Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Çmimi i shitjes së truallit për banesat, që ndërtohen me fondet publike, të përcaktohet në bazë të vlerave mesatare të shitblerjeve, të marra nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për transaksionet e kryera gjatë tre muajve të fundit në zonën përkatëse, me kërkesë të subjektit të interesuar.

2. Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, i dërgon subjektit të interesuar çmimin për m2 të shitjes së truallit, në zonën përkatëse.

3. Kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nuk ka të dhënat e kërkuara në pikën 2, të këtij vendimi, çmimi i shitjes së truallit, pronë shtetërore, përcaktohet nga komisioni i vlerësimit të truallit, pranë organeve të qeverisjes vendore, sipas vendimit nr.169, datë 13.3.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit dhe të shitjes së trojeve të ndërmarrjeve shtetërore, që i nënshtrohen privatizimit ose transformimit të tyre në shoqëri tregtare”.

4. Komisioni, brenda 20 ditëve, të përcaktojë vlerën mesatare të shitjes së truallit, në bazë të sondazheve për kërkesë-ofertën e tregut për shitblerjen e trojeve në zonën përkatëse dhe t’ia dërgojë të dhënat subjektit të interesuar.

5. Për familjet, me të ardhura mujore jo më shumë se 9 000 (nëntë mijë) lekë për frymë, që trajtohen me banesë, me kosto të ulët, nga Enti Kombëtar i Banesave, vlera e truallit të llogaritet sipas pikës 6, të këtij vendimi.

6. Për familjet e trajtuara nga Enti Kombëtar i banesave përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, çmimi i shitjes së truallit të jetë për:

a) qytetin e Tiranës, 1 600 lekë/m2;
b) zonat urbane, me popullsi nën 20 000 banorë, 320 lekë/m2;
c) zonat urbane, me popullsi mbi 20 000 banorë, 480 lekë/m2.

7. Numri i popullsisë së zonës urbane përcaktohet nga të dhënat e INSTAT-it.

8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, organet e qeverisjes vendore, Enti Kombëtar i Banesave dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA
09/11/2006

 

 
<< Kthehu ne fillim