjithshme për punëdhënësin

1. Punëdhënësi detyrohet të sigurojë mbrojtjen e punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.

2. Punëdhënësi nuk shkarkohet nga përgjegjësia edhe në rastet kur ai kontrakton persona ose kur kryen shërbime të specializuara jashtë ndërmarrjes/institucionit, në zbatim të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.

3. Punëdhënësi, në marrjen e masave për mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit në punë, udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë gjinor.

4. Detyrimet e punëmarrësve në fushën e sigurisë e të shëndetit në punë nuk cenojnë parimin e përgjegjësisë së punëdhënësit.

5. Detyrimet e punëdhënësit për marrjen e masave të veçanta për mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit në punë të punëmarrësve, gra shtatzëna, të atyre që sapo kanë lindur e të atyre me fëmijë në gji, nuk vlerësohen diskriminuese, për shkak të gjinisë.

 

Neni 12

Informimi i punëmarrësve

1. Punëdhënësi:

a) informon punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre për çdo rrezik në vendin e punës, si dhe për masat e sigurisë, që duhen marrë për të kontrolluar këto rreziqe dhe për të shmangur pasojat e rrezikshme;

b) informon punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre për ndihmën e parë, masat në rast zjarri, evakuimin, si dhe përgjegjësitë e veçanta të secilit për marrjen e këtyre masave;

c) i paraqet punëmarrësit rezultatet nga vlerësimi i rrezikut, si dhe masat e ndërmarra për të siguruar shëndetin dhe mbrojtjen e punës për punëmarrësit, fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji dhe personat me aftësi të kufizuar.

2. Nëse punëdhënësi ka vënë në rrezik punëmarrës të tjerë të subjektit të angazhuar mbi bazë kontraktore:

a) i pajis këta punëmarrës me të njëjtat udhëzime;

b) i informon më parë ata për rreziqet e shëndetit dhe sigurinë në punë;

c) u jep atyre informacion për punëmarrësit me përgjegjësi të veçanta për ndihmën e parë, mbrojtjen nga zjarri dhe evakuimin.

3. Në përputhje me dispozitat e posaçme, punëdhënësi duhet të vendosë në vendin e punës dhe mbi pajisjet/makineritë e punës paralajmërime të veçanta dhe shenja sigurie, si dhe udhëzime për shëndetin dhe mbrojtjen në punë.

4. Punëdhënësi u vë në dispozicion punëmarrësve udhëzimin e hollësishëm, në zbatim të dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, për çdo vend pune, i dokumentuar nëpërmjet një procesverbali, që mbahet ndërmjet palëve.

 

Neni 31

Grupet e rrezikuara

1. Gratë shtatzëna, gratë me fëmijë në gji, të miturit, si dhe personat me aftësi të kufizuar mbrohen ndaj rreziqeve, që i prekin ata në mënyrë të veçantë.

2. Punëdhënësit detyrohen të përshtatin vendet e punës, duke marrë parasysh praninë e grupeve, që janë të ndjeshme ndaj rreziqeve.

3. Mbrojtja e sigurisë dhe e shëndetit për grupet, që janë të ndjeshme ndaj rreziqeve, nuk duhet të përbëjë shkak për të krijuar situata të pafavorshme për gruan në tregun e punës.

 

Neni 33

Masat që merren nga punëdhënësi për gratë shtatzëna dhe gratë me fëmijë në gji

l. Kur ekspozimi ndaj agjentëve të rrezikshëm, proceseve apo kushteve të punës përbën një rrezik për sigurinë dhe shëndetin, apo ka efekt mbi shtatzëninë dhe ushqimin e fëmijës me gji, punëdhënësi duhet të marrë masa për shmangien e rrezikut, ose t’i përshtatë vendin e punës punëmarrësit në përputhje me shkronjat “a” dhe “ë” të pikës 3 të nenit 6 të këtij ligji.

2. Nëse masat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni nuk mund të zbatohen për arsye teknike dhe/ose objektive, punëdhënësi duhet të përshtatë përkohësisht kushtet e punës dhe/ose oraret e punës për punëmarrësen, derisa të eliminohet ekspozimi ndaj atyre rreziqeve.

3. Nëse për shkaqe teknike dhe/ose objektive nuk mund të ndërmerren masat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, ose nuk mund të kërkohet zbatimi i tyre mbi baza të justifikuara dhe të vërtetuara, punëdhënësi duhet të sigurojë lëvizjen e punëmarrëses në një punë tjetër, njëlloj të vlerësueshme.

4. Nëse punëdhënësi, për shkaqe teknike dhe/ose objektive, nuk mund të marrë masat e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, ose nuk mund të kërkohet zbatimi i tyre mbi baza të justifikuara dhe të vërtetuara, ai duhet të japë pushim të paguar punëmarrëses grua derisa të shmanget rreziku.

 

Neni 34

Të miturit

l. Të miturit mbrohen nga çdo lloj rreziku, që vë në rrezik mirëqenien si dhe zhvillimin e tyre, si rrjedhojë e mungesës së përvojës, informacionit për një rrezik potencial të mundshëm apo për shkak se ende nuk kanë arritur plotësisht pjekurinë e tyre.

2. Puna e të miturve ndalohet në rast se ajo:

a) objektivisht kalon përtej kapacitetit fizik dhe psikik të tij;

b) përfshin ekspozim të agjentëve toksikë, kancerogjenë, shkakton dëmtime të trashëgueshme gjenetike apo dëmtime, të cilat kanë efekte kronike në dëm të shëndetit përgjatë të gjithë jetës;

c) përfshin ekspozim në rrezatime radioaktive;

ç) përfshin rrezikun e aksidenteve, të cilat mund të ndodhin, të cilat nuk mund të njihen apo të shmangen nga të miturit, për shkak të pakujdesisë së vëmendjes apo të pamjaftueshmërisë së përvojës apo të formimit;

d) përbën rrezik për shëndetin si pasojë e të ftohtit apo të nxehtit ekstrem, zhurmave apo dridhjeve.

 

Neni 35

Masat që merren nga punëdhënësi për të miturit

1. Punëdhënësi merr masa të nevojshme në mbrojtje të sigurisë dhe të shëndetit në punë për të miturit, duke marrë parasysh rreziqet specifike, sipas përcaktimeve në pikën 2 të nenit 34 të këtij ligji.

2. Punëdhënësi merr masa për vlerësimin e rreziqeve për të miturit në punën e tyre, i cili duhet të kryhet para fillimit të punës.

3. Punëdhënësi, pas vlerësimit të kryer sipas pikës 2 të këtij neni, nëse konstaton ekzistencën e rrezikut për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe për zhvillimin mendor e fizik të të miturve, kryen një vlerësim periodik dhe kontroll mbi shëndetin e të miturit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi.

4. Nëse gjatë marrëdhënieve të punës së të miturit ndodh një ndryshim i rëndësishëm në kushtet e punës, punëdhënësi tregon kujdes për:

a) planifikimin, ekspozimin e vendit të punës;

b) natyrën, llojin, nivelin dhe kohëzgjatjen e ekspozimit ndaj agjentëve fizikë, biologjikë, kimikë dhe ergotamikë e psiko-socialë;

c) formën, shtrirjen dhe përdorimin e aparaturave të punës, në veçanti të agjentëve, të makinerive, aparaturave dhe mekanizmave, si dhe mënyrat e përdorimit;

ç) masat e organizimit të procesit të punës, si dhe mënyrat e kombinimit të tyre;

d) nivelin e formimit dhe instruksionet që jepen për të miturit.

5. Punëdhënësit përcaktojnë shërbime mbrojtëse dhe parandaluese për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e sigurisë dhe të shëndetit në punë për të miturit.

 

 

 

Lexo të plotë ligjin



[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 22, datë 18 Mars 2010, faqe 672

 

<< Kthehu ne fillim